Gjykata: Prokuroria të saktësojë akuzën – Gjyqtari Neritan Cena i kërkoi prokurorisë që të verifikojë akuzën ndaj Nazime Vishës. Sipas saj, vrasja me dashje ndoshta nuk qëndron, pasi e akuzuara pretendon se ka qëlluar për vetëmbrojtje dhe se përndiqej e përdhunohej nga viktima.


Prokuroria: Vrasje me dashje apo për vetëmbrojtje? – Prokuroria është në dilemë për akuzën që do të ngrejë ndaj Nazime Vishës. Sipas saj, nëse nuk qëndron vrasja me dashje, atëherë kemi të bëjmë me vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme. Megjithatë, në të dyja rastet, Nazimja nuk shpëton dot nga burgu.


Dëshmia 


Nazime Visha, para akuzës dhe gjykatës: S’e vrava me dashje, por për vetëmbrojtje


Sokol Çobo


Nazime Visha ka treguar dramën e jetës së saj para oficerëve të policisë gjyqësore. Ka pretenduar se është mbajtur 10-12 ditë në një pyll në Burrel ku dhe është përdhunuar nga Fiqiri Muça dhe nuk ka denoncuar ngjarjen, megjithëse çështja është mbyllur. Më pas ka pretenduar se është dhunuar sistematikisht nga viktima. Ajo ka pohuar se Fiqiriu vinte shpesh te familja e saj, për shkak të lidhjeve familjare, pasi vëllai i viktimës ka marrë për bashkëshorte motrën e Nazimes. “Në një rast më gjeti vetëm në banesë dhe më provokoi, duke më kërkuar të kryeja marrëdhënie seksuale me të, gjë të cilën e realizoi pa pëlqimin tim. Pas kësaj ngjarje, vizitat në shtëpinë time janë shtuar dhe njëkohësisht dhe kontaktet seksuale”, pohon Nazimja, para oficerëve të policisë gjyqësore, duke shtuar se “marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të dhunshme dhe kundra dëshirës”. Një nga episodet e treguara nga 18-vjeçarja ka qenë fejesa e saj e prishur me një djalë nga Shijaku, emigrant në Itali. Ajo ka pohuar para OPGj-ve se Fiqiriu e ka marrë në telefon të fejuarin dhe i tha se “Nazimja është e imja”. Pas kësaj telefonate, është prishur edhe fejesa. Këto deklarime, janë paraqitur nga prokuroria dje në Gjykatën e Tiranës, ku dhe u zhvillua seanca e masës së sigurisë ndaj 18-vjeçares. Prokurori Blerim Tominaj lexoi pretendimet e akuzës, sipas së cilës Nazimja ka pretenduar se personi nën hetim ka qëlluar 29 herë në drejtim të Fiqiri Muçës, ku pesë predha kanë goditur viktimën, duke i shkaktuar vdekjen. Ndërkohë, vetë Nazime Visha ka deklaruar personalisht dje në gjykatë se “nuk e kam vrarë me dashje, por për vetëmbrojtje. Kam shumë gjera për të thënë, por këtu s’do të jap deklarime”. Këto kanë qenë fjalët e vetme, ndërsa pohoi se u përmbahet deklarimeve para hetuesve, madje pretendoi, nëpërmjet avokates, se do të jetë bashkëpunuese me organin e akuzës.


 


Njohja familjare


Prokurori Blerim Tominaj la lexuar faktet e kësaj çështjeje. Ai ka pohuar se “viktima Fiqiri Muça para disa viteve për shkak të marrëdhënieve të punës është njohur me shtetasin Beqir Visha, babanë e personit nën hetim, Nazime Visha, dhe kanë lidhur miqësi e cila është bërë tashmë dhe familjare, pasi viktima vinte shpesh në banesën e Beqirit dhe përveç kësaj ai ka marrë dhe njërën prej vajzave të tij për vëllain”. Nisur nga kjo lidhje, pohon prokurori, viktima shpesh për shkak dhe të punës qëndronte me ditë të tëra në banesën e Beqirit dhe në një rast, sipas personit nën hetim Nazime Visha, ai e ka gjetur vetëm në banesë dhe e ka provokuar duke i kërkuar të kryente marrëdhënie seksuale me të, gjë të cilën e ka realizuar, por pa pëlqimin e Nazimes. Pas kësaj ngjarjeje, vizitat në shtëpinë e Vishajve janë shtuar dhe njëkohësisht dhe kontaktet seksuale mes viktimës dhe Nazmies të cilat siç insistohet nga kjo e fundit kanë gjithmonë të dhunshme dhe kundër dëshirës së saj. “Rreth muajit dhjetor të vitit të kaluar, familja Vishaj ka fejuar Nazimen, fejesë e cila është përjetuar keq nga viktima, i cili pretendohet se në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm ka insistuar në ruajtjen e marrëdhënies mes tyre, por dhe ka kërcënuar se ajo nuk do të fejohej me asnjëri tjetër përveç tij dhe në një rast ai me këtë gjuhë i ka folur dhe vetë të fejuarit, gjë e cila ka detyruar këtë të fundit të prishë fejesën”, thotë prokurori. Siç edhe është saktësuar nga hetimet e deritanishme, viktima për të bërë të besueshëm faktin që ajo nuk mund të lidhej me dikë tjetër, rreth mesit të muajit maj e ka marrë nga banesa dhe e ka dërguar në një pyll ku dhe është mbajtur për rreth 10-12 ditë në kushte tepër të vështira presioni psikik dhe fizik për të vazhduar lidhjen. Është bërë kallëzim për këtë ngjarje nga Nazimja dhe familjarët e saj dhe çështja është mbyllur.


