Ndarja e roleve, vendet ku shitej droga dhe çmimet. Pesë ndiqen në gjendje të lirë, 5 në kërkim
Dy sportistë dhe tri femra bënin pjesë në grupin e shpërndarësve të heroinës dhe kokainës në Tiranë, të cilët u prangosën dje pas 6 muajsh hetime. Ajo që spikaste në operacionin e koduar “Epilog”, ku u prangosën 25 persona, ishte fakti që shumica e tyre ishin të dënuar më parë për drogë, teksa policia shpalli në kërkim 5 persona dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë pesë të tjerë.
Hetimet
Grupi kriminal e kishte bazën e përpunimit të drogës në zonën e “Ali Demit”. Sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, i cili e bëri publik dje këtë operacion, nga hetimi ka rezultuar se ky grup kriminal ka vepruar në disa zona të Tiranës, si Shkolla e Bashkuar, rruga “5 Maji”, “Tirana e Re”, rruga “Fortuzi”, lagjja “Laprakë”, dhe zonë e ish-Bllokut. Sipas tij, për një periudhë 2-vjeçare mendohet se ky grup ka shpërndarë lëndë narkotike me vlerë tregu rreth 900 mijë euro. Gjatë zhvillimit të operacionit të shtrirë në kohë dhe hetimit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg dhe 50 gramë heroinë, 180 doza kokainë, 1 armë pistoletë e markës “Zastava”, 150 fishekë, 10 automjete të markave të ndryshme, 30 telefona celularë 10 mijë euro dhe peshore elektronike. Julian Bushati siguron heroinën te persona ende të paidentifikuar për momentin, duke marrë rreth 100-200 gramë çdo 5 ditë. Më pas e përpunon në banesën e tij, duke e trefishuar me përbërës të tjerë, ku ka përshtatur dhomën si minilaborator. Më tej dërgon në sasi rreth 100-150 gramë çdo ditë te Sokol Kllapi. Ky i fundit, bashkë me Sonila Dinoshin, kane marrë një apartament me qira dhe të dy janë përdorues droge. Ata paketojnë rreth 200-250 porcione (copa). Një porcion shitet 1.000 lekë të reja. Xhiroja ditore e kryer prej tyre është 200– 250 mijë lekë të reja, fitimi ditor është 90-120 mijë lekë të reja. Ndërkaq, Bushati përdor shtetasin e identifikuar me emrin Armando Murati, i cili për shitjen e heroinës përdor një motor skuter. Shpërndarja fillon në orën 08.00 deri në mbrëmje dhe Kllapi ka blerë një automjet të vogël për të mos rënë në sy, e tipit “Ford Fiesta”.
Grupi
Sipas policisë, ky grup kriminal funksiononte në bazë të një strukture të veçantë që përfshinte organizatorët, koordinatorët dhe në fund shpërndarësit e drogës. Gjithsesi, nuk u tha asnjë fjalë për furnizuesit me drogë, vendi ku blihej, “peshqit e mëdhenj”. Kështu, si organizator policia ka prangosur 47-vjeçarin Halil Sallaku, lindur në Kukës e banues në Tiranë dhe Gëzim Demirin, 40 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues Tiranë. Në rolin e organizatorëve janë shpallur në kërkim 21-vjeçari me inicialet R.D, nga Tirana, i dënuar për drogë dhe A.Gj, 35 vjeç, lindur në Milot e banues në Tiranë. Si organizatore po ndiqet penalisht në gjendje të lirë 27-vjeçarja nga Tirana, me inicialet E.B. Si koordinatore u prangos Sonila Dinoshi, 31 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë. Në të kaluarën ajo ka pasur një proces gjyqësor, ku akuzohej për drogë. Një tjetër koordinator ishte Dardan Jaku, 31 vjeç, lindur në Kukës e banues në Tiranë. Alfred Naço, 50 vjeç, lindur në Lushnjë e banues në Tiranë ishte një tjetër koordinator ashtu si Gentian Xhelili, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë dhe Bledi Çarçani, 43 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Ndërkaq, për shpërndarje droge u arrestua Igli Muhameti, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje”, Astrit Beka, 43 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë dhe Toni Naço, 18 vjeç, lindur në Athinë banues në Tiranë. Si shpërndarës u prangos edhe Spartak Piciri, 47 vjeç, nga Tirana, i cili para disa vitesh ishte dënuar, pasi furnizonte ish-bllokun me kokainë. Në pranga ranë edhe Sali Sallaku, dhe Indrit Sallahu, të dy nga 20 vjeç, lindur në Has, Krumë dhe banues në Tiranë, si dhe Rudolf Kallbaqi, 32 vjeç, lindur në Durrës e banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë. Policia arrestoi 30-vjeçarin Dardan Prengzi, 30 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë dhe Atrias Çizmja, 20 vjeç, lindur në Krujë e banues në Tiranë (boksier i Vllaznisë). Si shpërndarës droge u arrestua edhe ish-portieri i skuadrës së futbollit “Tirana”, Eni Malaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Alkan Markaj, 27 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë. Policia prangosi 38-vjeçarin nga Kavaja, Evis Dalanaj, i dënuar më parë për plagosje. U kap edhe Aurora Liço, 28 vjeçe, lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë. Në vitin 2008, kur ishte studente e Mjekësisë, ajo ishte kapur me një kg kokainë në Kapshticë. Në pranga ra edhe Donard Belaj, 33 vjeç, nga Tirana, Haki Belaj, 42 vjeç, nga Tirana, Elis Mali (Sefa), 35 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, Elsi Rroshi, 32 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë, si dhe Aldo Leka, 23 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë. Po procedohen penalisht në gjendje të lirë I. Ll., 31 vjeç, banues në Tiranë, M. G., 27 vjeç, lindur në Itali dhe banues përkohësisht në Tiranë, A. O., 24 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në Tiranë dhe R. M., 22 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë. Në kërkim janë shpallur E.M, 24 vjeç, banues në Tiranë, B. J., banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë dhe M.A., banues në Tiranë, i dënuar më parë për drogë.