E veshur me një fustan të zi, Elhaida Dani shkëlqeu dje teksa interpretoi përkrah Cocciante-s dhe konkurrentit tjetër, Mattia Lever, një këngë të Minas. Me kodin nr. 2 Elhaida këndoi këngën “I believe I can fly”. Në videon prezantuese para se të interpretonte, këngëtarja kujtoi interpretimin e një jave më parë ku i gjithë publiku u ngrit në këmbë “Kur pashë publikun që ishte ngritur i gjithi në këmbë fillova të qaj”, tha ajo. Më pas këngëtarja i tha mentorit të saj Cocciante se këta muaj e kishin bërë më të fortë e të kishte më shumë besim në aftësitë e saj. “Unë erdha në këtë konkurs vetëm. Është hera e parë që dal jashtë vendit tim”, tha ajo. Juria e vlerësoi interpretimin e saj. “Ajo është një këngëtare që krijon atmosferë. Ajo nuk është vetëm një këngëtare e mirë, por dhe një interpretuese e zonja”, tha Noemi. Në momentin e përzgjedhjes së një prej dy konkurrentëve të skuadrës së tij, Elhaidës apo Mattia-s, Cocciante e shkroi në letër të përzgjedhurin e tij për në finale. Emri i shkruar nga Cocciante ishte Elhaida Dani. Këngëtarja shqiptare ka marrë dhe votat e publikut duke kaluar kështu si finaliste e “The Voice of Italia” . “Ishte një zgjedhje e momentit, megjithëse gjithnjë kam menduar se Elhaida ka diçka magjike kur këndon. Mattia është ende i ri dhe me talent, dhe e ka rrugën e karrierës përpara”, tha Cocciante. Në skenën e “The Voice of Italy” kanë kënduar dje për të përshëndetur gjysmëfinalen Zucchero, Bob Sinclar, Will. I. Am dhe Robin Thicke.