Kuqezinjtë janë në grupin A, përballë Francës, Zvicrës dhe Rumanisë. Debutimi më 11 qershor në Lens
Grupi A
Francë
Rumani
SHQIPËRI
Zvicër
ERION ABULE
Nëse të gjithë prisnin një short me emra gjigantësh të futbollit europian për Shqipërinë, duket se ka ndodhur e kundërta. Duke parë se kombëtarja kuqezi renditej në vazon e katërt, grupi A ku është renditur Shqipëria, jep shpresa të mëdha për misionin historik të kombëtares së De Biazit. Nëse nuk do të quhet një short i lehtë, të paktën mund të konsiderohet “bujar”, sepse të kesh në grup Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, mund të ndodhë dhe të tentohet gjithçka. Në ceremoninë mbresëlënëse të Pallatit të Kongreseve në Paris, ku ndodheshin për të tërhequr goglat e shortit ish-futbollistë të njohur si Haristeas dhe i madhi Panenka, Shqipëria ishte shumë pranë realizimit të një dëshire të madhe, asaj të hapjes së Europianit, ndonëse ky fat i ka rënë Rumanisë. Megjithatë përballjet me kundërshtarët e grupit janë stimuluese dhe interesante. Nga Franca ku luajnë yjet e kombëtares si Cana dhe Lenjani, te sfida me Zvicrën, që tashmë konsiderohet si një derbi me kuptimin e plotë të fjalës, pasi një pjesë e skuadrës helvete janë me gjak shqiptar. Por nuk duhet harruar as Rumania, me të cilën kuqezinjtë humbën në ndeshjen e fundit miqësore të 31 majit 2014. Sfida e parë e kuqezinjve do të luhet ditën e shtunë më 11 qershor në orën 15:00 në Lens në “Stade Bollaert Delelis”. Një orar i pazakontë për sfida të tilla, por që në fushë mund të rezultojë një “betejë” e vërtetë. Po, sepse përveçse është ndeshja e parë dhe do të kërkohet maksimumi i pikëve, do të jetë dhe një derbi shqiptarësh. Në sfidën e dytë të Europianit, Shqipëria do të luajë përballë Francës më 15 qershor në “Velodrome” të Marsejës në orën 21:00, një kombinim ky që duket sikur është bërë posaçërisht për Lorik Canën. Ish-idhulli dhe kapiteni i Marsejës, do të kthehet në atë stadium tashmë si kapiten i kombëtares së tij dhe qyteti francez sigurisht që do ta mbështesë. Ndeshja e tretë dhe e fundit në grup e Shqipërisë do të jetë më 19 qershor në orën 21:00 përballë Rumanisë në “Stade de Lumiers” në Lion. Bilanci i kuqezinjve nuk është edhe aq pozitiv. Mjafton të kujtojmë që fitoren e fundit Shqipëria e ka me Rumaninë më 2 maj 1948 dhe humbja 6-1 para disa vitesh në Bukuresht solli fundin e aventurës së trajnerit kroat Oto Bariç nga stoli i kombëtares. Golavarazhi është dukshëm në favor të Rumanisë me 45 gola të shënuar dhe 11 të pësuar. Faza finale e Europianit do të zhvillohet nga data 10 qershor deri më 10 korrik 2016. Në këtë kampionat kualifikohen në fazën e 1/8-ve dy skuadrat e para të çdo grupi, plus katër të tretat më të mira, kështu që shanset e Shqipërisë për të befasuar ende janë të mëdha.
Me Zvicrën
Me kombëtaren zvicerane, Shqipëria është ndeshur 6 herë, nga të cilat kombëtarja nuk ka arritur asnjë fitore. Bilanci është 5 fitore për skuadrën helvete dhe një barazim, me 4 gola të shënuar nga kuqezinjtë dhe 11 të pësuar
Me Francën
Shqipëria është përballur 6 herë me Francën, duke pësuar katër humbje, një fitore në “Elbasan Arena” dhe një barazim pikërisht në “Saint Denis”. Kuqezinjtë kanë pësuar 12 gola dhe kanë shënuar 3, me atë të fundit të realizuar nga Kaçe.
