Elbasan, ekzekutohet me silenciator i dënuari për vrasje në vitin 1999, dyshime për hakmarrje
Bardha Nergjoni
Një i dënuar për vrasje në vitin 1999, por që ishte në kërkim prej disa muajsh për vjedhje dhe nuk gjendej nga policia, është vrarë me silenciator në qendër të Elbasanit, sapo kishte dalë nga shtëpia e motrës. Arben Çeta është ekzekutuar me dy plumba pistolete, një në kokë dhe një në gjoks, sapo kishte hipur në makinën e tij, ndërkohë që policia ka ngritur dyshimet se ai është ekzekutuar për hakmarrje. Viktima, 46 vjeç, i liruar nga burgu para tri vitesh, i kishte shpëtuar edhe një atentati para disa muajsh.
Vrasja me silenciator
Arben Çeta, me banim në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, pak minuta para atentatit, ndodhej te motra e tij në lagjen “11 Nëntori” të Elbasanit. Pas vizitës, rreth orës 17:40, ai ka zbritur nga pallati dhe ka hipur në automjetin e përdorur prej tij “Mercedes Benz”, me targë “AA 937 DR”, që ndodhej në rrugën që ndan dy lagjet “5 Maji” dhe “11 Nëntori”. Në ato momente, sipas policisë, dyshohet se dy persona i janë afruar dhe njëri prej tyre e ka qëlluar 46-vjeçarin nga shumë afër, me pistoletë me silenciator, me një plumb në kokë dhe një në gjoks, ndërkohë që tjetri ka mbajtur nën kontroll zonën. Duke e lënë të vdekur në vend objektivin e atentatit, ata janë larguar me vrap nëpër rrugicat e qytetit, ndërkohë që kalimtarë të rastit kanë vënë re viktimën dhe kanë njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes, për pak minuta kanë mbërritur forcat policore, ekspertët dhe një grup hetimor. Policia ka rrethuar zonën përreth me synim kapjen e autorëve, duke shoqëruar shumë persona, por deri në mbrëmje vonë nuk ka pasur njoftim zyrtar për arrestimin e ndonjë të dyshuari.
Histori hakmarrjeje
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se pista kryesore e hetimit është ajo e një hakmarrjeje të mundshme për një vrasje të kryer shumë vite më parë. Sipas policisë, 41-vjeçari Çeta ka qenë i njohur si njeri me precedentë penalë dhe i dënuar me 13 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 1998. Sipas dosjes penale, më 5 gusht 1998, Arben Çeta ka vrarë me armë zjarri Astrit Stambollxhiun (Paprri) dhe menjëherë pas këtij krimi ishte arrestuar nga policia. Por, pak kohë më vonë, ai ishte liruar me vendim të gjykatës, pasi kishin përfunduar afatet e paraburgimit dhe vendimi për këtë vrasje nuk ishte dhënë nga gjykata. Për disa muaj, ai qëndroi në “arrest shtëpie” dhe më pas u dënua me 13 vite heqje lirie për vrasje me paramendim. Në vitin 2011, ai kreu dënimin, por Çeta mbeti një element për policinë. Gjatë këtyre viteve në liri, atij iu bë një atentat tjetër, ku persona të paidentifikuar tentuan ta vrasin. Para disa muajsh, pikërisht më 16 nëntor 2013, kur ishte në një lokal në Labinot-Fushë, ai u qëllua disa herë me armë zjarri. Si pasojë e kësaj mbeti i plagosur në këmbë, por me gjithë hetimet e kryera, policia nuk arriti të identifikojë autorët. Tashmë, duke marrë shkas nga kjo e shkuar, policia ka ngritur dyshimet se ai është ekzekutuar për hakmarrje. Për këtë arsye, grupi hetimor ka shoqëruar disa të dyshuar dhe i ka marrë në pyetje deri në orët e vona të natës, por nuk është dhënë informacion zyrtar për arrestimin e ndonjërit prej tyre.
Ishte në kërkim
Ndërkohë, gjatë lirisë, Arben Çeta ka kryer edhe vepra të tjera penale dhe rezultonte në kërkim nga policia, e cila nuk arriti ta gjejë, derisa e vranë. Duke parë dosjen e 46-vjeçarit, historia e tij komplikohet edhe më shumë, pasi policia e kishte arrestuar për vjedhje, por e kishte liruar gjykata. Sipas të dhënave, më 3 shtator 2013, pak kohë para atentatit të parë, ai u arrestua për vjedhje. Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, më 4 shtator 2013, rrëzoi kërkesën e prokurorisë për ta lënë në “arrest në burg” dhe vendosi për të “detyrim paraqitjeje”. Prokuroria e apeloi vendimin e Shkallës së Parë dhe më 26 nëntor 2013, Gjykata e Apelit në Durrës ndryshoi masën e sigurisë dhe vendosi “arrest me burg” për Çetën. Megjithatë, kjo masë ishte shumë e vonë, pasi policia, që prej asaj date, edhe pse kishte organizuar disa operacione për ndalimin e tij, nuk ka arritur ta dërgojë sërish në qeli. Ai lëvizte i lirshëm në qytet, pa rënë në sy të policisë, megjithëse kishte rënë në sy të atentatorëve, të cilët e ekzekutuan në makinë.
Dosja
Arben Çeta rezultonte person në kërkim, si i dyshuar për vjedhje, por policia nuk arriti ta gjejë, derisa e vranë
Lirimi nga gjykata
Më 3 shtator 2013, pak kohë para atentatit të parë, Arben Çeta u arrestua për vjedhje. Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, më 4 shtator 2013, rrëzoi kërkesën e prokurorisë për ta lënë në “arrest në burg” dhe vendosi për të “detyrim paraqitjeje”.