Zlatomir-Ivanov-aka-Zlatko-BaretataPartia Socialiste e Bullgarisë në opozitë kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Boyko Borisov duke e akuzuar qeverinë e tij si të paaftë për të garantuar rendin publik në vend, pasi në derën e gjykatës një atentat i stilit mafioz tentoi t’i merrte jetën një bosi të njohur krimi në Sofie. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Novinite.


“Zotërinj, ju duhet të dorëhiqeni,” tha Atanas Merdzhanov nga partia socialiste në parlament kur lexoi deklaratën e partisë së tij.


“Shoqëria është e tronditur nga ky atentat brutal mbi jetën e njeriut, për të drejtën për të jetuar që duhet të gëzohet nga çdokush, pavarësisht statusit të tyre ligjor, shoqëror apo personal,” tha ai.


Zlatomir Ivanov dhe truprojat e tij u qëlluan me armë dhe u plagosën te dera e gjykatës në Sofie të martën. Ivanov, 44 vjeç, u plagos rëndë, por mbijetoi; ai u sulmua nga një snajper ndërsa po hynte në gjykatë për apelin e një vendimi që e ka dënuar me tetë vjet burg për trafik droge.


Dyqanxhinjtë dhe punonjësit e zyrave e panë sulmin që siç duket u ekzekutua nga ndonjë tarracë aty pranë.


Medzhanov vërejti se atentati u krye vetëm pak metra larg vendit ku kryeministri Borisov po hante një drekë pune me dhomën amerikane të tregtisë në Bullgari.


“Ky është një sulm i hapur ndaj themeleve demokratike të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve dhe ka hedhur një hije mbi pamjen Europiane të Bullgarisë,” thanë socialistët.


Atentati shikohet si n jë fakt i mëtejshëm se vendi më i varfër anëtar i BE-së është përplot me krim të organizuar. Ambasadorja amerikane në Bullgari Marcie Ries, e cilësoi atentatin si shumë shqetësues. “Dhuna nuk është kurrë një përgjigje,” tha ajo.


Bullgaria ka një histori të bollshme grupimesh kriminale që në shumicë kanë lindur nga shpërbërja e shërbimeve sekrete të kohës së Komunizmit. Policia sekrete komuniste në këtë vend, përveç eliminimit të kundërshtarëve të regjimit, kryente një volum të madh trafiku mallrash të ndryshme, trafik që filloi të kryhej privatisht nga të njejtët njerëz pas rënies së Komunizmit.