Atentati
“Problemet për rastin e Gani Malushit dhe një vrasje në Itali, i kemi mbyllur me kohë”
Policia shtrin hetimet edhe në aktivitetin e dy vëllezërve të viktimës, të cilët janë në burg
Vali Qyrfyçi
Ekzekutimi mafioz i 38-vjeçarit Nikolin Prenga, i njohur edhe si Nik Ndoj, mik i Agim Pepës, ka mbetur ende pa autorë në Durrës. Nikolini kishte disa konflikte, po për rastin e dy vrasjeve për të cilat ishte akuzuar dhe dënuar, familjarët shprehen se ishin hesape të mbyllura qoftë me drejtësinë, qoftë me familjarët e të vrarëve. Viktima ishte dënuar edhe për vrasjen e një shqiptari në shtetin fqinj, Itali. Pista e hakmarrjes është ajo ku janë përqendruar anëtarët e grupit hetimor të ngritur mbi çështjen dhe gjithçka është përqendruar në të kaluarën kriminale të viktimës, por edhe vëllezërve të tij. Fqinjët pohojnë se djemtë Prenga kanë qenë problematikë. Edhe për policinë ata njihen si persona me precedentë penalë. Përfshirja e viktimës në konflikte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ndonjëherë dhe të panjohura, të paevidentuara nga organet e rendit, e ka zgjeruar hetimin, duke marrë energji në drejtime të tjera, përveç konflikteve të njohura. Prenga kishte probleme jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, ku ka emigruar. Megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë autor të dyshuar.
Në familjen e viktimës
Dyert e vilës trekatëshe të familjes Ndoj janë çelur për mort. Familjarët, teksa presin të afërm e të njohur për ngushëllime, kanë vendosur që ceremonia funerale, përcjellja e viktimës për në banesën e fundit, të bëhet paraditen e së martës, me shpresën që të marrin pjesë edhe vëllezërit e të ndjerit. Ndërkohë, mjaft të afërm që duan të përshëndeten përfundimisht me të, jetojnë jashtë vendit dhe duan kohë të mbërrijnë pas marrjes së njoftimit. Sipas disa të afërmve, dy vëllezërit ndodhen në burg për rrëmbimin e një vajze, gjoja me qëllim martese nga njëri prej tyre. Familjarët shpresojnë që autoritetet do t’u japin leje për këtë fatkeqësi, ndërkohë që kjo duket e vështirë, duke marrë parasysh edhe reagimet e mundshme që mund të pasojnë krime të kësaj natyre. Ndërkohë, interesit të mediave për të komunikuar me familjarët i përgjigjet Pashk Lleshi, kushëriri i 38-vjeçarit. Ai pohon se viktima ka pasur konflikte, po jo të asaj natyre sa të çonin në ekzekutimin e tij. Të paktën ata, aq dinë. Lleshi thotë se për bashkëpunimin në vrasjen e komisarit të Policisë së Krujës, ai është shpallur i pafajshëm.
Atentati dhe grupi hetimor
Burime të policisë bëjnë të ditur se mbi 30 persona janë shoqëruar për të dhënë dëshmi mbi ngjarjen, por edhe pyetur për vendndodhjen e tyre në çastin e krimit. Shumë të tjerë janë thirrur për të dëshmuar mbi konfliktet e viktimës dhe personat e përfshirë në to. Ekspertiza mjekoligjore ka konkluduar se mbi Nikolin Prengën apo Nik Ndojn është qëlluar me armë zjarri të tipit “Shotgun” të një kalibri të madh. Nisur nga dyshimet e ngritura prej grupit hetimor, janë kryer edhe disa kontrolle, por nuk është arritur të gjendet ndonjë objekt i paligjshëm, apo që i lidh të dyshuarit me krimin. Sipas policisë, të gjithë të shoqëruarit, pasi u morën në pyetje, u liruan sërish, pasi ndaj tyre nuk ka ndonjë provë implikuese. Megjithatë, veç problemeve të viktimës me drejtësinë, grupi hetimor po verifikon edhe veprimtarinë e vëllezërve të tij, duke ngritur dyshimet për ndonjë hakmarrje, për shkak të veprimeve që ata kanë kryer në të shkuarën, duke mos lënë mënjanë as çështjen për të cilën ndodhen në qeli. Nikolin Prenga u ekzekutua natën e së dielës në pritë. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr.15 të Durrësit, rreth orës 20.45, në atë zonë që vendasit, kryesisht të ardhur nga zonat veriore të vendit gjatë dy dekadave të fundit, e njohin si lagjja e mirditorëve, pranë ish-Konservimit. Viktima u qëllua për vdekje pas shpine nga persona ende të paidentifikuar, teksa ishte duke lëvizur me makinën e tij tip “BMW” me targa të huaja X234 XPJ. Burime nga policia thonë se viktima mund t’i ketë pikasur autorët, por nuk ka pasur mundësi që t’u shmangej. Rruga për në banesën e tij trekatëshe është mjaft e ngushtë dhe plot baltë, që vështirëson kalimin.
Opinioni
Banorët: Prindërit janë njerëz të urtë, por fëmijët…
Dy fqinjë të ndryshëm të viktimës thonë se dëgjuan të paktën tri të shtëna që përshkuan natën e së dielës teksa ndodheshin para ekranit të televizorit. Një grua, fqinje me familjen Prenga, thotë se dëgjoi tri të shtëna dhe mendoi menjëherë që ishin të shtëna tragjike për jetën e dikujt. Më vonë mori vesh për vrasjen e Nikolinit. Një tjetër banor i lagjes, Preng B., nga Mirdita, thotë se u tremb teksa dëgjoi plumbat dhe kur gjithçka u fashit me natën, doli jashtë për të parë çfarë kishte ndodhur. “Pashë makinën e tij, xhamat e bërë copë nga plumbat”, vazhdon ai, duke treguar se një nga komshinjtë e mori për ta dërguar në spital, por ai kishte vdekur gjatë rrugës. Fqinjët shprehen se Zefi me të shoqen janë njerëz shumë të mirë, ndërsa djemtë gjithnjë i kanë pasur problematikë. “Përfshiheshin gjithnjë në konflikte. Madje, dy vëllezërit e tij janë në burg se rrëmbyen një vajzë. Njëri prej tyre i kishte premtuar martesë, ndërsa ishte i martuar. Familjarët e vajzës bënë denoncimin në polici dhe i arrestuan. Kaq di unë, por s’është puna ime. Me njerëz të tillë është mirë të rrish larg, se ja ç’ndodh…”, thotë një fqinj tjetër, ndërsa largohet me shpejtësi për ngushëllim drejt vilës së Prengëve.
