Denoncimi
Deputeti socialist denoncon listën e koordinatorëve të Bashës për zgjedhjet në Tiranë
Procesi i ristrukturimit të Partisë Demokratike që u hap dje zyrtarisht në kryeqytet, ka ngjallur dhe kureshtjen e socialistëve, të cilët nuk duket se janë të shqetësuar për ringritjen e partisë më të madhe të së djathtës, por ajo që ka tërhequr vëmendjen e tyre është pikërisht lista e koordinatorëve që janë ngarkuar nga kryetari i opozitës Lulzim Basha për të monitoruar këtë proces. Për nënkryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, shqetësues është fakti se në këtë listë që u publikua një ditë më parë, PD-ja po përfshin në politikë keqbërës që kanë dosje të hapura penale në Prokurori. Nga ana tjetër, Braçe denoncon dhe heshtjen e organeve të drejtësisë lidhur me këta persona që kanë qenë drejtues të rëndësishëm në ministritë e qeverisë “Berisha”. “Pashë sot nëpër gazeta, listën e koordinatorëve të PD-së për Tiranën. Numërova të paktën katër keqbërës, ish-drejtorë të rëndësishëm në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Të katërt të kallëzuar në Prokurori. Dosjet e tyre plot! Prokurori hesht!” – shkruan deputeti i PS-së Erjon Braçe, në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”. Dy ditë më parë PD-ja publikoi listën e rreth 30 koordinatorëve që do të monitorojnë procesin e riorganizimit të PD në Tiranë, ku njëri prej tyre është dhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili me pëlqimin e Bashës angazhohet kështu zyrtarisht në politikën e PD-së. Malltezi do të monitorojë procesin e zgjedhjeve në PD në njësinë numër 8 në kryeqytet. Bashkë me Malltezin, në listën e koordinatorëve përfshihen ish-drejtues të PD-së, ish-deputetë të saj, ish-ministra dhe drejtues të kësaj partie në nivele të ndryshme të saj. Ndër koordinatorët e tjerë, ish-drejtori i Departamentit Antikorrupsion në Kryeministri, Ivi Kaso, ish-drejtori i tatimeve Gazmir Spahia, ish-drejtoresha e Investimeve ‘AIDA’, Eneida Guria, ish-kreu i AKKP-së Avenir Peka, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti, etj.