Nëna e Lirakut: Shpëtonte, nëse qeveria jepte shpresa. Gruaja: E paralajmëruar
I përndjekuri në kohën e diktaturës dhe në demokraci, Lirak Bejko, para vdekjes, u bëri apel shokëve të mos kryejnë të njëjtin veprim. Ai tha se dhimbjet e djegies së trupit nga zjarri ishin të padurueshme dhe kërkonte që grevistët të mos ndërmerrnin asnjë veprim të tillë. “Të mos bëjnë akte të tilla, të djegin veten. I dua shumë”, u tha Lirak Bejko shokëve, që në atë kohë ishin në çadrën e grevës së urisë. Më tej pohoi: “Kemi pasur një protestë kundër qeverisë, për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, për sa u përket ish të burgosurve politikë dhe kishim ditë që nuk merrnim asnjë përgjigje. Madje diskriminimi vazhdon. Këtë çështje kishim vendosur ta sensibilizojmë me kryerjen e disa akteve të rënda që shkonin deri në ekstrem. Dhe ashtu siç u paralajmërua, ndodhi. Unë, Gjergj Ndreca, dhe disa persona të tjerë jemi organizatorë të asaj greve”. Megjithëse i djegur më shumë se gjysmën e trupit, ai ka bërë edhe një lutje për shokët. “U lutem shokëve të mi të mos e bëjnë këtë akt ekstrem. Është shumë e vështirë të ndiesh dhimbje të djegies së trupit. Piqet mish në hell. Për arsye se unë shokët e mi i dua shumë, kemi të njëjtin ideal, nuk dua që t’i ndiejnë këto dhimbje, u kërkoj që të mos marrin këto veprime”, përfundoi Bejko, pa e ditur se këto do të ishin fjalët e tij të fundit.
Nëna: Qeveria ta parandalonte
“Liraku do të shpëtonte, nëse qeveria do të jepte shpresa për ish të përndjekurit politikë”. Kështu ka deklaruar Jurxhi Bejko, nëna e ish të përndjekurit politik, i cili humbi jetën dje në një poliklinikë në qytetin e Barit në Itali. E moshuara ka folur për marrëdhënien me të birin, ndërsa pohoi në një intervistë televizive se vdekja ka ardhur për shkak të komplikacioneve në organet jetike siç është veshka.
“Për qeverinë nuk kam asnjë mesazh, por të mos ta kishte lënë djalin në atë gjendje. Një fjalë të mirë t’i kishin thënë atij djali, edhe ta gënjenin, se ‘dil ore se do të jap pesë lekë nesër’. Ai ka dy çupa të rritura dhe për ato shqyhej, iu fut zjarrit”, tha nëna e pikëlluar, ndërsa foli edhe për jetën e të birit, që nga dënimi në diktaturë me 10 vite burg. Ajo tregoi edhe për jetën aktuale, ku 47-vjeçari nuk kishte as punë dhe as shtëpi.
“Liraku është rritur me fukarallëk, me halle me siklete. Që 16 vjeç shkoi për politik me shokët në Sarandë dhe e kapën e futën brenda. E dënuan 10 vjet. Ai bëri 6 vjet. Më thoshte që njërin vesh ma kanë dëmtuar në burg me aparatura, nuk dëgjonte. Nuk e dija fare që do hynte në grevë, nuk ka folur fare me ne. Ne e kemi mbështetur, edhe vëllezërit, po çfarë t’i bënim, ai ishte pa shtëpi, nuk kishte punë. Vinte priste ndonjë dru në Skrapar dhe andej nuk e linte policia”, pohoi nëna.
