Foto Ilustriese


Arvenola Petrika Kume i pati shpëtuar drejtësisë për shumë vite.


Policia italiane i dorëzoi autoriteteve shqiptare pasditen e sotme një të dënuar në arrati për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, njoftoi Policia e Shtetit.


“Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, sot u krye ekstradimi nga Milano, Itali drejt Shqipërisë, i shtetases shqiptare Arvenola Petrika Kume, vjeç 38,  lindur në Elbasan,” – thotë policia.


Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, me të datës 25 shtator 2003, e ka dënuar me 7 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 114/a, pika 4, 5, i Kodit Penal.


E ekstraduara Arvenola Kume, gjatë periudhës nëntor-dhjetor 1999 ka shfrytëzuar për prostitucion në Padova,Itali, shtetasen Dh. H., duke e kërcënuar atë në mënyra të ndryshme.


“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i saj me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, më datë 1 nëntor 2011, në Itali. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasja Arvenola Kume i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,” vijon më tej deklarata e policisë.


29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)