 


29 të shtëna


Organi i akuzës ka paraqitur edhe versionin e ngjarjes së datës 13 gusht 2012. Sipas tij, pak pas mesit të natës, viktima i cili kishte sinjalizuar Nazimen se do të vinte ta merrte, rreth orës 03:00 ka ardhur në Tiranë me mjetin taksi të shtetasit Myrvet Bardhi. Ka trokitur në derën e saj. Personi nën hetim ka marrë një armë që e mbante pa leje të organeve kompetente dhe me të ka qëlluar drejt tij e pasi ai është larguar me vrap ajo e ka ndjekur duke e qëlluar me breshëri. Ajo ka pretenduar se armën e kishte gjetur në një tunel. Pasi ka vazhduar të gjuajë, ajo ka arritur pranë një vendi të pjerrët, ku ka parë trupin e Fiqiriut të larë në gjak e pas kësaj ajo u ka treguar familjarëve, të cilët kishin ardhur aty. Ka telefonuar shërbimet e policisë me telefonin e njërit prej të afërmve se çfarë kishte ndodhur. Pas mbërritjes në vendngjarje nga shërbimet përkatëse, si dhe ekspertëve janë evidentuar në vendngjarje 29 gëzhoja metalike me ngjyrë bakri në formë shishe me kapsolla të goditura, syzë dielli, një armë zjarri automatike nr.07477-84, si dhe sende të tjera me vlerë për hetimin që janë dërguar më pas për ekspertime të mëtejshme. Të pyetur rreth ngjarjes në fjalë, familjarë të personit nën hetim sqarojnë rrjedhën e marrëdhënieve me viktimën ashtu sikurse dhe u citua më lart duke pretenduar dhe argumentuar se viktima në mënyrë sistematike dhunonte vajzën çka e ka detyruar këtë të fundit të kryejë dhe veprimin në fjalë. “Është pretenduar për dhunë fizike, përdhunime e kërcënime, por të gjitha ngelen për t’u verifikuar”, tha prokurori, duke shtuar se ditën e ngjarjes, mes viktimës dhe autores ka pasur shkëmbime mesazhesh intime me njëri-tjetrin. Prokurori pretendoi se autorja e dyshuar është person i rrezikshëm dhe kërkoi të lihej në “burg pa afat”


 


Deklarimet e mbrojtjes


Më pas e mori fjalën avokatja Vjollca Pustina, e cila pretendoi se arresti është i ligjshëm, ndërsa kërkoi një masë më të lehtë. Ndaj Nazimes, tha avokatja, është ushtruar dhunë fizike, është përdhunuar sistematikisht, çka kanë ndikuar në të gjithë këtë ngjarje. Madje, ajo pretendoi se për këto veprime të viktimës kanë dijeni edhe persona të tretë, që janë përmendur nga 18-vjeçarja para oficerëve të policisë gjyqësore. “E arrestuara pretendon se do të jetë bashkëpunëtore me policinë dhe prokurorinë, madje është dorëzuar vullnetarisht, çka mundëson që gjykata të japë një masë lehtësuese më të lehtë nga ajo që kërkoi. Pasi u tërhoq për vendim, gjyqtari Neritan Cena vendosi të lërë në burg me afat 30-ditor Nazime Vishën deri në saktësimin e akuzës nga prokuroria, që e akuzon për vrasje me dashje.


30 Ditë – Burg vendosi gjyqtari Neritan Cena ndaj 18-vjeçares Nazime Visha, që akuzohet për vrasjen e Fiqiri Muçës


 


Deklarimet


Shoferi i taksisë: Fiqiriun e ndiqnin tre persona


Një nga dëshmitë më interesante për këtë çështje, që prokuroria e ka paraqitur edhe në gjykatë, kanë qenë deklaratat e bërë nga Myrvet Bardhi, shoferi i taksisë që kishte sjellë në periferi të Tiranës viktimën. Ai ka pohuar se e ka marrë Fiqiriun në Sukth të Durrësit, ku dhe jetonin. Madje ka pretenduar se ka pasur edhe njohje të mëparshme, pasi i ka shërbyer disa herë këtij personi. “Fiqiri Muçën e njoh prej disa kohësh. Jetojmë në një zonë”, pretendon 26-vjeçari para oficerëve të policisë gjyqësore, ndërsa ka shpjeguar më pas udhëtimin nga Durrësi në Tiranë. Sipas tij, Fiqiriu ishte pak i tensionuar dhe pothuajse gjatë gjithë kohës qëndronte në telefon, duke folur dhe shkëmbyer mesazhe. Nuk më ka thënë se më kë fliste, por më ka treguar për një lidhje”, ka pohuar Myrvet Bardhi, fakte të cilat janë përmendur edhe nga akuza në kërkesën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Nazime Vishës. Ndërkohë, një tjetër episod ka qenë deklarata e Myrvetit për ngjarjen. Ai ka qenë në një rrugë dytësore të fshatit Kërrabë, afër banesës ku qëndronte autorja. “Kam dëgjuar fillimisht disa të shtëna dhe më pas kam parë Fiqiriun që vraponte. Pasi tij ishin vërsulur tre persona, një vajzë, një grua e moshuar dhe një mesoburrë”, ka pohuar para OPGJ-ve shoferi i taksisë, ndërsa akuza ka verifikuar këta persona të cilët kanë rezultuar se ishin Nazimja, gjyshja dhe xhaxhai i saj, për të cilët është hapur një hetim. Prokuroria thotë se të gjitha deklarimet e Nazime Vishës dhe të familjarëve të saj mbeten për t’u verifikuar. s.ç