Firma franceze ofron dy helikopterë për ndihma humanitare


Miratimi – Kontrata e blerjes së helikopterëve është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për pasojë çdo ndryshim i saj duhet të votohet sërish nga legjislativi.


Tipi i helikopterëve – Ministria e Mbrojtjes, në vitin 2009, ka lidhur me shoqërinë “Eurocopter” kontratën për blerjen e 5 helikopterëve shumërolësh, të tipit Cougar AS532 AL, të versionit ushtarak të familjes së helikopterëve Super Puma.


Ardhja e helikopterëve – Deri tani, nga 5 helikopterë të kontraktuar me “Eurocopter” janë marrë në dorëzim tre helikopterë Cougar, përkatësisht në konfigurimet SAR, MEDEVAC dhe TTH1. Gjithashtu, pritet që në qershor të merret në dorëzim dhe të ulet në shtator në Aeroportin e Rinasit helikopteri i katërt “Cougar” në konfigurimin TTH2.


HERION MESI


Komisioni i SiguriseDhënia e votës pro statusit nga ana e Francës ka detyruar qeverinë shqiptare të paraqesë në Kuvend një kontratë të re për blerjen e dy helikopterëve me firmën franceze “Eurocopter”. Prej kohësh, qeveria po negocionte me palën franceze për helikopterët e rinj, pas rrëzimit të mjetit VIP fluturues, duke pranuar që të ndryshojë kontratën. Komisioni i Sigurisë Kombëtare miraton ndryshimin e kontratës fillestare të lidhur mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë franceze “Eurocopter”, nga qeveria e mëparshme, ku ndryshimi i kontratës parashikon marrjen e dy helikopterë për misione humanitare dhe kërkim-shpëtimi në vend të një helikopteri VIP, i cili u rrëzua që në momentin e ardhjes së tij në Shqipëri. Kështu, sipas kontratës të re që pritet t’i kalojë për miratim Kuvendit në seancë plenare, parashikohet që në total shteti shqiptar do marrë tashmë jo pesë, por gjashtë helikopterë, por pa ndryshuar vlera e parashikuar në fillim. Blerja e pesë helikopterëve me një vlerë prej rreth 79 milionë eurosh nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2010, u komentua në atë kohë si fatura që qeveria “Berisha” do t’i paguante qeverisë franceze për mbështetjen e saj për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Në atë kohë, Berisha u prit dhe nga vetë Presidenti i asaj kohe, Nikolas Sarkozi.


Diskutimi


Gjatë diskutimeve për projektligjin për ndryshimin e kontratës së lidhur ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë “Eurocopter” për furnizimin me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, i cili ishte dhe drejtues i mbledhjes së djeshme, në mungesë të kryetari Spartak Braho, duke u shprehur pro draftit të qeverisë theksoi se ky projektligj është diskutuar edhe më parë nga Komisioni dhe është rënë dakord që të miratohet, pasi sipas tij, Forcat e Armatosura kanë shprehur nevoja për pajisjen e tyre me helikopterë multifunksional, që i përshtaten situatave të ndryshme me të cilat mund të hasen Forcat e Armatosura. “Ky projektligj është diskutuar edhe më parë që Forcat e Armatosura të pajisen me helikopterë me kova për shuarjen e zjarrit”, tha deputeti i PD-së, Flamur Noka. Ndërsa, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes teksa theksuan se ndryshimi i kontratës nuk ka ndonjë kosto financiare shtesë për shtetin shqiptar, përkundrazi ata u shprehën se nëse do realizohej kontrata fillestare, atëherë numri i helikopterëve do të ishte më i vogël. “Nuk bëhet mund të bëhet pasi nuk kemi pilot si edhe ka faturë tjetër financiare nëse do merren helikopterët e tjerë që ishin në kontratën fillestare”, thanë përfaqësuesit e ministrisë.


Ndryshimi i kontratës


Në kontratën e ndryshuar, Ministria e Mbrojtjes thekson se do të marrë në dorëzim dy helikopterë në vend të një helikopteri VIP, I. Në projektligjin e miratuar dje përcaktohet pas analizës së kryer nga strukturat përkatëse për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe në bazë të vlerësimit të leverdisshmërisë funksionale e operacionale, “Ministria e Mbrojtjes, vendosi zëvendësimin e helikopterit Cougar AS532AL, në konfigurimin VIP, me 2 helikopterë EC 145 në konfigurimin SAR. Helikopterët EC 145 në konfigurimin SAR janë të përdorshëm kryesisht në misione humanitare dhe ato të kërkim-shpëtimit në situata emergjencash apo fatkeqësish natyrore”. Kjo ka bërë që të ndryshojë dhe kontrata e nënshkruar me ‘Eurocopter” si në objektin e saj, por dhe në kohëzgjatjen apo dhe shlyerjen e pagesës. Ndryshimet nisin nga numri i helikopterëve, tashmë do të jenë 4 helikopterë Cougar AS 532 AL të parashikuar që në fillim në kontratë dhe 2 helikopterë EC 145 në vend të helikopteri Cougar AS 532AL, në konfigurimin VIP.


 


Pagesa


Sa i përket pagesës, pas negociatave shtesë të kryera mes palëve është rënë dakord që detyrimi i Shqipërisë ndaj “Eurocopter” mos ndryshojë edhe pse porosia e re fillimisht parashikonte një shtesë prej rreth 500.000 eurosh. Ministria e Mbrojtjes negocioi me përfaqësuesit e “Airbus Helicopters”, (emërtimi i ri i shoqërisë “EUROCOPTER” prej datës 7 janar 2014) vlerën e dy helikopterëve EC 145, në konfigurimin SAR, të ofruar nga shoqëria në përgjigje të kërkesës së saj. Fillimisht, vlera e dy helikopterëve EC145, në konfigurimin SAR, dhe paketa mbështetëse tejkalonin vlerën e helikopterit Cougar VIP, që do të zëvendësohet. Negocimi kishte të bënte me ofertën e versionit të helikopterit EC 145, SAR, në versionin me 9 sedilje; paketën e shërbimit e të mirëmbajtjes, si dhe pjesët e konsumit dhe instalimin e bllokut të radiove në helikopterë, që të plotësojë standardet civile dhe ushtarake.