"Njeri i Vitit" është një nga rubrikat tradicionale të gazetës "Koha Jonë", ku në fund të çdo muaji dhjetor lexuesit japin vlerësimin për personalitetet që kanë lënë më shumë gjurmë në jetën publike. 2019-ta ishte një nga vitet më të ngjeshura me ngjarje, ku emra të veçantë të jetës publike kanë spikatur.
Lista e personaliteteve është e gjatë, por në fund, lexuesit e "Koha Jonë" kanë vendosur që çmimin për katër kategori të veçanta ta fitojnë:
Albin Kurti si POLITIKANI I VITIT
Eni Vasili si MODERATORE E VITIT
Klodiana Lala si GAZETARE E VITIT
Avni Ponari si BIZNESMENI I VITIT
Votimi për personazhet është realizuar në mënyrën më transparente në faqen e www.kohajone.com përgjatë dy muajve. Rreth 97 mijë votues kanë shprehur me votë pëlqimin e tyre për personazhet në 4 kategoritë.
Sistemi i votimit lejonte që një lexues votonte vetëm 1 herë me anë të IP-së, duke shmangur çdo përsëritje apo votim fiktiv disa herë nga e njëjta pajisje.
Votimi pasqyron pëlqimin e lexuesve të "Koha Jonë" për secilin personazh dhe pas daljes së rezultatit vlen të theksojmë se emrat e zgjedhur, në fushat përkatëse kanë shkëlqyer gjatë vitit që po lëmë pas.
Moderatorja e Vitit, ENI VASILI
Gara për çmimin e moderatorëve televizivë në sondazhin e "Koha Jonë" ishte vërtetë e fortë, ashtu siç është përballje titanike gara për audiencën mes gjithë emisioneve kryesore të mediave, por në fund vendosin lexuesit dhe shikuesit.
Autorja dhe producentja ekzekutive e programit "Open" në Top Channel, Eni Vasili është përzgjedhur nga lexuesit si Moderatorja e vitit 2019. Në mozaikun e ngjeshur të emisioneve të mbrëmjes, moderatorja Eni Vasili ka arritur të sjellë një format ndryshe, krejt origjinal. Në këtë vit të mbrapshtë të politikës, ku tensionet, krizat, sherret dhe tymnaja kanë dominuar gjithë kohën, Eni Vasili ka ditur të përzgjedhë dhe të moderojë sherret e politikës që nga sheshet, shpeshherë përplasen në studiot televizive dhe duke u vënë shpesh në krye.
Përvoja më shumë se 20-vjeçare në televizion dhe paanshmëria në trajtimin e çështjeve dhe të ftuarve janë vetëm disa prej cilësive të shumta që kanë ndikuar te vlerësimi i lexuesve për gazetaren e njohur. Përplasja në botën televizive, siç thamë, ishte mjaft e fortë, pasi votimi mbetej mes kolosëve të emisioneve shqiptare si Blendi Fevziu, Ylli Rakipi, Sokol Balla, Artur Zheji e ndonjë tjetër.
Por në fund votuesit vendosën për Eni Vasilin.