elisa spiropaliKryetarja e Forumit Rinor Eurosocialist, Elisa Spiropali, ka shprehur keqardhjen për mospërfshirjen e të rinjve socialist në parlamentin e ardhshëm. Ajo ka komentuar në rrjetin social “Faceook” se nuk është në politikë për tu vënë dhe hequr nga listat e deputetëve, por për qëllime më të larta.


“Unë Elisa Spiropali nuk jam në politikë për ta kaluar kohën duke pritur të më heqin a vënë emrin nëpër lista.


Prezenca ime në politikë, në krahun e majtë të politikës, në krahun e progresit, në Partinë Socialiste, buron nga vetëdija dija ime dhe s’ka lidhje me pritje, kulisa apo lista. Unë jam në politikë për qëllime të larta; Për idetë, për bindjet, në dobi të progresit dhe begatimit që nuk do t’i ndryshoj deri sa të kem frymë.


Ajo që unë kam mësuar nga Ju të dashur Miq anembanë Shqipërisë në këto 4 vite angazhimi, është se nuk ka gjë më frymëzuese se sa afrimi me njerëzit dhe marrëdhëniet e vërteta me ta. Unë ndjej se kam bërë shumë rrugë drejt zemrave Tuaja. Ky fakt është për mua një frymëzim i pashtershëm.


Si Kryetare e FRESSH-it, duke kërkuar, aq sa më përket, ndjesë që FRESSH nuk do përfaqësohet në Parlamentin shqiptar, shpreh keqardhjen dhe indinjatën time për faktin se mijëra të rinj idealistë, dinjitozë, seriozë, atyre vete u është ngushtuar hapësira për të garuar dhe përfaqësuar, dhe as nuk do kenë model te tyre përfaqësimi në Parlament përmes angazhimit dhe kontributit. Lejomëni tu them gjithashtu, se e ndjej për detyrë që shumë shpejt të vij aty ku jeni Ju miqtë e m’i të panumërt anembanë Shqipërisë. Për t’ju shprehur mirënjohjen time për bashkëpunimin që kemi pasur për të çrrënjosur sistemin e urryer klientelist, arrogant dhe korruptiv që ka kapur për fyti Shqipërinë tonë në çdo qelizë të saj, si dhe për ta çuar më tej këtë betejë të mundimshme por jo të pamundur.


Së fundmi dua tu them atyre qindra e qindra shqiptarëve të mirë e të urtë të panjohur që s’di se si kanë gjetur numrin e telefonit tim për të më shprehur mbështetjen. Ju siguroj se edhe sikur vetëm njëri prej te panjohurve të më kanë shkruar aq njerëzisht, lodhja ime do j’a kishte vlejtur. Kurajo të gjithëve. Për Shqipërinë ditë më të mira paskëtaj vijnë”, shkruan Spiropali në “Facebook”.


7 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)