
Në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar KQZ-së nisjen e procedurave për heqjen e mandatit të për kryetarit të Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi dhe të Poliçanit Adriatik Zotkaj.
Këtë e ka konfirmua vetë kreu i akuzës Adriatik Llalla, i cili konfirmoi se ka nisur procedimi për falsifikim dokumentesh ndaj tyre.
“Kemi kërkuar t’u hiqet mandati dy kryetarëve bashkish, – tha Llalla. – Bëhet fjalë për Tërmet Peçin në Tepelenë dhe Adriatik Zotkajn në Poliçan. Procesi i dekriminalizimit duhet të zbatohet para nisjes së fushatës zgjedhore”.
Ndërkohë, fenomeni i kanabizimit vijon të jetë shqetësues në qarkun e Gjirokastrës dhe këtë e ka pranuar vetë kryeprokurori Adriatik Llalla.
Në një analizë pune në këtë qytet, kreu i organit të akuzës, ka thënë se është i domosdoshëm bashkëpunimi me policinë për të goditur rastet e trafikut të drogës.
“Shqetësuese në qark vijon të mbetet kultivimi lëndëve narkotike. Fenomeni nuk ka marrë zgjidhje, dhe është i domosdoshëm bashkëpunimi me policinë. Është rritur kultivimi i narkotikëve dhe kjo tregon që bashkëpunimi me policinë nuk është në nivelet e duhura”.
Llalla shtoi se zyrtarët e inkriminuar duhet të dalin para drejtësisë. “Numri i referimeve për korrupsion është i ulët, zyrtarët e korruptuar duhet të ndëshkohen”, – shtoi ai.
13 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)