[callout]Detyra – Hetuesit i kanë fokusuar veprimet te detyrat e Santos në disa biznese, ku më kryesorja është banka “Credins” në lidhje me vendimmarrjen kohët e fundit
Të dyshuarit – Familjarët nuk i kanë përmendur asnjë emër personi të dyshuar hetuesve, të cilët kanë sekuestruar sendet personale të biznesmenit[/callout]
Prokuroria
Gruaja dhe dy fëmijët e Artan Santos: Kohët e fundit ishte shumë i qeshur në familje
“S’ka pasur asnjë shqetësim familjar. Të vetmet probleme kanë qenë për detyrën, bizneset që ka drejtuar”
Sokol Çobo
Një grup hetimor ka marrë në pyetje familjarët e Artan Santos, të cilët kanë treguar se përveç detyrës, bankieri nuk ka pasur asnjë konflikt tjetër. Disa orë pas vrasjes, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë pyetur nga disa oficerë të policisë gjyqësore rreth konflikteve të mundshme apo për ndonjë kërcënim që mund t’i ishte bërë 58-vjeçarit kohët e fundit.
Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se familjarët kanë treguar se Artani ka qenë tepër i qetë ditët e fundit, madje ishte shumë i qeshur në familje dhe ndihmonte cilindo që i kërkonte ndihmë. Prokuroria thotë se nuk ka mundur dot që të mësojë ndonjë emër konkret personi të dyshuar nga familjarët, të cilët kanë treguar edhe lëvizjet e fundit të tij, nga banesa në drejtim të bankës “Credins”, ku dhe ishte drejtor i përgjithshëm.
Lëvizjet në punë
Familjarët e bankierit janë pyetur nga hetuesit për mënyrën e lëvizjes së tij, nga banesa në zonën pranë Liceut në Tiranë, deri te zyra e tij, në bankën “Credins”, ku ishte aksioner dhe drejtor i përgjithshëm.
Familjarët kanë pohuar se ai dilte nga banesa në varësi edhe të takimeve apo impenjimeve të tjera, ndërsa kryesisht shkonte në punë rreth orës 09:00 të mëngjesit. Ata kanë shpjeguar për hetuesit se lëvizjet i bënte me automjetin e tij të punës, ku dhe kishte një shofer të punësuar, por edhe në këmbë, pasi distanca nga banesa në zyrë ishte e vogël dhe mund të bëhej për disa minuta.
Megjithatë, shtojnë familjarët, kryesisht ai lëvizte me automjet në mëngjes, ndërsa kishte raste që në drekë kthehej në këmbë, për të lëvizur sërish pasditeve. Pra, hetuesit kanë mësuar se biznesmeni i vrarë para banesës lëvizte edhe në këmbë dhe autorët, nëse do e kishin vëzhguar, mund ta ekzekutonin edhe atje.
Problemet familjare
Familjarët e Santos janë pyetur rreth problemeve apo konflikteve në shtëpi. “Disa muaj më parë, ka pasur probleme bashkëshortja e zotit Santo. Gjendja e tij shpirtërore ka qenë e ulët, pasi preokupohej shumë që gruaja e tij të ishte në gjendje të mirë shëndetësore”, kanë dëshmuar në prokurori familjarët teksa pohojnë se, pasi e kaloi këtë problem dhe bashkëshortja ishte në gjendje të mirë. Madje, kohët e fundit ka qenë tepër i qeshur dhe shumë miqësor me gjithkënd, duke i ndihmuar në të gjitha drejtimet.
“Kemi bërë disa pushime të shkurtra të gjithë si familje. Ishim të gjithë shumë mirë, pasi edhe problemet në punë po na ecnin”, kanë pohuar familjarët.
Kërcënimet e mundshme
Bashkëshortja dhe dy fëmijët janë pyetur nëse Artan Santo u kishte shprehur ndonjë shqetësim për jetën apo nëse persona a individë të veçantë e ndiqnin. “Tani ishte tip tepër pozitiv, madje edhe problemet më të mëdha i zgjidhte me ndërmjetësime. Nuk na ka treguar ndonjë kërcënim për jetën, madje nuk ka bërë as ndonjë denoncim për kërcënime apo shantazhe. Gjithçka i zgjidhte dhe s’ka pasur asnjë paralajmërim më parë”, mësohet se kanë deklaruar familjarët.
Problemet në punë
Prokuroria thotë se ka pyetur familjarët për ndonjë pistë hetimore. “Familjarët na kanë treguar se nuk ka pasur asnjë shqetësim familjar. Të vetmet probleme kanë qenë për detyrën, pra për bizneset që ka drejtuar”, pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se i kanë pyetur familjarët edhe për ndonjë emër konkret apo për konflikte të mundshme, ndërsa kanë marrë një përgjigje të thatë: “Të vetmet probleme i ka pasur gjatë detyrës”.
