Hetime private


“Më mungon shumë. Babai i Julit po bën të pamundurën që ta gjejë. Hetimet po bëhen më shumë në mënyrë private”


Është gjallë – “Hetimet kanë nisur masivisht prej nesh. Besojmë shumë që Juli është mirë. Pavarësisht se kërkimet në Sharrë vijojnë, ne besojmë që ai është gjallë”


Vëllai im – “I lutemi Zotit që ta gjejmë! Ai është rritur në shtëpinë time. Unë nuk e kam kushëri Julin, por e konsideroj si vëllain tim të vogël”


Kërkimet – Megjithëse kanë kaluar një muaj nga arrestimi i Prenjasit dhe dëshmia e tij se e ka hedhur Julianin në Sharrë, ende nuk është gjetur ndonjë provë


Në kërkim tek Interpoli – Julian Çela, djali 10-vjeçar i nëndrejtorit të Antiterrorit të SHISH-it, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, duke e renditur në listën e personave të humbur në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit


Silvana Muça


julian-cela-ne-faqen-e-interpol-per-personat-e-humburFamilja Çela mbyll dyert e mortit dhe nis kërkimet private për gjetjen e Julianit, 10-vjeçari i zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit 2012. Ata besojnë se pjesëtari më i vogël i familjes nuk është vrarë nga Ardian Prenjasi dhe se 45-vjeçari gënjen, për arsye që ata nuk dinë t’i thonë. Megjithatë, kërkimet për trupin në vendgrumbullimin e plehrave në Sharrë po vijojnë, pavarësisht se deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e vogëlushit. Grupi hetimor ka rimarrë në pyetje 45-vjeçarin, i cili pohon të njëjta gjëra që ka thënë në fillimet e arrestimit, mbytjen e Julian Çelës dhe hedhjen e trupit në Sharrë. Megjithatë, pas marrjes së informacioneve nga prokuroria, e cila është e dyzuar se kë pistë të hetojë më parë, familja ka preferuar që të nisë kërkimet private.


 


