Deklarata
Prokurori i Antimafies së Leçes, Kataldo Mota: Po hetojmë vetëm “Divjakën”
Tentativa e trafikut të drogës me avionë, ku një “Piper” u rrëzua në plazhin e Divjakës, po hetohet në Shqipëri dhe Itali, drejtësitë e të cilave po bashkëpunojnë për zbardhjen e të gjithë anëtarëve të këtij grupi. Ka dyshime se avioni i Giorgio Riformatos do e hidhte lëndën narkotike në Rajonin e Leçes, ndërsa prokurori i Antimafies i këtij rajoni, Kataldo Mota, tha dje në Shqipëri, se të dyja vendet po bashkëpunojnë për këtë rast. Mota shtoi se, krahas kësaj çështjeje, prokuroria që ai drejton nuk ka informacione për trafik droge me avionë apo për tentativa të tjera.
Trafiku i drogës
“Dihet që në Shqipëri ka kultivim të madh sasish lëndësh narkotike dhe se Shqipëria është një furnitor i madh i kësaj lënde. Është një fakt i njohur që Vlora është nga Leçe 44 milje detare larg dhe kështu që tregu i parë për shpërndarjen e marijuanës është Leçe”, tha Mota.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me policinë shqiptare në sekuestrimet e kryera kohët e fundit të marijuanës në Itali, por gjithashtu ka pranuar se ka pasur një rritje të sasisë që tentohet të trafikohet nga Shqipëria. “Më shumë sesa sekuestrimi i lëndës narkotike, është rritur sasia që ka hyrë në Itali. Një sasi e konsiderueshme bëhet nëpërmjet emigracionit të jashtëligjshëm, kështu që jo e gjithë sasia e lëndës narkotike është e destinuar të konsumohen aty, një sasi është e destinuar për vendet e Europës Veriore”, vijoi Mota.
Krimi i organizuar
Më tej, ai foli edhe për krimin e organizuar, për të cilin tha se është shtrirë kudo. “Për këtë nevojitet edhe përmirësim i veprimtarisë së hetimeve. Në këtë kuadër, duhet të implementohen sisteme efikase kundër veprimeve kriminale. Nevojitet bashkëpunim i hetimeve dhe jo vetëm mes policisë, pra një skuadër e përbashkët e hetimeve. Ne nuk jemi më të mirë se ju, thjesht fatkeqësisht jemi mësuar më shumë se ju, prej një kohë të gjatë në luftën kundër këtij fenomeni”, u shpreh Kataldo Mota.
Ai theksoi se një sërë masash, si përfshirja e hetimeve elektronike dhe konfiskimi i pasurisë, do të shtojnë luftën ndaj krimit. “Përmirësimi i strukturave dhe infrastrukturës hetimore është një tjetër pikë e rëndësishme. Kjo ka të bëjë me përfshirjen e hetimeve elektronike në procesin e hetimeve. Po ashtu, konfiskimi i pasurisë së kriminelëve është një tjetër aspekt, i rëndësishëm. Kjo metodë është përdorur për herë të parë në Gjermani, dhe nuk është aspak antikushtetuese, por përkundrazi është në kuadër të intensifikimit të luftës ndaj krimit”, përfundoi prokurori i Antimafies së Leçes.
Somario
“Ne nuk jemi më të mirë se ju, fatkeqësisht jemi mësuar më shumë se ju, pasi kemi kohë që e hetojmë këtë fenomen”
Zaganjori
“Të forcohet pavarësia e prokurorit në fazën e zhvillimit dhe kontrollit të hetimeve, të forcohet edhe roli i Prokurorisë së Përgjithshme”
Naço
“Të bindur se krimi nuk njeh kufi, qeveria shqiptare është në procesin e ndryshimit të kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar”
Cefa
“KLD-ja do të jetë në krah të Prokurorisë së Përgjithshme dhe asnjë lloj imuniteti nuk do të pengojë hetimet ndaj gjyqtarëve të dyshuar për korrupsion”
Tahiri
Në takimin e djeshëm, ra në sy mungesa e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas akuzës qendrore, ministri ishte i ftuar, por në takim nuk ishte prezent