Tashmë, hetuesit i kanë fokusuar veprimet te detyrat e Santos në disa biznese, ku më kryesorja është banka “Credins” në lidhje me vendimmarrjen e tij të ditëve të fundit apo për ndonjë marrëdhënie me ortakë dhe bashkëpunëtorë.
Familjarët nuk i kanë përmendur asnjë emër personi të dyshuar hetuesve, të cilët kanë sekuestruar sendet personale të biznesmenit, për të mësuar më shumë rreth ndonjë konflikti nga ku do të lindte edhe një motiv i qartë për ekzekutimin mafioz.
Akuza
S’ka asnjë provë në vendngjarje
Grupi hetimor, i krijuar pas vrasjes së bankierit Artan Santo, ka vijuar të mbledhë prova, por nuk ka asnjë të dhënë në vendngjarje, çka mund t’i vështirësojë së tepërmi hetimet. Në vendin ku u vra 58-vjeçari nuk u gjet asnjë gëzhojë dhe për rrjedhojë, hetuesit thonë se vrasja mund të jetë kryer me një pistoletë me mulli, që nuk lënë gëzhoja. Madje, hetuesit nuk kanë gjetur ndonjë gjurmë të motorit, çka mund ta krahasonin me gjurmët e motorëve të tjerë.
Dëshmon në polici punonjësi i bankës: Ngjarje shumë e shpejtë
Roja i sigurisë: Autorët nuk folën me Santon, e qëlluan dhe u larguan
Kujtimi është një nga rojat e bankës “Credins” dhe dëshmitar i vrasjes mafioze. Ai thotë se Artan Santo gjeti vdekjen e menjëhershme, pa mundur që të thotë asnjë fjalë të fundit. Pavarësisht se ka parë trupin e pajetë mbi trotuar, pretendon se nuk ka pasur asnjë mundësi që të shohë autorët e krimit makabër. Gjithçka që ka parë e ka dëshmuar në polici. “Ishte një ditë e zakonshme pune. Njerëzit hynin dhe dilnin nga banka. Unë kam si detyrë që të lejoj apo jo futjen e njerëzve në godinë. Atë ditë nuk është se vura re ndonjë gjë të dyshimtë. Pastaj vendi që unë qëndroj në këmbë, më pengon fushëpamjen. Rreth orës nëntë e ca të mëngjesit, dëgjova disa të shtëna armësh. Për momentin nuk është se mendova ndonjë gjë. U bëra kurioz dhe zgjata kokën nga xhami. Kur çfarë të shikoja. Një njeri ishte shtrirë për tokë, i vdekur”, shprehet roja i bankës “Credins”. Ai nuk e ka imagjinuar kurrë se personi që po shihte të shtirë në tokë, mund të ishte drejtori i bankës. Del jashtë për të parë se çfarë kishte ngjarë në të vërtetë dhe kush ishte viktima që ra në trotuar. “Dola nga banka dhe vë re që bëhej fjalë për Artan Santon. Ai nuk jepte asnjë shenjë jete. Kishte gjetur vdekjen e menjëhershme dhe ishte i larë me gjak. Brenda pak sekondave, aty u mblodhën shumë njerëz dhe disa minuta më vonë mbërrin ambulanca. Ata e panë dhe pasi u bindën se gjithçka kishte marrë fund, largohen, për t’ia lënë situatën në dorë policisë”, tregon Kujtimi. Ndërkaq, ai thotë se atë ditë nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë. Madje nuk ka qenë në gjendje që të fiksojë as vrasësit, pasi kur ka dalë jashtë, ata ishin larguar me motor. “Nuk arrita që t’i shoh vrasësit. Ata ishin larguar dhe unë nuk i pashë. Madje nuk jam në gjendje që të tregoj as drejtimin që morën vrasësit”, e mbyll rrëfimin roja i bankës. Të gjithë këto ai i ka treguar me detaje edhe në polici, ndonëse nuk ka qenë në gjendje që të fiksojë ndonjë të dhënë rreth vrasësve, që do të ndihmonte policinë në identifikimin e tyre.
[callout]Verifikimet
Kemi gjetur katër motorë të ngjashëm
Policia ka filluar gjurmimin e motorëve të ngjashëm me atë që u përdor në vrasjen e Artan Santos. Deri më tani, sipas policisë dhe prokurorisë, janë gjetur katër motorë të ngjashëm “Suzuki V-Strom” në të gjithë Shqipërinë, ku dhe janë bërë verifikimet e duhura, madje janë shoqëruar edhe pronarët. Por pas verifikimeve deri dje pasdite, të gjithë personat janë liruar, pasi motorët e tyre nuk kanë rezultuar se janë përdorur në këtë vrasje. Prokuroria thotë se ende nuk i ka gjetur pronarët aktualë apo të mëparshëm të këtij mjeti. [/callout]