Zëvendëskryeministri Erjon Braçe përmes një statusi në rrjetin social Facebook i rikthehet edhe një herë informalitetit dhe punës në të zezë nga disa njësi tregtare në Tiranë, e sidomos në mes të bllokut.

Aksionet e filluara gjatë verës nuk janë ndalur, sipas Braçes, madje shkruan se "nuk kemi ikur kund, nuk ikëm me verën. Jemi këtu, në punë e në përputhje me ligjin".

Numri dy i qeverisë thotë se operacionet kundër evazionit dhe skllavërisë në punë do të vijojnë, teksa informon se një ditë më parë grupet e organeve fiskale, kontrolluan klubet e mëdha; Lolli Pop pas kontrollit u gjet me shkeljen e mosdokumentimit të transaksioneve përmes kuponit tatimor si dhe me dy punëtorë në të zezë, të pa deklaruar.

Gjithashtu Erjon Braçe shkruan se edhe "The Code pas kontrollit u gjet me shkeljen e përsëritur të mos dokumentimit të transaksioneve përmes kuponit tatimor si dhe një punëtor në të zezë, të padeklaruar; The Code për këto shkelje u mbyll dhe punonjësit e organeve fiskale vendosën masën e bllokimit te aktivitetit.

Braçe pohon se ka një thirrje për të gjithë: Bëjeni biznesin të ligjshëm! Punoni fort dhe me faturë tatimore e kupon, fitoni dhe shlyeni detyrimet; jepini fund punës me punëtore në të zezë! Eshtë krim një skllavëri e tillë! Nuk i bëhet me një qënie humane kjo, nuk do e tolerojmë!.