Tragjedi e paralajmëruar
Për familjarët e Lirak Bejkos, akti i vetëflijimit të djegies me benzinë ishte i paralajmëruar. Vëllezërit dhe bashkëshortja e 47-vjeçarit pohojnë se “indiferenca e shtetit po sjell tragjedi në jetët e tyre”. Edlira Bejko është tronditur tej mase nga vdekja tragjike e bashkëshortit, me të cilin ka dy vajza. “Ngjarja ishte e paralajmëruar, arsyet dihen. Përveçse ekonomike, është shkelje e dinjitetit të tij. Indiferencë shumë e madhe e këtij shtetit tonë demokratik. Ata e paralajmëruan në gazeta, në televizione, e thanë me gojën plot që do të vetëdigjen nëse shteti nuk u plotëson kërkesat”, ka pohuar Edlira, duke shtuar se kushtet e vështira ekonomike sollën këtë tragjedi në familjen e saj. s.ç
Nëna – Liraku është rritur me fukarallëk, me halle, me siklete. Që 16-vjeç shkoi për politik me shokët në Sarandë dhe e kapën e futën brenda
Gruaja – Ngjarja ishte e paralajmëruar, arsyet dihen. Përveçse ekonomike, është shkelje e dinjitetit të tij. Indiferencë shumë e madhe e këtij shtetit tonë demokratik
Vetëflijimet
Gjergj Ndreca – Ish i përndjekuri politik, Gjergj Ndreca, ishte personi i parë që i vuri flakën vetes, në shenjë revolte për mospërmbushjen e kërkesave nga qeveria
Lirak Bejko – Dy ditë pas Ndrecës, 47-vjeçari “imitoi” shokun e qelisë në kohën e diktaturës. Akti i djegies u bë “live” në një televizion
Gani Aliu – Personi i tretë që tentoi të djegë veten ishte një tjetër i përndjekur, i cili hodhi në kokë gjysmë litër benzinë. U kap pa ndezur çakmakun
Gëzim Hamiti – Vetëflijimi i pogradecarit i kaloi kufijtë e ngjarjeve në kryeqytet. Ai u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Është në gjendje të rëndë
Hapat
Shokët: Demonstratë në Institutin e të Përndjekurve
Lajmi i vdekjes së Lirak Bejkos ka qenë një humbje e madhe për të gjithë ish të përndjekurit politikë. Ata nuk kanë qenë në gjendje që të përshkruajnë dhimbjen që i ka mbërthyer dhe paralizuar të tërë. Nuk kanë nguruar që të hedhin akuza ndaj qeverisë “Berisha”, duke thënë se ajo është shkaktarja kryesore për vdekjen e 47-vjeçarit. Njëkohësisht ata kanë paralajmëruar organizime të tjera, për të kërkuar dëmshpërblimet dhe për të përmbushur amanetin e Lirak Bejkos, i cili u vetëflijua në emër të kauzës së ish të përndjekurve politikë. Menjëherë pas marrjes së lajmit të hidhur, kanë kërkuar që të gjitha homazhet të zhvillohen në Institutin e ish të Përndjekurve Politikë. Sot, rreth orës 9:00, ata do të mblidhen për të folur në lidhje me përgatitjet e ceremonisë mortore ku pritet që të mbajnë edhe disa fjalime. Gjergj Ndreca, i cili njihet si miku më i ngushtë i Bejkos, është ai që e ka përjetuar më shumë vdekjen. Ndreca, i cili vijon të kurohet pranë repartit të djegieve, ka kërkuar që edhe Gëzim Hamiti, ish i përndjekuri politik i cili u vetëdogj me benzinë në Pogradec, të dërgohet jashtë shtetit, sepse është shumë rëndë.
Deklarata
Greva nuk është mbyllur, sapo u hap. Gjendje e pashpresë
Gjergj Ndreca: Do ta çoj amanetin e Lirakut deri në fund
Gjergj Ndreca, miku më i ngushtë i Lirak Bejkos, i cili ka qenë edhe një ndër drejtuesit e grevës së urisë, e ka përjetuar shumë keq vdekjen e 47-vjeçarit. Ngjarja përtej Adriatikut është cilësuar si lajmi më i hidhur i jetës së Ndrecës, duke i garantuar Bejkos se “amaneti i tij do të përmbushet”. Miqësia mes Bejkos dhe Ndrecës ka nisur shumë vite më parë, që në kohën e diktaturës. Ata kanë qëndruar në të njëjtën qeli dhe që prej asaj kohe, nuk janë ndarë kurrë. Menjëherë pas ngjarjes, ai nuk ka nguruar që të japë qëndrimin e tij, për humbjen e jetës së Lirak Bejkos, duke akuzuar qeverinë “Berisha”.
