Shpresa Mezini



Situata e krijuar në të gjithë vendin për shkak të zjarreve që nuk po ndalen përpara asgjëje, po kthehet në një kërcënim të pashoq. E ndërsa gjendja paraqitet alarmante, si pasojë e flakëve që duket sikur po përpijnë vendin, përveç zjarrfikësve dhe mjeteve të tjera të transportit, shërben edhe një helikopter, tip kamov, i dhuruar nga Republika e Turqisë. Leopard Olli, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme sqaron për gazetën “Shqip” se kapaciteti i këtij helikopteri është i mesëm, ndërsa thekson se qeveria shqiptare nuk ka paguar para për mbërritjen e tij në vendin tonë. Kjo, sipas tij, për shkak të marrëveshjes bilaterale që shteti shqiptar ka me shtete të tjera, që në raste emergjencash ofrojnë ndihmën e tyre.


“Shteti shqiptar mban përgjegjësi vetëm për akomodimin, ushqimin e pilotëve dhe karburantin që shpenzon mjeti. Në 1 orë fluturim helikopteri shpenzon rreth 700 litra karburant, ndërsa një kovë e derdhur prej tij për të shuar flakët mban 4 mijë litra ujë”, sqaroi Olli. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, në një deklaratë për shtyp raportoi mbi situatën e zjarreve në vend. Ndërsa deklaron të dhënat e regjistruara deri pasditen e djeshme, Olli tha se shumica e zjarreve janë shkaktuar nga dora e njeriut. “Deri tani janë arrestuar 55 persona dhe materialet hetimore i kanë kaluar organeve të drejtësisë”, deklaroi zëdhënësi.


Sipas tij, masat paraprake dhe ato të mëparshme, të marra nga strukturat shtetërore, kanë bërë që shumica e zjarreve të lokalizohen dhe të shuhen që në fillim.


“Aktualisht numërohen 33 vatra aktive zjarri, ku po vijojnë operacionet nga ajri dhe toka për shuarjen e plotë. Shumica e zjarreve janë në lartësi malore, ku ndërhyrja është e pamundur”, sqaroi zëdhënësi. Olli iu përgjigj edhe akuzave të opozitës ndaj organeve shtetërore, duke theksuar se opozita nuk e njeh realitetin në terren.


Prej ditësh Ministria e Brendshme, strukturat e saj, së bashku me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mjedisit janë angazhuar në përballimin e situatës së zjarrvënieve në të gjithë territorin e vendit. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, rezulton se në shumicën dërrmuese të rasteve, vatrat e zjarrit janë shkaktuar nga dora e njeriut dhe se aktualisht 55 autorë të dyshuar janë kapur dhe dërguar para organeve të hetimit dhe drejtësisë.


“Operacionaliteti dhe efikasiteti i masave paraprake, si edhe masave të marra sapo janë shfaqur vatrat e zjarrit, kanë bërë të mundur që nga mbi 300 vatra zjarri të shfaqura në total, secila prej tyre është lokalizuar që në momentin e parë, është izoluar dhe është shuar. Sot, në të gjithë territorin e vendit numërohen vetëm 33 vatra aktive zjarri, të cilat jo vetëm janë nën kontroll të plotë, por vijon puna me operacione nga ajri dhe toka për fikjen e plotë të tyre”, thuhet në njoftim. Sipas tij, ky numër vatrash vjen vetëm prej faktit se shumica prej tyre ndodhen në lartësi të mëdha, në zona shumë të thepisura malore, ku ndërhyrja me mjete zjarrfikëse dhe forca nga terreni ka qenë shumë e vështirë.


“E ndërsa vendet fqinje, por edhe vende të tjera europiane janë përfshirë nga situata dramatike zjarresh, të cilat kanë shkaktuar edhe viktima, në Shqipëri nuk ka pasur deri më sot asnjë dëm në pasuritë e qytetarëve dhe për më tepër nuk kemi asnjë humbje në jetë njerëzore. Gjatë këtij viti, në raport me një vit më parë, jemi në një situatë 30 për qind më të lehtë”, saktësohet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.


 


Helikopteri


Shteti shqiptar mban përgjegjësi për akomodimin, ushqimin e pilotëve dhe karburantin që shpenzon mjeti. Në 1 orë fluturim helikopteri shpenzon rreth 700 litra karburant


 


 


Korçë


Zjarret, rrezikohet parku i Bozdovecit dhe pyjet e Voskopojës


Vatra të shumta zjarresh, që janë shfaqur këtë fundjavë, rrezikojnë pyjet e parqeve kombëtare në rajonin e Korçës.


