Emiljano Tasho pranon autorësinë e krimit në Linzë, por shton se qitja ishte aksidentale. Gjykata e lë në burg. Prapa hekurave edhe 31-vjeçari që e kishte strehuar


Emiljano TashoVrasjen e 30-vjeçarit Enton Nikaj, më 11 nëntor në Linzë, e mori përsipër Emiljano Tasho, i cili e pranoi autorësinë, por tha se gjithçka ndodhi aksidentalisht, pa vullnetin e tij. Në fakt, 28-vjeçari Tasho pretendimin e tij e bëri të ditur përmes avokatit, dje në sallën e gjyqit, kur u la në masën e sigurisë “burg pa afat”, deri në mbarimin e hetimeve. Në burg u la edhe 31-vjeçari Erjon Biraçi, i cili kishte strehuar Tashon, gjatë kohës që ai ishte në kërkim. Por Biraçi tha se nuk e dinte që shoku i tij kërkohej nga policia dhe se e kishte pranuar në shtëpinë e tij, ashtu siç kishte ndodhur edhe herë të tjera. Avokati i Tashos lexoi edhe pretendimin e klientit të tij, ku thuhej se “pranoj se e kam vrarë Enton Nikajn, por gjithçka ndodhi nga pakujdesia nga një qitje e pavullnetshme e pistoletës”. Sipas këtij pretendimi, qitja nga pistoleta ka ndodhur në kohën kur Tasho po godiste me qytën e saj, Ismet Gaxherrin. Arma e krimit nuk është gjetur ende dhe pistoleta me silenciator që iu kap të shtunën, rezultoi se nuk ishte ajo me të cilën u krye vrasja. Nga ana tjetër 31-vjeçari Biraçi tha se “Tashon e kisha klient, një ditë po e një ditë jo ai vinte në lavazhin tim. Në lajme e pashë që ishte në kërkim një Emiljano Nina, nëse do ta kisha parë që kërkohej Tasho nuk do kisha pranuar që të flinte në shtëpinë time”. Më 24 korrik vetëm një gërvishtje e makinës nga një motor mjaftoi për ta inatosur drejtuesin e mjetit, i cili shau motoçiklistin, por si përgjigje mori dy plumba. Gjithçka u zhvillua brenda pak minutave, në kryqëzimin e Porcelanit me Unazën, kur 26-vjeçari Xhevahir Shabani u qëllua me pistoletë nga një person i paidentifikuar deri në ato momente, për të cilin policia thotë se ishte i arrestuari Emiljano Tasho. Ndërkaq, 11 vite më parë ai është përfshirë në një vrasje të mbetur në tentativë. Agron Bilbili, në prill të vitit 2004, pas një konflikti banal në një pikë bastesh në lagjen “Ali Demi”, u tentua të vritej nga Tasho. Ai akuzohet si autor i vjedhjes me armë më 30 shtator si edhe autor i vjedhjes me armë të një supermarketi në rrugën “Dhimitër Kamarda”. Nga ana tjetër, bashkëpronari i restorantit “Muraga”, në parkingun e të cilit u vra 30-vjeçari Enton Nikaj, ka mohuar ekzistencën e borxhit 200 mijë eurosh, për të cilin u përfol se ia kishte marrë me përqindje Ervis Martinajt. Kësisoj, Ismet Gaxherri rrëzoi pistën kryesore për shkakun e sherrit që çoi në vrasjen e Nikajt. Kurse ish-polici Mirsad Kuçana është shprehur se ai nuk kishte qëlluar me pistoletë atë ditë. Për vrasjen e 11 nëntorit policia ka marrë në pyetje disa persona dhe analizoi disa prova, por ende nuk është mësuar shkaku që çoi në përplasjen fizike.