kavaje-elvis-roshi (1)Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka reaguar pas vendimit të gjykatës së Kavajës, që e cilësoi arrestimin e tij të paligjshëm.


Roshi thotë se arrestimi i tij ka qenë politik, ndërsa akuzon Flamur Nokën dhe Agron Kuliçajn, se me urdhër të kryeministrit Berisha e survejojnë vazhdimisht.


“Në radhë të parë i kërkoj ndjesë gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që u shqetësuan nga kjo ngjarje e zmadhuar qëllimisht, ku unë u vendosa në qendër të vëmendjes publike pa dëshirën time. Së dyti, i kërkoj ndjesë të gjithë qytetarëve të Kavajës për përgojimin e jashtëzakonshëm të emrit tim, si i zgjedhur me votën e tyre.


Unë nuk kam ushtruar asnjë lloj dhune mbi trajnerin e Tiranës, për të cilin kam pasur dhe do të kem respekt si ish-futbollist i shkëlqyer i kombëtares dhe si përfaqësues i një skuadre mike në Kavajë. Kam zbritur poshtë për të qetësuar gjakrat e ndezur nga një gjest i nxituar i trajnerit të Tiranës dhe nuk kam pasur asnjë lloj arsye tjetër.


Por megjithatë, nuk ndjehem mirë që i dhashë sebep sado të vogël atyre që nuk i zë gjumi që nga 8 maji 2011, nga dëshira për të më bërë keq. Konkretisht Sali Berishës, i cili përmes Flamur Nokës dhe Agron Kulicajt ka organizuar forca të tëra survejimi e provokimi ndaj meje.


Është e qartë që Sali Berisha nuk e gëlltit dot faktin që Kavaja e përzuri me votë në 8 maj, pas 20 vjetësh premtimesh të pambajtura. Ai kërkon të hakmerret me çdo kusht me Kavajën, por në fakt ai me Kavajën nuk lahet gjithë jetën. Ka marrë votat për 20 vjet me radhë dhe madje ka premtuar edhe sjelljen e detit në Kavajë.


Ndërsa unë i premtoj se më 23 qershor Kavaja do të fusë në hesapin e ndëshkimit me vote edhe burgosjen time kriminale, që kishte vetëm qëllim politik. Në 23 qershor Sali Berisha do të mësojë përfundimisht se Kavaja nuk harron asgjë dhe se nga Kavaja ai dhe PD-ja nuk kanë çfarë të marrin, përveç ndëshkimit të merituar për 20 vjet tallje dhe poshtërime”, ka deklaruar Roshi.


Gjykata liron Elvis Rroshin: Arrestimi, i paligjshëm


Gjykata e Kavajës ka lënë të lirë kreun e bashkisë, Elvis Rroshi gjatë seancës së zhvilluar pasditen e sotme. Në vendimin e saj gjykata e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e Rroshit, ndaj  ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.


Ndërkohë, prokuroria kërkoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje ndaj kreut të bashkisë së Kavajas Elvis Rroshi.


Gjatë seancës së sotme, të zhvilluar në kushte të larta sigurie, prokurori deklaroi se Rroshi akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe kanosje ndaj trajnerit të ekipit të Tiranës, Nevil Dede.


Prokuroria ka paraqitur dhe një raport mjeko-ligjor ku tregohet se Dede për goditur, por kjo është hedhur poshtë nga mbrojtja.


Avokati i Rroshit, Plarent Ndreca e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e klientit të tij dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.


Ndërkohë dhjetëra qytetarë të Kavajës ishin mbledhur jashtë ambienteve të gjykatës në pritje të dhënies së vendimit të kësaj të fundit për masën e sigurisë ndaj Rroshit, duke brohoritur pro tij dhe duke hedhur fishekzjarrë.


Kryebashkiaku i Kavajës u arrestua të dielën në mbrëmje, pas denoncimi të trajnerit të ekipit të Tiranës, Nevil Dede se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij.


Elvis Roshi transportohet për në Kavajë, pritet masa e sigurisë


Kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi lë dhomat e izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe është transportuar për në Kavajë, ku do të paraqitet në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë.


Roshi akuzohet për kanosje dhe goditje për shkak të detyrës ndaj trajnerit të Tiranës, Nevil Dede, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe për mosbindje ndaj urdhërit të uniformave blu.


Drejtoria e policisë së Tiranës, përmes një njoftimi, deklaroi se kryebashkiaku i Kavajës dyshohet të ketë konsumuar 3 vepra penale. Tashmë pritet vendimi i gjykatës për të mësuar, nëse Roshi do të mbetet në burg apo do të ndiqet nën masa të tjera sigurie.


12 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)