Familjarët


“Juli nuk ka vdekur. Ai është gjallë dhe besojmë se është shëndoshë e mirë. Kemi shumë shpresa që do ta gjejmë. Nuk i besojmë dëshmisë së Ardian Prenjasit.” Këto janë fjalët që e afërmja e Julian Çelës, 10-vjeçarit të zhdukur 30 nëntorin e vitit të kaluar, përsërit gjatë gjithë bisedës. Lotët janë gati që t’i shpërthejnë nga momenti në moment. Meket teksa kujton emrin e djalit të dajës së saj. Është shumë kaotike në ato që thotë. Fjalët nuk kanë rend logjik dhe kuptim. Shpreson në gjetjen e kushëririt dhe e ka të vështirë të besojë se Juliani mund të jetë vrarë nga Ardian Prenjasi. Të gjithë të afërmit e 10-vjeçarit besojnë të njëjtën gjë. Prej disa javësh, familja e të zhdukurit ka mbyllur dyert e mortit, të cilat qëndruan hapur për javë të tëra, pasi më 17 mars, Ardian Prenjasi dëshmoi në polici se kishte vrarë vogëlushin, pasi nuk pranoi që të kryente marrëdhënie seksuale. Për policinë ai ishte mjaft bindës në ato që thoshte, megjithëse asnjë provë nuk është gjetur në Sharrë dhe në banesën e tij, të cilat do të ndihmonin grupin hetimor për të ngritur pistën e vrasjes për 45-vjeçarin. Historia e tij bëri që familja e vogëlushit të hapte dyert për ngushëllime. Në banesën e Julian Çelës hynin dhe dilnin një mori njerëzish, të veshur me të zeza. Të njëjtën gjë kanë bërë për disa javë dhe ndiqnin me interes gërmimet në Sharrë. Shpresonin të gjenin trupin e vogëlushit, në mënyrë që ta varrosnin sipas ritualeve mortore. Mungesa e gjetjes së gjurmëve ka rritur shpresat se ai mund të jetë shëndoshë e mirë. Si pasojë e kësaj, të afërmit kanë mbyllur dyert e mortit dhe në mënyrë private kanë nisur kërkimet. “Hetimet kanë nisur masivisht prej nesh. Besojmë shumë që Juli është mirë. Pavarësisht se kërkimet në Sharrë vijojnë, ne besojmë që ai është gjallë. I lutemi Zotit që ta gjejmë! Ai është rritur në shtëpinë time. Unë nuk e kam kushëri Julin, por e konsideroj si vëllain tim të vogël. Më mungon shumë. Babai i Julit po bën të pamundurën që ta gjejë. Policia po bën punën e saj, por hetimet po bëhen më shumë në mënyrë private. Ndoshta ai edhe e ka vrarë, por ne jemi më shumë te versioni se ai është diku dhe mirë”, thotë kushërira e 10-vjeçarit të zhdukur. Ajo nuk di të thotë nëse ka ndonjë sinjal, i cili ka rritur besimin se vogëlushi është gjallë, apo është thjesht një dëshirë e tyre. Zhdukja e Julian Çelës mbetet e mistershme për të gjithë të afërmit e tij. Në faqen e “Facebook”-ut të 10-vjeçarit, ata i kanë bërë thirrje shoqërisë së tij, të tregojnë identitetin e personit që e nxori nga interneti i Zanës, ditën e zhdukjes. Askush prej tyre nuk i është përgjigjur thirrjes në rrjetin social. Gjithashtu, të afërmit kanë hedhur dyshime se Ardian Prenjasi është përfshirë në ndonjë bandë të trafikimit të fëmijëve jashtë shtetit. Mungesa e gjurmëve biologjike të Julian Çelës në Sharrë dhe në banesën e 45-vjeçarit, kanë forcuar dyshimet që 10-vjeçari nuk është vrarë. Ndonëse pedofili këmbëngul që e ka mbytur, ata nuk binden.


 


Kërkime të vakëta


Prokuroria e pranon se në vendgrumbullimin e plehrave në Sharrë është kërkuar me ritme të ngadalta, kjo për shkak të mungesës së krahut të punës dhe mjeteve përkatëse. Hetuesit i kanë kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes njerëz dhe mjete për kërkime, ndërsa nuk kanë preferuar ndonjë kompani private. Ministria ka pranuar kërkesën dhe prej javësh, dy-tre punonjës të xhenios janë munduar të rrëmojnë në plehra për të gjetur trupin e pajetë. Deri më tani nuk ia kanë dalë të gjejnë ndonjë provë, ndërsa kërkimet e tyre po vazhdojnë.


Megjithëse kanë kaluar një muaj nga arrestimi i Prenjasit dhe dëshmia e tij se e ka hedhur Julianin në Sharrë, ende nuk është gjetur ndonjë provë. Ditët e fundit kërkimet janë zbehur, pasi në vendgrumbullimin e plehrave janë parë vetëm disa punonjës. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, kërkimet po kryhen me ngadalë, duke qenë se mund të prishen provat, pasi Prenjasi pretendon se e ka parë trupin e pajetë në këtë vend, ku dhe është kujdesur ta groposë. Megjithatë, ajo çka shihet në terren është se punonjësit kanë ritme të ulëta dhe nga zhvillimet e fundit duket se kërkimet mund të zgjasin pafundësisht, me muaj të tërë. Familjarët këmbëngulin që të lejohen apo të punësojnë punëtorë për të kërkuar në Sharrë, me qëllim që të shpejtohen kërkimet dhe gërmimet, por kërkesa e tyre nuk është pranuar nga grupi hetimor. Tashmë ata vetëm vrojtojnë që një ditë trupi mund të gjendet, ndërsa shpresojnë që rrëfimi i monstrës të mos jetë i saktë.