Ndër shumë të shkarkuarit nga vettingu është edhe prokurori Dritan Rreshka. Në korrikun e vitit të kaluar ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës nuk u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, sepse, sipas trupës gjyqësore nuk justifikonte të ardhurat për një vilë në ndërtim e sipër.
Në fakt bëhet fjalë për një vilë mbi qytetin Studenti, e cila është e legalizuar, por ende e pambaruar dhe mbi të gjitha nuk është vetëm pronë e Dritan Rreshkës, por edhe e vëllait të tij, emigrant prej vitesh në Greqi.
Por, gjithsesi, vetë Rreshka nuk kishte asnjë shqetësim, sepse priste që të paktën shkalla e dytë e vettingut të merrte në konsideratë faktin që vila, e cila nuk duket fare si e tillë ishte edhe në bashkëpronësi me të vëllain dhe mbi të gjitha ende e papërfunduar dhe kjo për mungesë të të ardhurave.
Por, atëherë kur nuk e priste, Dritan Rreshka merr goditjen përfundimtare nga Komisioni i Pavarur të Apelimit, duke e përjashtuar përfundimisht nga radhët e Drejtësisë.
Gazeta SHQIP disponon fotot e asaj mbi të cilën Komisioni i Pavarur I Kualifikit dhe Komisioni i Posaçëm i Apelit morën vendimin ekstrem, atë të largimit nga detyra të prokurorit Dritan Rreshka.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, anëtarë, arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Dritan Rreshka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë ndaj në mënyrë unanime anëtarët kanë vendosur përjashtimin e tij nga sistemi i Drejtësisë.
E gjithë kjo hedh hije të forta dyshimi për proçesin e vettingut. Ose të vepruarit me standard të dyfishtë. Sepse, shkarkimi i Rreshkës për një vilë ende në ndërtim e sipër dhe mosmarrja parasysh e fakteve që janë provë e vërtetë vënë në diskutim serioz të gjithë procesin.
Dhe pikërisht për këtë arsye, shumë prej të shkarkuarve me pa të drejtë janë drejtuar në Strasburg dhe deri më tani nuk janë pak ata që janë ankimuar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Një prej tyre do të jetë në ditët në vijim edhe prokurori Dritan Rreshka.
Nëse Dritan Rreshka, apo të tjerë prokurorë e gjyqtarë që njihen të ndershëm e korrektë në publik janë drejtuar në Strasburg, gjasat janë të dalin fitues, sepse nëse do ishte e kundërta, as ata vetë nuk do e bënin një hap të tillë.
Ashtu sikur ka edhe prokurë e gjyqtarë që janë larguar me dëshirën e tyre nga procesi i vettingut. Ata kanë dhënë dorëheqjen të bindur në ndërgjegjen e tyre se nuk do të mund të kalonin për të gjitha "zullumet" në Drejtësi.
Gazeta SHQIP