Një krim i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës. Shefi i komisariatit të Shijakut është ekzekutuar me armë zjarri tip kallashnikov nga persona ende të panjohur. Sipas informacioneve paraprake, atentati ndaj Adem Tahirajt ndodhi Katund-Sukth, kur kryekomisari ishte duke kryer detyrën e tij gjatë një kontrolli policor.
Mësohet se kryepolici kishte ndalur një automjet duke e kontrolluar, kur është qëlluar me armë zjarri automatike, për pasojë është plagosur edhe një e moshuar kalimtare, e identifikuar si Elena Ndokaj, 64 vjeçe cila është në gjendje shumë të rëndë në Spialin Ushtarak të Tiranës. Ndërsa polici që shoqeronte shefin e komisariatit ështe në gjendje shoku ne spital.
Forca të shumta policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në Katund-Sukth pranë një kompleksi privat. Forcat e RENEA-s janë përfshirë në aksion dhe kanë rrethuar gjithë zonën.
Ndërkohë, pak minuta pas ngjarjes policia ka gjetur një makinë të braktisur, tip ‘Benz’ VG 140 HG, pranë vendit ku ndodhi vrasja, që dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes. Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit A.XH. dhe I.XH., të dyshuar si autorë të atentatit ndaj Tahirajt, identiteti i plotë i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.
Adem Tahiraj ka lindur në vitin 1963, në Kërnajë të Tropojës, ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Prej 20 vitesh, kryekomisar Tahiraj shërbente në radhët e policisë së shtetit.
Si rezultat i përkushtimit profesional ka përmbushur me sukses detyra të vështira në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë në vitin 2008 ka fituar dhe gradën Kryekomisar.
Policia: Autorët janë identifikuar, RENEA në aksion për kapjen e tyre
Në një komunikatë për shtyp, policia e shtetit konfirmon vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj, i cili është goditur me armë zjarri automatik gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, sipas njoftimit të policisë, pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Ndërkohë, edhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës gjenden në vendin ku ndodhi krimi i rëndë dhe vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve.
13 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)