Hetimet për shitblerjen e votave, ku dyshohet si i përfshirë edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, duket se kanë marrë një tjetër rrjedhë. Burime konfidenciale të Gazetës Shqip Online, bëjnë me dije se dosja “339” është ndarë në dy pjesë.


Një nga këto dy dosje, tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve, i vetmi zyrtar që ka mbërritur në gjykatë për blerjen e votave, është ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve.


Ndërkohë në dosjen e mbërritur në gjykatë nuk është emri i kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili përflitet për një rol aktiv të tij në shitblerjen e votave.


Megjithatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të vijojë me marrjen e deklarimeve të personave të tjerë që kanë dalë në përgjime në dosjen e njohur e njohur me numrin “339”.


Marrja në pyetje për këtë dosje nisi të enjten me kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, i cili është pyetur për gati 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke dhënë shpjegime lidhur me hetimin që ka nisur akuza për dosjen 339/1. Dako është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe jo si person nën hetim.


Mësohet se ai ka treguar rrethanat e njohjes me Avdylajt dhe persona të tjerë që janë përgjuar nga Prokuroria.


Çfarë përmban dosja “339”


Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje.


Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregonin se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017. Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregonte përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.


Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikonte me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.


Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.


Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka pranuar në një intervistë televizive se dosja “339” është akoma e pazbardhur dhe se ajo përmban rreth 700 CD për të mësuar detaje dhe të pathëna.


Gazeta Shqip