Historia e blerjes së 5 helikopterëve nga qeveria “Berisha” në kuadër të anëtarësimit në NATO dhe në BE
Helikopteri francez EC 145 që u rrëzua dje në liqenin e Shkodrës dhe shkaktoi vdekjen e 2 pilotëve, nuk ishte i vetmi incident i ngarkesës prej 5 helikopterëve që u blenë në vitin 2009 nga qeveria “Berisha” nga kompania franceze “Eurocopter”, si pjesë e konsorciumit Airbus në vitin 2009. Helikopteri i parë i ngarkesës së miratuar në kontratë nga Franca dhe Shqipëria më datë 25 korrik 2012 u rrëzua në Alpet franceze pikërisht një ditë para se ai të vinte në Shqipëri. 6 punonjës të “Eurocoper”-it do të humbitnin jetën duke testuar helikopterin Cougar, që ishte porositur nga qeveria shqiptare për llogari të Forcave Ajrore Shqiptare. Ndërkohë po atë ditë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes njoftohej se 3 helikopterë të kësaj kompanie do të mbërrinin në Shqipëri dhe për këtë do të kryhej një ceremoni zyrtare në orën 18:00 të datës 26 korrik 2012 në Aeroportin e Rinasit. Kontrata e blerjes së helikopterëve francezë nisi një operacion lobimi pikërisht në vitin 2009, kohë kur Sali Berisha, atëherë Kryeministër i Shqipërisë, zyrtarizoi dorëzimin në BE të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, me shpresën për të marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë qëllim, në atë kohë ish-kryeministri me ndihmën edhe të kreut të grupit të PPE-ve, Josefh Daul, siguroi dhe një vizitë në Francë dhe ku u takua me Presidentin e atëhershëm të atij vendi, Nicolas Sarkozy. Berisha shpresoi se me një lobim në një vend të madh të Europës do të arrijë të sigurojë shtysën e duhur për të marrë vendimin pozitiv nga krerët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian, por Franca nuk e dha asnjëherë votën e saj “pro”.
Në 18 Dhjetor 2009 do të nënshkruhej mes Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë franceze EUROCOPTER marrëveshja për blerjen e 5 helikopterëve të tipit COUGAR AS532 AL, të cilët do të futeshin në përdorim në Brigadën Ajrore gjatë 3-4 viteve të ardhshme. Fillimisht, kjo kontratë kapte vleren prej 78 633 288 eurosh dhe përbënte investimin më të madh në fushën e mbrojtjes që mbas rënies së komunizmit. Kontrata e blerjes së helikopterëve francezë u bë me përzgjedhje pas një kërkese dyfishe nga italianët dhe amerikanët, ndërsa Berisha zgjodhi “Eurocopter” dhe pagoi nga buxheti i shtetit plot 58 milionë euro. Qeveria e kaluar e ndryshoi dy herë kontratën pasi në fillim ishte caktuar se do të blihej një helikopter VIP për personalitetet dhe një mjekësor. Por më pas u vendos që këto të dy të zëvendësohen me helikopterë të tipit EC 145 si ai që u rrëzua dje në Malësinë e Madhe. Qëkur kanë ardhur, këta helikopterë kanë pasur vështirësi, sidomos me përshtatjen e stafit shqiptar, pasi kanë një sistem të sofistikuar funksionimi.