Nuk ka të sosur odiseja e 180 turistëve shqiptarë që u braktisën në Sharm el Sheikh nga agjencia turistike ‘Pasha Holiday’, e cila nuk u siguronte atyre kthimin në atdhe pas pushimeve të prenotuara pranë saj.
Dy ditë më parë, turistët kërkuan ndihmën e medias për të denoncuar agjencinë turistike shqiptare pranë të cilës kishin paguar për të kaluar pushimet në Egjipt, ndërkohë që pas shoqërimit në polici, pronarja e kësaj agjencie deklaroi se kishte shpallur falimentin, prandaj nuk mund t’u siguronte dot kthimin në atdhe turistëve.
Pas denoncimit të rastit, kompania ajrore “Belle Air” u tregua e gatshme të bënte transportimin nga Egjipti të turistëve shqiptarë, pushimet e të cilëve duhet të mbaronin ditën e sotme, por ndërkohë mësohet se 15 prej turistëve mbahen peng në një hotel në Sharm El Sheik, pasi nuk u është bërë pagesa për ditët që kanë qëndruar atje. Turistët pretendojnë se janë rrethuar nga policia egjiptiane, e cila nuk i lejon të nisen për në aeroport, ke pritet të mbërrijë avioni i kompanisë “Belle Air”, që do të rikthejë 180 turistët e bllokuar në Shqipëri.
Sipas informacioneve të fundit, turistët po mbahen të mbyllur në hotelin “Laguna Vista”, pasi pronari i tij u kërkon atyre të paguajnë 5 mijë dollarë më shumë.
Të ndodhur në vështirësi dhe pa pasur burime financiare për shkak të braktisjes nga agjencia që u kishte organizuar udhëtimin, turistët kontrollohen nga policia.
Nga ana tjetër, përfaqësues të agjencisë “Pasha Holiday” deklarojnë se turistët e kanë paguar hotelin që në ditën e parë që mbërritën në Egjipt.
13 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)