Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, ku është pritur me një ceremoni shtetërore nga homologu Giuseppe Conte.
Çështja kryesore e diskutimit është konferenca e donatorëve që do të mbahet në shkurt. Pikërisht për këtë çështje, kryeministri shqiptar është takuar dhe ka diskutuar edhe me ministrin e Jashtëm italian.
Në një video të publikuar në Facebook, Rama thotë se fatura e tërmetit arrin në një miliard euro, ndërsa Di Maio i jep besim se do të gjendet një zgjidhje në Konferencën e Donatorëve.
"Me ndihmën e miqve ku Italia është ndër më të afërtit do përpiqemi që Konferenca e Donatorëve të jetë një sukses. E kemi të qartë që për të përmbushur gjithë nevojën nuk do të mjaftojë. Do të vijojmë pas Konferencës me aspekte kurajoze dhe financiare duke përfituar nga qëndrueshmëria makroekonomike që kemi arritur me Reformat në vitet e fundit.
Do të kombinojmë disa skema financimi për rindërtimin. Sigurisht pa reduktuar dhe pa kufizuar programet për investimet e tjera dhe të mbrojtjes sociale. Jam shumë mirënjohës dhe i inkurajuar dhe gatishmëria e plotë që kam gjetur nga Conte dhe Di Maio", tha Rama.
Gjithashtu ai shtoi se javës tjetër do të takohet me kancelaren gjermane Agela Merkel.
"Do të vijoj me kancelaren Merkel në fillim javë dhe me disa kontakte kyçe të nivelit të lartë që Konferenca të ketë sukses. Planet e Rindërtimit po ecin shpejt brenda kalendarit për të filluar ngritjen e banesave të para në pranverë dhe për të përfunduar me shtëpitë në zonën rurale brenda 2020.
Po punohet dhe në planet e rindërtimit në qytetet e prekura ku ndërhyrjet do të jenë masive dhe procesi pak më i gjatë. Jemi brenda afateve. Ndërkohë është e qartë për të gjithë që do të vijojmë t’i paguajmë deri ditën e fundit qiranë të pastrehëve deri kur t’i kthejmë në banesa.
Jemi brenda afateve për rindërtimin e shkollave dhe spitalit të Laçit bashkë me 5 qendra shëndetësore që duhen rindërtuar nga e para. Për njerëzit e prekur është një pritje e lodhshme por ju lutem të gjithëve të durojnë dhe besim të plotë që askush nuk do të mbetet vetëm", theksoi Rama.