Dritat në Lezhë


CEZ nuk u jep shpjegim banorëve, të cilët paraqiten me librezat e paguara të energjisë


Disa debitorë kanë dëmtuar rrjetin elektrik, ndërsa CEZ dhe policia nuk ndërhyjnë për zgjidhje


Ardian Bushi


Po të kalosh natën në superstradën Milot-Lezhë, duke filluar që nga Ura e Matit e deri në hyrje të qytetit të Lezhës, do të mendosh se të gjitha familjet në pjesën lindore të rrugës janë të mallkuara. Megjithatë, ato nuk janë të mallkuara nga Zoti, por nga shteti. Ky mendim të vjen për shkak të një errësire totale që ka pushtuar këtë zonë prej më shumë se 20 ditësh. Banorët tregojnë se gjithçka ndodh pasi CEZ dhe policia nuk janë të aftë që të vënë nën kontroll disa debitorë në Manati, që kanë dëmtuar të gjithë rrjetin që shpërndan energjinë elektrike në dy komuna, pikërisht në atë Kolshit dhe atë të Zejmenit, duke lënë fshatrat e tyre pa drita, rrjedhimisht pa ujë dhe pa bukë, pa llogaritur varfërinë e skajshme të tyre.


Ndërprerja e energjisë


Në pamundësi për të mbledhur paratë dhe për të dënuar ata debitorë në një nga fshatrat e Komunës Kolsh, pikërisht në zonën e Manatisë, CEZ ka vendosur që të ndërpresë energjinë për këtë zonë në mënyrë kolektive, duke mos u ndier fare keq, për ata persona që janë munduar të mbledhin kursimet e fundit, për të qenë korrektë me pagesat e faturave të dritave. Por, sikur të mos mjaftonte dënimi kolektiv për ta, pavarësisht se sipas ligjeve shqiptare, ky lloj dënimi është hequr që në kohën e komunizmit, CEZ nuk ka qenë e aftë që të ndalojë debitorët të ndërmarrin edhe akte më të rënda, duke sjellë errësirë totale për disa fshatra të tjerë. Banorët e zonës, në pamundësi për të paguar, sipas tyre, çmimet e larta të energjisë elektrike, kanë kërkuar që nëse u ndërpritet energjia elektrike, t’u hiqen shtyllat e shpërndarjes nga tokat e tyre. “Shtyllat janë vendosur në tokat tona dhe ne nuk do të lejojmë që aty të kalojë energji elektrike”, janë shprehur banorët e zonës së Manatisë. Madje, ata e kanë mbajtur këtë premtim dhe e kanë vënë në zbatim, sapo u kanë ndërprerë energjinë elektrike. Menjëherë, ata kanë formuar qarqe të shkurtra, duke mos lejuar furnizimin me energji elektrike as të fshatrave të tjerë, respektivisht të Komunës Kolsh dhe Zejmen. Ndërsa policia ka qenë e paftë deri tani të gjejë autorët e ndërhyrjes së paligjshme në linjat elektrike, ndërsa drejtuesit e pushtetit vendor kanë bërë thirrje që policia të shtojë masat e kontrollit, me qëllim që të kthehet furnizimi me energji elektrike.


Nuk reagon askush


Në këto kushte, pa drita kanë mbetur të gjitha familjet e këtyre dy komunave, pavarësisht se shumë familje i kanë paguar faturat e energjisë elektrike dhe kërkojnë furnizimin me energji elektrike. Për këtë arsye, përfaqësues të komunave kanë takuar edhe përfaqësues të CEZ-it, të cilët nuk u kanë dhënë zgjidhje. Banorët kanë vazhduar më tej me sorollatjet e tyre për të gjetur një zgjidhje. Ata kanë mbledhur të gjitha librezat e paguara, ku sipas tyre janë mbi 80 familje vetëm në Manati, që kanë likuiduar rregullisht faturat. Përfaqësia e banorëve të këtyre fshatrave ka trokitur edhe në dyert e prefekturës për të kërkuar ndërhyrjen e këtij institucioni te CEZ, në mënyrë që të hiqet dënimi kolektiv dhe familjet që kanë paguar rregullisht të furnizohen me energji. Ata deklarojnë se në rast se nuk do të marrin një përgjigje, javën tjetër do të rivazhdojnë protestat si edhe rrugët ligjore. Gjithashtu, në këto kushte mësohet se nuk ka reaguar as policia, me qëllim për të zbuluar shkelësit e ligjit dhe për të rikthyer energjinë elektrike, pasi siç shpjegojnë familjarët, me energjinë elektrike kanë të lidhur jetën. “Nga energjia, ne furnizohemi edhe me ujë. Pra kemi mbetur edhe pa ujë. Pa ujë, nuk ka jetë. Këta po na heqin jetën, duke na hequr energjinë, kështu që do të na detyrojnë të reagojmë edhe më ashpër”, shprehen familjarët e irrituar, që sipas tyre, janë lënë në harresë nga shteti.


Komuna e Kolshit


Banorët e Komunës së Kolshit dhe ata të Zejmenit apelojnë që t’u jepet fund ndërprerjeve kolektive të energjisë. Sipas kryekomunarit të Kolshit, Ferdinand Ndoj, CEZ ka kohë që ka nisur një ndëshkim kolektiv, vetëm në Komunën Kolsh. “Nuk e imagjinoj se si ka mundësi që kjo kompani e papërgjegjshme, e cila nuk ka kryer as një investim, arrin deri aty sa u ndërpret energjinë edhe klientëve që nuk janë debitorë dhe askush nga institucionet shtetërore nuk ka fuqi të urdhërojë ata të furnizojnë me energji këto familje. Personalisht, kam bërë të gjitha përpjekjet ligjore, por nuk kam gjetur zgjidhje. Tashmë më ka mbetur që unë të solidarizohem me protestën e tyre”, shprehet kreu i komunës, Ferdinand Ndoj. Ndërsa Komuna e Zejmenit nuk ka bërë ndonjë reagim, pavarësisht se banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e kryekomunarit për të rikthyer energjinë elektrike.