falja fiter bajramitMijëra besimtarë myslimanë mbushin sheshet kryesore të qyteteve. Urime për paqe dhe thirrje kundër ekstremizmit


Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festuan dje ditën e shenjtë të Fiter Bajramit. Fiter Bajrami vjen pas muajit të madhërishëm, të sakrificës, atij të Ramazanit. Fiter Bajrami është një ditë feste e gëzimi për myslimanët dhe solidarizimi me të varfrit, e para faljes së kësaj dite, besimtarët shpërndajnë të mira materiale e dashuri edhe me të pamundurit, për ta festuar së bashku këtë festë të madhe. Falja e Namazit të Fiter Bajramit ka bërë bashkë me mijëra besimtarë myslimanë, shumica të rinj, që edhe këtë vit kanë tejmbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Rituali i lutjes së shenjtë të Bajramit të Madh, i dyti për nga rëndësia për botën islame, ka nisur në orën 06.00 të mëngjesit të djeshëm dhe është drejtuar për herë të parë nga imami i Xhamisë së Qabes, xhamia më e rëndësishme për myslimanët. Në fjalën e mbajtur para mijëra besimtarëve shqiptarë të mbledhur në shesh imami i xhamisë së shenjtë të Mekës, Shejh Salih Bin Talib, i bëri thirrje çdo myslimani të distancohet nga elementë turbullues që kërkojnë ta dëmtojnë islamin. Lutje për më shumë paqe, mirësi dhe vëllazëri me më të varfrit janë përcjellë edhe nga kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, si dhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Ajo që mund të cilësohet si një traditë e krijuar nga halli, falja e namazit të Bajramit në rrugë duket se do të marrë fund me përfundimin e xhamisë së madhe të Tiranës që për numrin dy të komunitetit mysliman, Ali Zaimi, me shumë gjasë do të jetë gati brenda dy Bajramesh. Kjo datë e rëndësishme për komunitetin islam është festuar në të gjithë Shqipërinë, kudo ku ka besimtarë myslimanë, në Elbasan, Shkodër, Kukës, Pukë. Në qytetin e Elbasanit, në bulevardin “Aqif Pasha” e falën Fiter Bajramin, rreth 3 mijë besimtarë. Myftiu i këtij qyteti, Agim Duka, përshëndeti besimtarët dhe uroi për më shumë paqe e begati në çdo familje shqiptare. Duke theksuar se ky ka qenë muaji i lutjeve për të gjithë myslimanët në botë për integritetin e tyre fizik dhe shpirtëror, Duka shprehu gatishmërinë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. “Lutjet tona këtë muaj kanë qenë për të gjitha viktimat e akteve terroriste dhe për familjarët e tyre. Lutjet tona kanë qenë dhe do të jenë për të gjithë njerëzimin për paqe, qetësi dhe siguri. Lutjet tona kanë qenë dhe do të jenë për të gjithë ata që dënojnë dhe distancohen nga ekstremizmi i dhunshëm. Shoqëria jonë prej kohësh po vuan krizën ekonomike, krizën e vlerave, krizën e drejtësisë, krizën e mendjeve të sëmura kriminale që sot po shkakton dëme të paimagjinueshme njerëzore. Mendjet e sëmura pretendojnë se ata do të vendosin drejtësinë, pretendojnë se janë gjykatës dhe ekzekutues të dënimeve të dhëna nga po ato mendje kriminale”, tha myftiu Duka. Edhe në Shkodër, Fiter Bajrami është festuar nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët mbushën sheshin “Demokracia” në qendër të qytetit, ku u bë edhe falja e namazit, e kthyer në një traditë të përvitshme. “Fiter Bajrami është një tjetër stacion drejt madhështisë së bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve në mesin tonë, duke u dëshmuar një bashkësi e qytetëruar me besim dhe cilësi të larta përkushtimi”, u shpreh myftiu Muhamed Sytari. Bajrami i madh është festuar me përulësi edhe në Kukës, ku myftinia e këtij qyteti dhe besimtarët kanë uruar dhe shprehur dëshirën për paqe dhe harmoni. Veç urimeve për Komunitetin Mysliman, myftiu i Pukës u ndal te terrorizmi, të cilin e konsideron si një të keqe që po kërcënon botën, duke u distancuar kategorikisht prej tij.