Kongresmeni
“KQZ duhet të punojë në përputhje me ligjin”
Fatjona Mejdini
Kongresmeni amerikan i Nju Jorkut, Eliot Engel, bëri dje të qartë se në rast se zgjedhjet shqiptare të 23 qershorit do të manipuloheshin, atëherë reputacioni i Shqipërisë në sytë e SHBA-së do të ‘binte përtokë’. Në një intervistë për agjencinë INA, Engel, i lidhur me Shqipërinë dhe për shkak se një pjesë e votuesve të tij në SHBA janë shqiptaro-amerikanë, thekoi se reputacioni i Shqipërisë në këtë rast do të ulej dhe përpara Bashkimit Europian. I njohur për qëndrimet e tij dashamirëse dhe ndaj Kryeministrit Berisha, kësaj radhe Engel nuk harroi të theksonte fort se palët duhet të bënin zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse tani ‘e gjithë bota po i shikonte’. Në qëndrimin e tij, kongresmeni, që i përket Partisë Demokrate të Presidentit Obama, e vuri theksin te nevoja për një rezultat të pastër elektoral, larg mashtrimeve dhe manipulimeve, si një garanci se vendi ishte demokrat dhe kërkonte një të ardhme të përbashkët me aleatët e tij, si SHBA-ja dhe BE-ja. Ai u kujtoi palëve politike në vend, se tashmë vendi është anëtar i NATO-s dhe aspirant në Bashkimin Europian, duke bërë që përgjegjësitë për zgjedhje të lira të rriteshin edhe më shumë.
“Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, të mos ketë mashtrime apo manipulime dhe procesi zgjedhor të jetë i pastër. Unë kam qenë në Shqipëri në të kaluarën, kur atje janë mbajtur zgjedhjet dhe isha shumë i kënaqur me ata shumë njerëz që merrnin pjesë në demokraci. Gjithkush është duke monitoruar dhe ndjekur nga afër zgjedhjet në këtë shtet. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe unë mendoj se zgjedhjet e lira dhe të pastra do ta ndihmonin anëtarësimin e shtetit edhe në Bashkimin Europian, e kundërta nuk do të ishte lajm i mirë, sepse e gjithë bota është duke vëzhguar”, deklaroi Engel, duke shtuar më pas se monitorimi i procesit nga partnerët do të ishte shumë i lartë. Kongresmeni i Nju Jorkut, familjar me zhvillimet politike në Shqipëri, nuk preferoi të përfshihej në detaje për sa i përket situatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, më shumë se përbërja e këtij komisioni, një rëndësi të veçantë kishte që anëtarët e tij të zbatonin ligjin, në mënyrë që procesi të ishte i lirë dhe i ndershëm. “Nuk më intereson shumë se kush është në komision, por komisioni duhet të bëjë punën në pajtim me ligjet në fuqi që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, theksoi përfaqësuesi i Nju Jorkut në Kongresin amerikan. Vëmendja e partnerëve të Shqipërisë në SHBA është rritur ndjeshëm për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kjo, për shkak të problematikës që proceset shqiptare zgjedhore kanë pasur dy herët e fundit, në qershorin e 2009-s dhe majin e 2011-s. Në frymën e nevojës urgjente për të pasur zgjedhje të pa manipuluara më 23 qershor, të hënën në Uashington, Komisioni amerikan i Helsinkit do të ketë një seancë dëgjimore të posaçme për Shqipërinë, për zgjedhjet e 23 qershorit, nisur nga fakti se situata parazgjedhore në vend paraqitet si problematike. Ky komision, i drejtuar nga kongresmeni amerikan, Christopher Smith dhe senatori amerikan, Benjamin Cardin, ka një rëndësi të madhe për jetën politike në vend. Në seancën dëgjimore do të flasin edhe Philip Reeker, zv.asistentsekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gilbert Galanxhi, ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elez Biberaj, drejtor i divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës” dhe Besa Shahini, analiste pranë Iniciativës për Stabilitetin Europian.
Reeker – Zyrtari i lartë i DASH-it, Philip Reeker, do të jetë prezent në takimin e 6 majit në Kongresin amerikan
Arvizu – Ambasadori amerikan, me tone alarmuese, deklaroi pak ditë më parë se situata në KQZ nuk ishte aspak normale dhe se palët politike duhet ta zgjidhin sa më shpejt të jetë e mundur
Ngërçi
Asnjë marrëveshje për KQZ-në 51 ditë para zgjedhjeve
Në një kohë kur vendin e ndajnë 51 ditë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk janë duke zhvilluar asnjë përpjekje për bashkëpunim për nevojën e riformatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky komision aktualisht është vetëm me katër anëtarë, për shkak se tre anëtarët e tjerë kanë dhënë dorëheqjen, në shenjë solidariteti për një zëvendësim të konsideruar të paligjshëm të anëtarit të LSI-së në këtë komision. Por ajo që partitë kanë shkëmbyer deri tani për zgjidhjen e kësaj çështjeje, kanë qenë deklaratat nga foltoret politike. Momentalisht nuk ka asnjë negociatë mes palëve për zgjidhjen e kësaj situate, nisur nga fakti se koalicioni i majtë kërkon riformatim të institucionit dhe e djathta e Berishës vetëm zëvendësimin e tre anëtarëve.