I arrestuari dyshohet se do të sulmonte personat që i ngacmuan partneren
Vali Qyrfyçi
Ngacmimi i së dashurës ka mjaftuar për të përgatitur një sasi tritoli dhe kërcënuar për një fund tragjik ata që guxuan t’i hedhin sytë asaj. Të paktën ky është motivi që deklarohet paraprakisht nga grupi hetimor, ndërsa i arrestuari nuk ka pranuar të shprehet në lidhje me sasinë e eksplozivit që mbante në një çantë. Prej ditësh, 37-vjeçari rezulton nga dëshmitë e dhëna se lëvizte në zonën ku dhe u kap me çantën që kishte ngjallur dyshim, ndërsa mbante brenda saj eksplozivin, që do të realizonte dëshirën për hakmarrje. Policia tha se si rezultat i punës me informacionin kriminal, si dhe bashkëpunimit me komunitetin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arritën të kapin në kohë poseduesin e lëndës plasëse, Agron Shpatajn.
Arrestimi i tij u bë në një lokal në afërsi të Urës së Dajlanit në hyrje të qytetit bregdetar. Kanë qenë shërbimet e policisë lokale që me të marrë informacion për praninë e tij në lokal ndërhynë dhe e neutralizuan. Në çastin e ndalimit mësohet se Shpataj ka qenë në gjendje të dehur, fakt ky që i bënte edhe më të papërgjegjshme veprimet e tij pasardhëse, ndërsa në çantë kishte “armën shkatërruese”. Ndërhyrja policore është bërë rreth orës 19:40 të mbrëmjes së të dielës. Pikërisht në çantën që Shpataj mbante me vete, ndodheshin dy kallëpe tritoli, secili me peshë 50 gramë, të lidhur me fitilat dhe kapsollat, gati për ndezje. Pas shoqërimit të tij në ambientet policore, polica deklaroi se po punohet në drejtim të identifikimit të origjinës së lëndës eksplozive, si dhe objektit të parashikuar për sulm nga ky person.
I dënuar vite më parë për vrasje dhe i liruar nga vendi i vuajtjes së dënimit për mungesë provash, 37-vjeçari Agron Shpataj, lindur në Kukës dhe banues në Durrës, përballet me një tjetër akuzë, atë të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake. Pavarësisht se 37-vjeçari nuk ka pranuar të flasë lidhur me eksplozivin që zotëronte, në ç’rrugë e ka siguruar atë, si dhe objektivin e tij, agjentë të antikrimit në Durrës bëjnë të ditur për gazetën se shkaku i lëvizjes së Shpatajt me eksploziv në qytet ishte ngacmimi i së dashurës së tij nga dy persona, por para ndërhyrjes policore, palët kishin arritur të sqarohen dhe të shmangej reagimi absurd ndaj një situate që ndodh rëndom në zonat e banuara.
Megjithatë, gjendja e dehur e Shpatajt ka alarmuar njerëzit në lokal, por edhe ata në zonën përreth që e kanë parë me çantën e dyshimtë. Menjëherë kanë njoftuar policinë, duke deklaruar se ky person kishte afro një muaj që lëvizte në zonë, lagje disi e largët nga ajo që 37-vjeçari me origjinë nga Kukësi banon. I arrestuari në flagrancë është beqar dhe baba i një fëmije, një vajze të vogël, nga nëna e së cilës është ndarë. Ai rezulton nga burime policore jozyrtare të ketë kryer një dënim prej 7 vitesh burg për krimin e vrasjes, krim i kryer vite më parë, por për mungesë provash mësohet se është lënë i lirë. Aktualisht ndaj tij rëndon akuza e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake, ndërkohë që mësohet se përveç motivit banal të mbajtjes së tritolit si mjet kanosës a shkatërrues ndaj dy personave që besonte se i kishin hedhur sytë së dashurës, po hetohet dhe në një tjetër pistë, që lidhet me një konflikt të mundshëm të tij me një tjetër person.
Skeda
Emri: Agron Shpataj
Datëlindja: 17 korrik 1975
Lindur: Kukës
Banues: Durrës
Statusi: Beqar