Reshjet e shiut që kanë rënë përgjatë këtyre 3 ditëve, shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe madje morën e jetë njerëzish. Situata në vend vazhdon që të jetë problematike edhe sot. Drejtoria e Emergjencave informon se në disa qarqe situata vijon të jetë ende problematike. Në Shijak nga dalja e lumit Erzen janë përmbytur 20 banesa poshtë urës. Ndërsa në Durrës 15 familje janë zhvendosur për shkak të rrezikut.
Në Babrru ka ndodhur një rrëshqitje masive dherash, e cila ka bllokuar kalimin e mjeteve dhe të banorëve. Situata më problematike është në Shkodër, ku në Njësinë Administrative Pult janë prishur disa ura, ndërsa në Qarkun e Dibrës ka bllokim të rrugëve. Aksi rrugor kombëtar Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur karburant “Targa”, qarkullimi vijon të kryhet vetëm në një krah të rrugës për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Ndërsa rruga e Kurveleshit vijon të jetë e bllokuar nga rrëshqitjet e dherave.
Qarku Durrës
Në bashkinë Shijak nga dalja e Lumit të Erzenit janë përmbytur 20 banesave poshtë urës. Familjet që u rrezikuan u evakuuam nga Qendra Vullnetare e Emergjencave dhe Forcat e Ushtrisë duke u vendosur në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në bashkinë e Durrësit 15 familje nga fshati Rrushkull, njësia administrative Sukth u zhvendosën për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
Qarku Tiranë
Në bashkinë e Kamzës në Njësinë Administrative Paskuqan, mbi fshatin Babrru, ka ndodhur një rrëshqitje masive dherash, e cila ka bllokuar kalimin e mjeteve dhe të banorëve.
Pas kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka dërguar efektivët e Batalionit të Xhenios së bashku me mjetet për të normalizuar situatën.
Qarku Shkodër
Në bashkinë Shkodër vijon të ketë sipërfaqe toke të përmbytur në Njësinë administrative Dajç, Guri i Zi, Vau Dejës, Ana Malit dhe Postribë, por kjo është zvogëluar ndjeshëm gjatë 24 orëve të kaluara.
Në Njësinë Administrative Shosh janë dëmtuar ura e Brashtës, Pep-Sumaj, si dhe urat këmbësore Nicaj e Palaj.
Në Njësinë Administrative Pult janë prishur 2 ura, ajo e Boxhsit dhe e Mgullës, dhe nuk kalohet për në fshatrat Plan, Xhan dhe Bruçaj, për shkak se rruga është bllokuar.
Në Malësinë e Madhe në Njësinë Administrative Kelmend është prishur plotësisht ura e Suhës.
Përroi Sheu i Gjamave në fshatin Vermosh ka dalë jashtë shtratit dhe 5 familje janë evakuuar nga banesat e tyre.
Në Njësinë Administrative Gruemirë është prishur plotësisht ura e Hysajve.
Qarku Dibër
Në Njësinë Administrative Selishtë, rruga Selishtë-Bufull është e bllokuar nga rrëshqitjet masiveve të dherave dhe po punohet nga firma kontraktore për hapjen e saj.
Në fshatin Podgorcë, Njësia Administrative Maqellarë vijon puna për riparimin e argjinaturës mbrojtëse të lumit Drini i Zi.
Në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, përroi ka dalë nga shtrati dhe ka rrezikuar të shembë një shtëpi, një urë automjetesh dhe tubacionin e ujësjellësit.
Në bashkinë e Matit në fshatin Stojan, Njësia Administrative Ulëz, ka dëmtime të 2 urave prej druri që lidhin 2 fshatra, si dhe është dëmtuar rruga rurale e fshatit Bushkash.
Në fshatin Fushë – Baz problem është ura mbi liqen e cila është dëmtuar në njërën anë dhe rrezikon të shembet.
Në Njësinë Administrative Derjan është dëmtuar rruga që lidh qendrën e njësisë me fshatin Gjoçaj.
Qarku Gjirokastër
Aksi rrugor kombëtar Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur karburant “Targa”, qarkullimi vijon të kryhet vetëm në një krah të rrugës për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Rruga Kurveleshit vijon të jetë e bllokuar nga rrëshqitjet e dherave ndërkohë po punohet nga mjetet e subjektit të kontraktuar për zhbllokimin e saj. Në qarqet e tjera nuk ka situata problematike.
Qarku Vlorë
Lumi Vjosa për shkak të prurjeve të mëdha, doli nga shtrati gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm. 15 banesa janë përmbytur dhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Ndërkohë, 20 familje janë evakuuar në zonën e ish-pularisë. Situata problematike është edhe në vendin e quajtur Bishti i Malës së Selenicë. Rruga që lidh disa fshatra të kësaj bashkie me Vlorën është jashtë funksionit pasi është e përmbytur. Edmond Panariti u bëri thirrje banorëve dhe bizneseve pranë brigjeve të lumit Vjosa që të largohen, pasi 12 orët e ardhshme priten prurje të mëdha të këtij lumi.
10 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)