Zbulohet sekreti i zhigolosë. Marselino tregon si ka jetuar me këtë sekret. Emocionet, takimi me bashkëshorten, Liljanën. Në shtëpi hyjnë dy banorë të rinj, Edberi dhe Vigani
Të nominuarit e kësaj jave janë : Olta, Elona, Elena, Arsimi, Xhimi, Marselini, Anaidi
Orët e mbrëmshme të spektaklit “Big Brother Albania” në ekranin e “Top Channel” kanë qenë të mbushura plot emocione dhe të papritura për banorët. E veshur me ngjyrat e pranverës, Arbana dukej plot sharm si çdo të shtunë. Spektakli ka nisur me Jonildën. Javën e parë, ajo u largua nga shtëpia për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje estetike në gjoks. E dje, rezultati i kësaj ndërhyrje ishte i dukshëm. Jonilda u shpreh se ndihej shumë mirë me shëndet dhe e lumtur që e kishte bërë këtë ndërhyrje, vetëm se ishte ndier pak e vetmuar, pasi i kishte munguar shtëpia e “Big Brother”, së cilës iu bashkua mbrëmë sërish gjatë spektaklit. Hyrja në shtëpi e Jonildës u shoqërua me një këngë që këngëtari Klajd Haruni dhe grupi kanë kënduar në oborrin e shtëpisë, ku ishin të pranishëm të gjithë banorët e tjerë. Hyrja e saj ka qenë një surprizë për banorët të cilët e dinin të eliminuar. Gjatë spektaklit janë shfaqur dhe momente nga operacioni, ku mjekët konfirmuan se gjithçka kishte shkuar shumë mirë. Anaidi mendonte se Iliri ishte banori i infiltruar në shtëpinë e “Big Brother”, por mendimi i tij ishte i gabuar. Llogaria prej 75.000 lekësh i kalon Ilirit. Anaidi tashmë ka në llogarinë e tij 375 mijë lekë, ndërsa Iliri ka në llogari 375 mijë lekë, pasi fitoi dhe sekretin e Shpendit javën e kaluar. Edhe pse “Big Brother” u kishte futur elementë brenda shtëpisë, që mund t’i çonin banorët drejt gjetjes së sekretit “Kanuni ka prishur lidhjen time”, ata ende nuk e kanë gjetur sekretin që i përket Etlevës. Dhe vetë Etleva është shprehur e habitur që banorët ende nuk e kanë kuptuar që është ajo që e fsheh këtë sekret. Dje shtëpisë së “Big Brother” i janë bashkuar dy banorë të rinj. Ata janë Edberi dhe Vigani, të cilët treguan se janë edhe miq. Dy djemtë janë nga Kosova dhe prej kohësh punojnë në të njëjtën punë. “Hyjmë për t’u kënaqur. Ajo çfarë do na mungojë është familja”, u shprehën ata. Ata hynë në shtëpi me sekretin “Ne jemi një konkurrent i vetëm”, nëse nominohet njëri, në nominim shkojnë të dy, nëse eliminohet njëri, nga shtëpia do të dalin të dy”. Sekreti i zhigolosë, i cili ka qenë një ndër sekretet më të diskutuara në media, por dhe brenda shtëpisë, është zbuluar dje. Këtë sekret e mbante Marselino. I pyetur nga Arbana se sa e vështirë ka qenë për të të jetojë me këtë sekret, duke qenë se ai tashmë ka krijuar dhe një familje të re, Marselino u shpreh “se ka qenë e vështirë për mua të jetoj me këtë sekret.
Thjesht mendoj se do të kem kohë e mundësi t’i kërkoj falje personave që ndodhen sot afër meje”, u shpreh ai. Në klipin e tij, ai tregoi kohën kur punonte si zhigolo, rrethanat që e kishin çuar drejt kësaj zgjedhjeje… Ky rrëfim e ka bërë Marselinon të preket e të shpërthejë në lot. Rrëfimin e Marselinos e ka ndjekur nga studio dhe Liljana, gruaja e tij. E përlotur ajo tha “se nuk i intereson e shkuara e tij dhe se ka besim tek Marselino”. Pas këtij rrëfimi ajo shkoi në dhomën ku ndodhej Marselino, ku u takuan dhe i dha mbështetje… Liljana tregoi se kishte bërë një tatuazh me emrin e tij. Banorët folën dje dhe për Ditën e Verës, e në spektakël u shfaq një klip me momentet më të bukura sesi ishte festuar Dita e Verës në shtëpi. Ata kishin ndërtuar një këngë dhe nëpërmjet një valleje iu lutën shiut që të pushonte. Klipi ku banorët kërkonin diellin të dilte ishte një nga momentet më gazmore.
Banorët u njohën dje me një klip për Elenën. Ajo është gjykuar për veshjen dhe sjelljen joshëse ndaj djemve. Në monitor u shfaq një klip ku Elena lëviz nëpër shtëpi me veshje mjaft provokuese. Banori që ka lënë shtëpinë e “Big Brother” dje ishte Etleva. Ky vendim iu komunikua asaj nga Vigani.