Sherri për furgonët


Efektivi i Policisë së Durrësit kishte shkuar për sqarim, pasi i kishin rrahur nipin


Grupi hetimor ka dërguar për ndjekje shoferin dhe vëllain e tij për sulmin ndaj policit


Banorët shprehen se furgonët kanë sjellë shumë konflikte në zonën e “Zogut të Zi” në Tiranë


Sherri për furgonët dhe makinat te “Zogu i Zi” në Tiranë ka sjellë plagosjen e një shoferi nga një punonjës policie, i cili është vetëdorëzuar te kolegët e tij. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, pasi punonjësi i policisë kishte shkuar për t’u sqaruar me dy vëllezër, që pretendohet se kanë rrahur nipin e tij. Gjithçka ka nisur dy ditë më parë, megjithëse banorët shprehen se shoferët e furgonëve kanë sjellë shumë shqetësime për banorët e zonës. Për konfliktin e djeshëm, policia e kryeqytetit deklaroi se rreth orës 09.40, te furgonët e linjës së Shkodrës, që qëndrojnë te sheshi “Rilindja” (Zogu i Zi), ka pasur një konflikt me armë, ku për pasojë është plagosur me pistoletë Preng Gjoni, 42 vjeç, si dhe është dëmtuar me mjete të forta vëllai i tij, Kujtim Gjoni, 40 vjeç. “Nga hetimet e menjëhershme të kryera në vendngjarja, ka rezultuar se autor i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë Lekë Fasllia, 42 vjeç, punonjës policie në Policinë e Durrësit, ndaj të cilit u mor masa e arrestit në flagrancë”, deklaroi zëdhënësja e Policisë së Tiranës. Por, nga grupi hetimor mësohet se gjithçka ka nisur pas një konflikti mes nipave të protagonistëve të ngjarjes së djeshme. Dy ditë më parë, ata janë zënë për makinat në lagjen pranë vendit të ngjarjes dhe dyshohet se nipi i punonjësit të policisë ka rrahur nipin e shoferit. Në këto kushte, dje në mëngjes, shoferi Preng Gjoni dhe vëllai i tij kanë shkuar te lokali i nipit të Fasllisë. Nga burimet policore mësohet se ata e kanë rrahur agresorin e dy ditëve më parë, kështu që punonjësi i policisë ka shkuar në vendngjarje për të sqaruar konfliktin mes nipit të tij dhe dy vëllezërve. Aty ka plasur konflikti edhe me punonjësin e policisë, kështu që dy vëllezërit dyshohet se e kanë goditur me thikë 42-vjeçarin Fasllia. Duke u vetëmbrojtur, pasi ata mendohet se do e vrisnin, efektivi, i cili mësohet se ishte me funksion në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar Preng Gjonin. Ai ka marrë një plumb poshtë barkut dhe menjëherë është dërguar për në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, të pranishmit në vendin e ngjarjes kanë njoftuar sallën operative dhe aty kanë mbërritur shërbimet e komisariateve Nr. 2 dhe Nr. 3. Nga ana tjetër, efektivi i policisë, i cili ka kryer plagosjen, është vetëdorëzuar, duke dërguar në polici edhe armën e shërbimit, me të cilën ka kryer plagosjen. Pasi ka sqaruar ngjarjen për oficerin e policisë gjyqësore, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe dy vëllezërit e dëmtuar. Duke u nisur nga provat e mbledhura, policia ka vendosur që punonjësi i policisë të arrestohet për plagosje në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, pasi ai mendohet se nuk ka qëlluar për të vrarë ndonjërin prej vëllezërve, por thjesht për t’i neutralizuar gjatë sulmit ndaj tij. Gjithashtu, burimet nga grupi i punës në seksionin kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit që po hetojnë këtë çështje, thanë se janë dërguar për ndjekje penale, por në gjendje të lirë, edhe dy vëllezërit. Ata dyshohen për veprën penale “plagosje e lehtë”, megjithëse do të jetë prokuroria ajo që do të sqarojë rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë. Banorët tregojnë se kjo nuk është hera e parë që ndodhin konflikte në stacionin e furgonëve, sidomos me shoferët e Kamzës, të cilët janë kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për zonën. Shpeshherë policia bashkiake dhe ajo e qarkullimit rrugor kanë marrë masa për largimin e shoferëve nga kjo zonë, por në mungesë të një stacioni të mirëfilltë për ta, ata janë lejuar sërish të vazhdojnë punën.