Të paktën 7 vatra zjarresh regjistrohen në dy ditët e fundit dhe janë akoma aktive në pyjet e zonës së Korçës, ku, me gjithë ndërhyrjet, nuk është bërë e mundur asgjë dhe vetëm ndihma emergjente me helikopter nga ajri për të neutralizuar me ujë disa nga këto vatra zjarri më të rrezikshme, ka qenë shpresa e vetme e vënies nën kontroll të zjarreve. Pyje që përfshihen në zonat e parqeve kombëtare si ai i Bozdovecit apo edhe zona e gjelbëruar e fshatit Voskopojë, që njihet si një nga qendrat më të rëndësishme turistike malore në rrethin e Korçës, këto ditë janë vënë nën kërcënimin e zjarreve, që nuk dihet akoma se si janë shtrirë dhe si janë përhapur me kaq shpejtësi. Edhe pse janë kryer afro 5 ndërhyrje nga ajri në pyjet pranë fshatit Voskopojë dhe më shumë se 5 të tilla në pyjet që përfshihen në parkun kombëtar të Bozdovecit, me një helikopter, që ka qenë mundësia më e madhe e neutralizimit të këtyre vatrave të zjarreve në këto zona turistike, përsëri nuk është arritur që të shmangen dëmet, të cilat ende nuk janë llogaritur, për sa i përket shkrumbimit të sipërfaqeve të gjelbra pyjore në këto zona. Prefekti i Korçës, Andrea Mano, në një prononcim për shtyp, raportoi mbi gjendjen e krijuar nga rënia e zjarreve në pyjet e rajonit të Korçës, duke pohuar faktin se vetëm prej ndërhyrjes nga ajri me helikopter mund të arrihet të shuhen apo të lokalizohen disi disa vatra zjarri në pyllin pranë Voskopojës dhe në parkun kombëtar të Bozdovecit. Mano shtoi se edhe ndërhyrja emergjente me helikopter do të kryhej deri në orët e mbrëmjes së ditës së hënë dhe më tej nuk dihet se si do të veprohet, nëse këto vatra të shumta zjarri janë ende aktive. Dhjetëra e dhjetëra hektarë pyje janë prekur apo rrezikohen nga zjarret në rajonin e Korçës, por edhe në këtë zonë Juglindore, ato që rezultojnë më të dëmtuara janë parqet kombëtare apo zona të njohura turistike. Pikërisht kjo përhapje zinxhir e zjarreve në parqet kombëtare apo në zonat turistike, si Voskopoja, ka vënë në lëvizje jo vetëm shërbimin pyjor, komunitetin vendas, por edhe policinë dhe struktura të tjera shtetërore, për të hetuar mbi shkaqet e rënies së këtyre zjarreve, që në më të shumtën e tyre dyshohen si të qëllimshme.


Policia e Korçës bëri të ditur se ka ndaluar dy persona që dyshohet se kanë shkaktuar zjarrëvënie të qëllimshme në pyjet pranë fshatit Voskopojë, ku sipas të dhënave, nga përhapja e flakëve në kurorën e pishave pranë këtij fshati rrezikohen edhe banesa. Nga burime të Policisë së Korçës mësohet se është kërkuar nga Prefektura që, pasi të arrihet kontrolli mbi këto vatra zjarresh, që shtrihen që nga pyjet e Bozdovecit, në rrethin e Devollit dhe në fshatin Voskopojë, të kryhen hetime intensive për shkakun e këtyre zjarreve, që regjistrojnë një numër shumë të madh dhe të menjëhershëm në krahasim me vite të kaluara. G.Ashimi


 


Olli


300 ha sipërfaqe e djegur, problem piromanët


Shqipëria vazhdon të jetë e përfshirë nga zjarret e shumta. Gjatë paradites së djeshme, në vend u regjistruan sërish 33 vatra zjarri. Sipas të dhënave, situatë më problematike shfaqet në Qarkun e Korçës, ku janë dërguar për ndihmë helikopterë të huaj.


Kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli i bën thirrje njësive vendore, të cilat janë përfshirë nga zjarret të ndihmojnë forcat e zjarrëfikseve, pasi sipas tij një pjesë e madhe mbetet ende apatike. “Ka edhe komuna, drejtues komunash dhe bashkish, të cilët nuk e kanë marrë parasysh bashkëpunimin. Kjo është shumë e vështirë për ne, se, kur ka angazhim, është një ndihmë e madhe edhe për ne”, tha Olli. Në total, që nga data 15 korrik i këtij viti e deri sot, është djegur një sipërfaqe prej 300 hektarësh, kryesisht pyll. E megjithatë, kreu i Emergjencave Civile, thekson se kjo shifër është më e vogël në krahasim me vitet e kaluara.


“Deri tani, nga 15 korriku deri më sot kemi pasur rreth 150 zjarre në të gjithë territorin e vendit. Në qarqet që kanë qenë më të prekura dhe që ne i përmendëm, mund të jenë rreth 300 hektarë sipërfaqe e djegur”, sqaroi Olli. Ndonëse deklaron se dëmet e sivjetshme janë të vogla, nuk nguron të denoncojë se këtë vit shqetësues janë piromanët. Në të gjithë vendin janë ndaluar shumë prej autorëve të zjarrvënies, por problem është ndëshkimi i tyre ligjor dhe financiar për të frenuar këtë fenomen.