shperthimi lokali myslym ketaShpërthimi në Tiranë, 400 gramë në lokal. Hetim agjentit dhe së kaluarës së qiradhënësve


Mariglen Mullai


Dy kallëpe tritoli me nga 200 gramë secili shpërthyen në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke shkaktuar dëmtime të shumta në lokalin ku ishte vendosur. Paraprakisht ka dy pista hetimore për shkaqet: Paralajmërimi i agjentit të SHISH që e kishte marrë me qira, ose atentati ndaj pronarit, që ka pasur precedentë të mëparshëm penalë. Ekspertët e Komisariatit nr. 4 dhe ata të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës shkuan në rrugën “Myslym Keta” dhe pasi rrethuan lokalin, kryen veprimet e para hetimore. Përpos dëshmisë së qiramarrësit Admir Shurdhi, përkthyes te muxhahedinët iranianë e njëkohësisht agjent me punë të pjesshme në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe qiradhënësve Altin dhe Leonard Allushi (vëllezër), grupi hetimor ka mbledhur provat përkatëse dhe tashmë kanë nisur verifikime të tjera.


Shpërthimi


Lënda plasëse e llojit tritol (dyshohet se u vendosën 2 kallëpe me nga 200 gramë secili), shpërtheu në orën 03.15 të mëngjesit të djeshëm në lokalin që ndodhet në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë. Në momentin e shpërthimit, afër vendit të ngjarjes ndodhej vetëm roja i natës që mbulonte disa biznese aty pranë. Banorë të zonës lajmëruan menjëherë policinë, pasi shpërthimi ishte tepër i fuqishëm dhe shkaktoi tronditje të thellë tek ta. Në fillim atje mbërritën të parët efektivët e Komisariatit nr. 4 dhe më tej u lajmëruan edhe specialistët e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ekspertët e Njësisë Antieksploziv. Pasi u siguruan që nuk kishte tritol të pashpërthyer, efektivët e policisë përcaktuan se për shpërthimin ishin përdorur dy pako tritoli. Secila prej tyre peshonte 200 gramë dhe për shpërthimin mendohet se është përdorur mekanizmi i aktivizimit me anë të fitilpërcjellësit, pasi deri më tani nuk është gjetur ndonjë element për telekomandim me anë të celularit. Ky biznes shërbente si lokal dhe përreth ndodhej edhe një lavazh. Përpos dëmeve të shumta materiale, nuk ka pasur lëndime në njerëz.


Hetimet për shkaqet


I lajmëruar në rrugë telefonike për atë që kishte ndodhur, pronari aktual i këtij biznesi mbërriti atje pas orës 03.30, ndërsa efektivët e policisë i morën deklarimin paraprak. Zyrtarisht policia thotë se qiramarrësi quhet Jetmir Shurdhi dhe është specialist IT në Policinë e Tiranës, por burimet policore saktësojnë se bëhet fjalë për shtetasin Admir Shurdhi, agjent i SHISH, ku punonte me kohë të pjesshme. Shurdhi shërbente si përkthyes në kampin e muxhahedinëve iranianë të MEK, të cilët janë transferuar në Tiranë, në bazë të marrëveshjeve shtetërore. Kështu, një prej pistave paraprake hetimore, ka të bëjë me këtë shkak, pra atë të kërcënimit të përkthyesit. Një tjetër verifikim që kanë nisur ekspertët e Policisë së Tiranës është edhe ai punësimit të pjesshëm të Shurdhit pranë strukturës së Shërbimit Informativ Shtetëror. Vetë Shurdhi është shprehur se nuk kishte ndonjë ide për autorët apo porositësit e shpërthimit, pasi nuk ka asnjë konflikt. Nga ana tjetër mësohet se forcat e policisë kanë marrë edhe deklarimet e qiradhënësve, vëllezërve Leonard dhe Altin Allushi, të cilët nga ana e tyre janë shprehur se nuk kanë konflikte dhe nuk dyshojnë tek askush për këtë ngjarje. Për të ndihmuar në zgjerimin e rrezes hetimore, ekspertët e policisë kanë marrë në shqyrtim edhe disa precedentë të mëparshëm të tyre. Kështu, në vitin 2009, arrestimi i U.A, pronarit të një kompleksi, solli përplasje mes 5 të rinjve, ku njëri mbeti i plagosur. Pikërisht në të njëjtin lokal, në pronësi të shtetasve Leonard dhe Altin Allushi, në rrugën “Myslym Keta”, policia tha se njëri nga vëllezërit, në shenjë hakmarrje për arrestimin e kushëririt të tij ka kërcënuar me armë J.Shimën, mikun e Saimir Sulit. Më pas dy miqtë e Shimës, Indrit Deliu dhe Florind Grusi kanë qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve Leonard dhe Altin Allushi dhe mikut të tyre Astrit Lozi. Ky i fundit ka mbetur i plagosur. Asokohe policia ka arrestuar Leonard Allushin, për kanosje dhe armëmbajtje pa leje dhe ka shpallur në kërkim Indrit Deliun dhe Florind Grusin, për vrasje të mbetur në tentativë. Indrit Deliu akuzohet se në vitin 2014 plagosi Florenc Hoxhën, ish-kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës.