E majta, fituese në rang kombëtar. Ademi fiton në Shkodër. Diferencë e ngushtë Dako dhe Duma
Dy sondazhe të realizuara nga ana e dy televizioneve nxjerrin fitues kandidatin e majtë, Erion Veliaj, për Bashkinë e Tiranës. Sondazhi i nxjerrë nga Instituti Italian, Pieopoli, i publikuar nga ‘A1 Report TV’ nxjerr fitues kandidatin e majtë, Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës me një diferencë prej 19 pikësh. Referuar këtij sondazhi që zgjati nga 15 maji deri më 13 qershor, rezulton se nëse qytetarët do të shprehnin sot vullnetin e tyre me votë, Veliaj do të shpallej fitues i Bashkisë së Tiranës. Janë 53.5% e të anketuarve që kanë votuar pro Veliaj si kryebashkiak, ndërsa pas tij me 34.5% radhitet kandidati i së djathtës, Halim Kosova. Nëse shqiptarët do të votonin sot, partia e cila do të merrte shumicën e votave për Tiranën, është ajo Socialiste, me 47.5%, shifër kjo e cila ka pësuar rënie me 0.5% krahasuar me mendimin që të anketuarit kanë shprehur në sondazhin e dytë të Piepolit. Aleati më i madh i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshe nga sondazhi i dytë, ku shënoi 7.5%, në këtë sondazh përmbyllës ka fituar edhe 1.5% më shumë të votave të qytetarëve duke e çuar në 9%. Si koalicion, Aleanca për Shqipërinë Europiane do të merrte në sondazhin e dytë 61.5% ndërsa në këtë sondazh të fundit, ka shkuar në 61%. Ndërkaq, për Partinë Demokratike në këtë sondazh kanë votuar pro 32.5% e të anketuarve, ndërsa aleati e saj, Mediu, ka marrë 2% të votave. Vlerësimet për Aleancën Popullore për Punë dhe Dinjitet ndiejnë një rritje me 0.5%, duke marrë në total 36% të vlerësimeve të qytetarëve. Nëse zgjedhjet në rang kombëtar do të bëheshin sot, koalicioni i majtë do të merrte fitoren. Kështu kanë menduar 60% e të anketuarve, një vlerësim ky i pandryshuar nga sondazhi i dytë i 28 majit të kryer po nga Instituti i Piepolit. Referuar sondazhit të parë më 15 maj, fitorja e koalicionit të majtë është vlerësuar me 1.5% më shumë. Bie në sy se, në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s, ku aleanca e majtë fitoi me 59.3%, nëse këto zgjedhje do të përsëriteshin në 2015, koalicioni do të fitonte me 0.7% më shumë.
Edhe sondazhi i kryer IPR Marketing i publikuar në Ora News, nxjerr fitues kandidatin Veliaj me 51%, ndërsa Kosova del me 33.5%. I treti renditet i pavaruri Gjergj Bojaxhi me 11%, më pas vijnë Sazan Guri me 3.5% dhe Arben Tafaj me 1.5%. Ndërsa për Shkodrën, kandidatja e PD-së, Voltana Ademi është në avancë ndaj socialistes Bazhdari. Demokratja, sipas sondazhit, del me 57% dhe socialistja me 41%. Ndërsa për Durrësin, Dako i ASHE-së është me dy pikë në avantazh ndaj demokrates Duma. Socialisti del me 51%, ndërsa demokratja me 49%.