Me Rumaninë
Bilanci i sfidave mes Shqipërisë dhe Rumanisë është i pasur. Kemi luajtur 18 ndeshje, me rumunët që kanë fituar 13 herë, 3 barazime dhe 2 fitore për kuqezinjtë. Në ndeshjen e fundit miqësore, 31 maj 2014, Rumania fitoi 1-0
Shorti për grupet e tjera
Grupi B: Anglia, Uellsi, Sllovakia dhe Rusia
Grupi C: Gjermania, Irlanda e Veriut, Polonia dhe Ukraina
Grupi D: Spanja, Turqia, Çekia dhe Kroacia
Grupi E: Belgjika, Republika e Irlandës, Suedia dhe Italia
Grupi F: Portugalia, Islanda, Hungaria dhe Austria
GRUPI A / Kalendari i ndeshjeve
E premte, 10 qershor: Francë – Rumani (21:00, “Stade de France”, Paris)
E shtunë, 11 qershor: Shqipëri – Zvicër (15:00, “Stade Bollaert-Delelis”, Lens)
E mërkurë, 15 qershor: Rumani – Zvicër (18:00, “Parc des Princes”, Paris)
E mërkurë, 15 qershor: Francë – Shqipëri (21:00, “Stade Velodrome”, Marsejë)
E diel, 19 qershor: Rumani – Shqipëri (21:00, “Stade de Lyon”)
E diel, 19 qershor: Zvicër – Francë (21:00, “Stade Pierre Mauroy”, Lilë)
Trajneri
De Biazi: Nuk kemi asgjë për të humbur
Si gjithnjë me këmbë në tokë, pavarësisht se shorti dhuroi jo vetëm kënaqësi, por edhe shpresë. Xhani De Biazi komenton grupin A të finaleve të Kampionatit Europian ku merr pjesë edhe Shqipëria: “Ne do përpiqemi të kemi një përvojë pozitive në këtë Europian, ku do të luajmë në fushë me grintë dhe do të shfaqim cilësitë tona, – tha trajneri i kombëtares nga Parisi. – Kemi një skuadër relativisht të re, me lojtarë që kanë disa kohë që luajnë bashkë. Shpresojmë të bëjmë gjëra interesante. Luajtëm vitin e kaluar me Rumaninë, por tashmë kanë ndryshuar kohët për të dyja ekipet. Nuk kemi asgjë për të humbur, do provojmë të japim më të mirën tonë, sepse luajmë pa presion”
Parashikimi
Kuqezinjtë në kor: Mund t’ia dalim
Futbollistët e kombëtares e cilësojnë të mirë shortin e fazës finale të Kampionatit Europian. Mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, ka thënë: “Më pëlqen si grup. Francën e njohim, kemi luajtur dhe fituam. Me Zvicrën me vëllezërit tanë do të jetë një ndeshje shumë e bukur, ashtu si me Rumaninë. Është një grup që do të rivalizojmë dhe i lehtë”. Sulmuesi Bekim Balaj shton: “Dëshira ishte të shmangnim ekipet e mëdha, shorti na mbush me optimizëm dhe besim se mund të surprizojmë si në eliminatore”. I kënaqur është dhe portieri Berisha: “Janë rivalë me të cilët jemi përballur dhe i njohim. Është një grup i mirë, mendoj se mund të kemi shanse të mira, mund t’ia dalim”.
Franca
Deshamp: Shqipërinë e njohim mirë
Pas hedhjes së shortit të Europianit të futbollit, ku Shqipëria ka në grup edhe organizatorin, Francën, ka reaguar edhe trajneri i kombëtares franceze. Didier Deshamp i kujtohet shumë mirë Kombëtarja shqiptare nga dy ballafaqimet e fundit. “Shqipërinë e njohim, dimë kualitetet e tyre”, deklaroi Deshamp. Për skuadrat e tjera të grupit A, ku bëjnë pjesë edhe Zvicra dhe Rumania, francezi ka thënë se “zviceranët kanë një ekip të mirë”, ndërsa ka respekt për rumunët. “Zvicrën e njohim nga ndeshjet në Botërorë, ndërsa Rumania meriton respekt. Ne gjithsesi do t’i shikojmë ndeshjet e dy viteve të fundit të kundërshtarëve tanë”, shtoi ai.