Keq & mirë!


Reshjet e shumta kanë shkaktuar përmbytje, duke dëmtuar prona dhe toka, por nga ana tjetër kanë përmirësuar bilancin energjetik, pasi prodhohet 26 milionë dhe eksportohet 9 milionë kWh


Reshjet rrezikojnë HEC-in, shkarkohet 500 m³ në sekondë


HEC-i i Fierzës ka arritur në 293.36 metra mbi nivelin e detit, eksportet janë rreth 9 milionë kWh


HEC-i i Ashtës, i fundit në kaskadën e Drinit, ka nisur prodhimin e energjisë për 100 mijë familje


ARD KOLA



Pas lajmeve jo të mira me përmbytjet, KESH pasqyroi dje anën tjetër të situatës në Veri të vendit, përmirësimin e situatës energjetike. Pas një viti me probleme të shumta financiare, shkaktuar nga thatësira, duke rënduar financat e korporatës, tashmë vendi ka ndaluar importet dhe po shet energji elektrike. Megjithatë, KESH vijon të jetë e shqetësuar sa i takon nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, ku shtrihet hidrocentrali kryesor. Për shkak të reshjeve të shumta, kuota në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 293.36 metra mbi nivelin të detit. Ky nivel, konsiderohet mjaft kritik nga KESH, për shkak se pika maksimale në këtë HEC është 296 metra, pra Fierza ndodhet dy metra larg katastrofës. Inxhinierët e korporatës janë duke punuar 24 orë pa ndërprerje, ndërsa korporata jep garanci për menaxhimin e mëtejshëm të situatës, duke respektuar të gjitha protokollet e kaskadës së Drinit.


“Si rezultat i rritjes së nivelit në kaskadën e Drinit, prodhimi i energjisë ka arritur në rreth 26 milionë kilovat orë në ditë, e konsideruar si shifër e kënaqshme për sistemin tonë”, deklaroi dje kompania publike e prodhimit të energjisë. KESH priti një vit për të rikthyer eksportet. Prej tri ditësh, shitet energji elektrike, ku dje u regjistrua niveli i 9 milionë kilovat orë energji e eksportuar, nga të cilat 3 milionë kilovat po shkojnë për Kosovën. Prodhimi maksimal dhe eksportet janë manovra deri diku edhe të nxituara, për shkak të gjendjes së krijuar, si përpjekje për të ruajtur nivelin e liqeneve, në kuotat e parashikuara nga rregullorja.


Sipas KESH, tashmë është ndalur importi i energjisë elektrike pasi CEZ ka nisur t’i mbulojë vetë nevojat për energjinë e humbur në rrjet. Në të dy HEC-et e tjera të vendit, gjithnjë sa i takon kaskadës së Drinit, në Veri, shkarkimet e ujit vazhdojnë ende. Sipas të dhënave të fundit, Komani ka arritur në nivelin e 170.56 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që punohet me katër agregatë. Pavarësisht prodhimit të energjisë në maksimum, vijon që të shkarkohet rreth 300 metër kub në sekondë. Në HEC-in e Vaut të Dejës niveli është 74 metra, ndërkohë shkarkohet rreth 500 metër kub në sekondë.


“Sistemi energjetik në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm pas disa muajve pa reshje dhe problemeve të krijuara nga CEZ Shpërndarje, që më pas kaloi nën administrim shtetëror”, thotë korporata.


Sakaq, informacione vijnë edhe për hidrocentralin tjetër, atë të Ashtës, i fundit pas tre HEC-eve të përmendura më sipër, 50 kilometra larg grykëderdhjes së Drinit. HEC-i ka nisur të prodhojë energji elektrike, pas miratimit final që i bëri Ministria e Ekonomisë. Kjo ministri zhvilloi testet finale dy ditë më parë dhe tashmë Ashta po prodhon energji elektrike për 100 mijë familje.


HEC-i inovativ që operon me 90 turbina HydroMatrix me një kapacitet prej 53 MW do të prodhojë 240 milionë kWh energji elektrike në vit për Shqipërinë, kurse investimi arriti mbi 200 milionë euro.


E gjithë energjia elektrike e prodhuar në Ashtë do të blihet për 15 vjet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), furnizuesi publik shqiptar i energjisë elektrike. Pas kësaj periudhe, kontrata e blerjes së energjisë mund të zgjatet ose energjia elektrike mund të shitet në tregun e energjisë. Vazhdon të mbetet mister se me çfarë çmimi e blen KESH energjinë e prodhuar nga HEC-i i Ashtës, ndërsa mësohet se investimi i dy kompanive austriake EVN dhe “Verbund” kapi vlera të paparashikuara në raport me biznesplanin.


 


Hidrocentralet


Drini – Reshjet e shumta të javëve të fundit kanë fryrë liqenet në tre HEC-et Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës, në nivele kritike, kurse KESH po shkarkon 500 m³ ujë


Ashta – Kapaciteti i HEC-it është 53 MW, prodhimi 240 milionë kWh në vit, mbi 200 milionë euro investim, kurse energjia do t’i shitet KESH-it për 15 vjet me radhë


 


Kalimash-Morinë


Shembet dheu, bllokohet një korsi e autostradës


Njëra korsi e autostradës Kalimash-Morinë ka qenë e bllokuar gjatë natës së djeshme për shkak të rrëshqitjes së dherave. Në vendin e quajtur Mamëz, qindra metër kub dhera e gurë të skarpatave anësore, kanë rënë në trasenë e rrugës. Pas reshjeve të dendura të dëborës dhe shiut, fenomeni ka qenë më i theksuar. Fatmirësisht, gjatë rrëshqitjes nuk ka pasur automjete apo udhëtarë të prekur apo të dëmtuar nga gurët e rënë. Terreni në këtë pjesë të autostradës është shumë i lëvizshëm dhe gjatë gjithë kohës ka rrëshqitje, sidomos në kohë me reshje të dendura. Kompania që ka marrë përsipër mirëmbajtjen e rrugës ka punuar për pastrimin e dherave dhe largimin e gurëve, gjë që mund të ishte shmangur që me fillimin e punimeve nëpërmjet vendosjes së rrjetave metalike në pjesët e rrezikuara. Në këtë segment, nga ekspertët është kërkuar që të ndërhyhet përsëri për rehabilitimin tërësor të skarpatës, por deri tani nuk është miratuar asnjë projekt konkret.