“Shumë pak gjë e ndan krahun e qeverisë me opozitën për të hapur dritën në tunelin e një krize”


 Kryesocialisti Rama ka deklaruar se PS-ja nuk ka emra konkretë kandidatësh për President të ri, pasi sipas tij ekskluzivitet për momentin është procesi. Ndërkohë që është shprehur i gatshëm të ulet në bisedime me PD-në për arritjen e një konsensusi, pavarësisht nivelit të negociatorëve. Në një komunikim me gazetarët, duke lidhur hapjen e tunelit të Krrabës dhe deklaratës së Berishës me akuza për PS-në, Rama ftoi kryeministrin të çelë dhe tunelin për zgjedhjen e Presidentit. “Unë vazhdoj të besoj se mundësia për konsensus është shumë afër, se pikëtakimi mes qeverisë dhe opozitës në funksion të konsensusit është afër.


Dhe padashur të përqendrohem sot tek gënjeshtra në fjalimin e Berishës pasi hapi tunelin mes Tiranës dhe Elbasanit, dëshiroj të shoh anën pozitive dhe them se ashtu sikundër ky tunel, shumë pak gjë e ndan krahun e qeverisë me opozitën për të hapur dritën në tunelin e një krize që duhet të mbajë procesin dakortësimit dhe për ato 3 momentet e tjera të nënvizuara, por jo të shpikura prej nesh, por të vendosura nga familja europiane”, u shpreh shefi i opozitës.


Më tej Rama u shpreh se PS-ja nuk po bën asnjë llogaritje dhe lojëra, pasi e konsideron zgjedhjen e Presidentit si çështje kombëtare, me të cilën është e lidhur marrja e statusit për në BE. “Ky është qëndrimi ynë, dhe u themi të gjithë atyre që nga dëshira e mirë që duan të mbështesin me komente publike se ky është fokusi ynë, kjo është çështja për ne dhe ky është vullneti. Nuk jemi në këtë proces asnjë tundim dhe asnjë arsye të shfokusohemi nga qëllimi i madh ynë kombëtar, nuk bëjmë kalkulime dhe lodra që unë personalisht i konsideroj tërësisht jashtë misionit të PS”, tha Rama.


9 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)