Mazhoranca kalon buxhetin, opozita kërkon hetim nga Llalla


Edmond Hoxhaj


Mazhoranca tenton të konstituojë sërish një mbledhje paralele të Qarkut të Fierit, por nuk arrin kuorumin e nevojshëm, ndërkohë që me këtë takim opozita ka arritur të zhvillojë një mbledhje me numër më të madh këshilltarësh. Mazhorancës i kanë ikur dhe dy anëtarë qarku, përkatësisht këshilltari i Patosit që ka kaluar me Frymën e Re Demokratike dhe një këshilltar tjetër që është arrestuar për shfrytëzim prostitucioni. E majta ka kërkuar nga Kryeprokurori i ri Llalla që të hetojë situatën në mënyrë që të rikthehet ligjshmëria.


Të djathtët


Në mbledhjen e të djathtëve që u zhvillua në një ambient privat, u pretendua se aty ishin të pranishëm 49 këshilltarët e “Aleancës për Qytetarin”, që është minimumi i kuorumit të nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes. Në mbledhjen e të djathtëve ka marrë pjesë edhe Prefekti i Qarkut të Fierit, Robert Bitri. Por, në mbledhjen e të djathtëve, ka munguar këshilltari i Bashkisë Patos, Gentian Mustafaraj, i cili nga PD ka kaluar në subjektin politik të FRD-së. Në mbledhjen e të djathtëve ka munguar edhe këshilltari Kastriot Llanaj, i cili u prangos disa javë më parë për akuzën e ngritur nga drejtësia italiane, atë të “shfrytëzimit të femrave për prostitucion në rrethana rënduese”. Në këtë mbledhje, emri i tij është zëvendësuar dje me këshilltarin Sefedin Llanaj, që i përket të njëjtit këshill, atij të Komunës Cakran të Rrethit të Fierit. Kryetari i djathtë i qarkut, Artur Shehu, ka deklaruar se nuk ka asnjë vendim të gjyqësorit që e ka bërë Vangjel Ndrekën kryetar të qarkut. Ai kërkuar që të majtët t’i lexojnë mirë vendimet e gjykatave. “Kemi kuorumin e nevojshëm prej 50 anëtarësh të këshillit të qarkut, prandaj e deklarojmë mbledhjen të ligjshme. Ndërkaq, doja të theksoja që të majtët të lexojnë mirë vendimet e gjykatave dhe të mos bëjnë interpretime të ndryshme për të njëjtin vendim gjykate”. Në këtë mbledhje, të djathtët kanë kaluar edhe buxhetin për vitin 2013, duke renditur një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore, turizëm etj.


Të majtët


Në mbledhjen e djeshme të të majtëve që u zhvillua me dyer të hapura në sallën e konferencave të bashkisë, kanë marrë pjesë 53 këshilltarë. Gjatë mbledhjes, kryetari i majtë, Vangjel Ndreka, ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha për krijimin e ngërçit në Qarkun e Fierit dhe ka shtuar se është ai vetë që po bllokon integrimin e vendit në BE. Sipas Ndrekës, vendimet e gjykatave janë të parat, që një vend europian duhet të zbatojë. “Z. Kryeministër, të gjithë këshilltarët e majtë po të ribëjnë apel të çlirosh Këshillin e Qarkut të Fierit dhe të mos mbash peng integrimin europian të Shqipërisë. Ne kërkojmë me vendosmëri zbatimin e vendimeve gjyqësore, respektimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e shtetit ligjor. Tashmë jemi në situatën ku vendimet e formës së prerë të gjykatave nuk po zbatohen, kur 11 këshilltarë me mandate të ligjshëm të këshillit të qarkut, nuk lejohen të ushtrojnë detyrën e tyre. Mandati i tyre kushtetues 4–vjeçar, i vërtetuar me votë, me ligj dhe vendim të formës së prerë të gjykatës po shkelet nga të djathtët e vetë Kryeministri”, ka theksuar ndër të tjera Ndreka. Sipas tij, mandati nuk mund të preket apo tjetërsohet për shkak të ndryshimeve politike, të mazhorancave apo minorancave në këshillat e njësive vendore, pasi është vetë këshilli i qarkut që e ka këtë të drejtë.


 


Kuorumi i munguar


Llogariten këshilltarë që janë jashtë shtetit


Të majtët kanë deklaruar se grupimi “Aleanca për Qytetarin” nuk e ka pasur dje kuorumin e nevojshëm prej 49 këshilltarësh për thirrjen e mbledhjes. Kryetari i PS-së së Fierit, Andjus Olldashi ka deklaruar për gazetën “Shqip” se edhe në mbledhjen e djeshme, ashtu si më 24 prill, këshilltari i Komunës Strum, Eduard Dogani nuk ka qenë i pranishëm. “Nuk ka asnjë mundësi që në mbledhjen e kryesuar nga Artur Shehu të jetë plotësuar kuorumi i nevojshëm. Kjo, pasi këshilltari i Komunës Strum, Eduard Dogani është jashtë shtetit dhe ky fakt mund të verifikohet lehtësisht nëpërmjet sistemit TIMS. Edhe personi që ka zëvendësuar këshilltarin Kastriot Llanaj nuk është këshilltar qarku, pasi mandati jepet nga këshilli i qarkut kur ai e plotëson kuorumin.