Ushtria
Deputeti socialist kërkon nga Prokuroria që të hedhë dritë mbi faktet e zbuluara nga media
Deputeti socialist i Qarkut të Beratit, Fidel Ylli, e konsideroi dje veprimtari të paligjshme atë që po bënte Ministria e Mbrojtjes në kombinatin e Poliçanit. Pas denoncimit në “Fiks Fare” për ripaketimin e fishekëve kallashnikovë, Ylli theksoi se është e paimagjinueshme që në një kohë kur qeveria amerikane jep fonde për shkatërrimin e armëve, qeveria shqiptare i ripaketon këto materiale. Sipas deputetit socialist, skema që qeveria po përdor në Poliçan është e njëjtë me atë që u ndoq në Gërdec. “Unë ju them një gjë, që ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe nuk duhet bërë asnjë lloj veprimi i ministrit të Mbrojtjes në mënyrë të jashtëligjshme. Mund të ketë një ligj për shitjen e armëve, por mesa di unë, nuk duhet ne të na ndodhë, ajo që ndodhi me Gërdecin. Pra nuk duhet të ndodhë që armët kineze, që janë të ndaluara me ligj nga shteti amerikan, të hapen kutitë metalike, të lahen, të pastrohen, të paketohen me kartonë dhe të nisen me arka në destinacione të ndryshme. Ky është një veprim që unë mendoj që ka vend për t’u hetuar dhe për të çuar para përgjegjësisë të gjithë ata njerëz, këtë proces zinxhir që nga drejtori i kombinatit, që nga ministri dhe Kryeministri për të gjithë këto afera që bën kjo qeveri”, theksoi Fidel Ylli në një intervistë për “Top Channel”. Sipas tij, kjo situatë po rrezikon jetën e qytetarëve në Poliçan, pasi proceset në Kombinat po bëhen jashtë të gjitha rregullave të përcaktuara. “Ne e kemi ngritur si Parti Socialiste dhe do ta ngremë zërin për të ruajtur jetën e qytetarëve, pasi në Poliçan kanë ndodhur disa vdekje dhe nuk mban askush përgjegjësi. As ai drejtori i papërgjegjshëm që nëpërmjet këtyre projekteve, në vend që të realizojë dhe ato para, të ketë mundësi për t’i investuar dhe për të paguar taksat në Bashkinë e Poliçanit”, deklaroi deputeti socialist. Nga ana tjetër, ai denoncoi shitjen e të gjitha makinerive në këtë kombinat, duke shtuar se godina ku ai është i vendosur, po bëhej gati për t’u shitur. “Unë do t’i bëja një thirrje Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes, pasi përveç këtyre që ne po flasim, atje po shkatërrohet ai kombinat i ngritur me mundin dhe djersën e atyre qytetarëve”, theksoi ai.
Alarmi – “Nuk duhet të ndodhë që armët kineze që janë të ndaluara me ligj nga shteti amerikan, të hapen kutitë metalike, të lahen, të pastrohen dhe të nisen me arka në destinacione të ndryshme”
Siguria – “Ne e kemi ngritur si Parti Socialiste dhe do ta ngremë zërin për të ruajtur jetën e qytetarëve, pasi në Poliçan, kanë ndodhur disa vdekje dhe nuk mban askush përgjegjësi”