Si e pritët lajmin për vdekjen e Lirak Bejkos?
Laku ka qenë më shumë se vëlla për mua. Jam shumë keq dhe nuk di çfarë të them, akoma nuk arrij ta besoj se ai nuk është më me ne. Vdekja e tij është një humbje e madhe, jo vetëm për mua, por për të gjithë ish të përndjekurit. Është djegur dy ditë pas meje sepse më zëvendësoi mua, menjëherë pasi unë tentova që të vetëdigjesha. Ai ka qenë shëndetligë. Nuk mundi që t’i përballonte plagët dhe për më tepër, kishte një palë pantallona të gomuara, që iu ngjitën pas trupit. Unë mbijetova, sepse kam shëndet të mirë dhe atë ditë që u dogja, kisha veshur një palë tuta, të cilat fatmirësisht më ndihmuan që plagët të mos ishin aq të thella. Ai i shkreti vuante nga shumë sëmundje mes tyre, edhe nga tuberkulozi.
Si jeni njohur me Bejkon?
Masën e dënimit, e dhënë në kohën e diktaturës, e kemi vuajtur në të njëjtin burg. Aty jemi njohur dhe Laku ishte një njeri me shumë vlera. Ai i ndihmonte ish të burgosurit më të moshuar, sikur t’i kishte prindërit e tij. Këtë gjë e bënim bashkë, sepse na falte kënaqësi. Na tha që të mbahemi fort, se ai do të bëhej pishtar për ne dhe u vetëflijua në emër të të gjithë ish të përndjekurve politikë.
Çfarë do të bëni tani?
Vdekja e Lirak Bejkos vetëm sa e hapi grevën, nuk e mbylli. Kjo nuk ka për të kaluar kaq lehtë, ka për të marrë përmasa të mëdha. Unë do ta çoj në fund amanetin e Lirak Bejkos. Më duket sikur e kam djegur me duart e mia, sepse ai erdhi që të më zëvendësonte mua, menjëherë pasi u dogja. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për bashkëvuajtësin tim. Gjithashtu jam në pritje të përgjigjes së sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe kam besim se ajo do reagojë për kauzën tonë.
Kush është fajtor për vdekjen e tij?
Si kush është fajtor?! Fajtor është shteti sepse ai i mori jetën Lirak Bejkos. Ai nuk e respektoi ligjin, që e vulosi me duart e veta dhe si pasojë e mungesës së indiferentizmit të shtetit, Laku dogji veten se e shihte gjendjen të pashpresë.
Intervista
Flet shoku i ngushtë i Lirak Bejkos, i burgosuri në shtëpi
Perikli Shqevi: Fola para tri ditëve, më tha “ju dua shumë”
Perikli Shqevi, një nga shokët e ngushtë të Lirak Bejkos, ka folur për njohjen me 47-vjeçarin. Në një intervistë për “Shqip” ai thotë se ka folur me Lakun para tri ditëve.
Kur keni folur për herë të fundit me Lirakun?
Para tri ditëve, më mori në telefon. Më tha të ‘dua shumë’, filloi duke qarë. Ne jemi tre mosketierët, unë, Gjergji dhe Liraku.
Ju tha për gjendjen shëndetësore?
Më tha nuk jam mirë, por unë i thashë je mirë, doja t’i rrisja anën psikologjike. Më tha se ‘edhe po të më ndodhi ndonjë gjë mua, ti me Gjergjin e di që do ta vazhdoni luftën edhe unë jam me ju’.
Kur e keni njohur Lirakun?
Lirakun e kam njohur pas burgut, ka fjetur te shtëpia ime, bridhte me mua gjitëh ditën, hanim bashkë, shikonim futboll bashkë, ka qenë portier i Partizanit, unë futbollist i Dinamos. Na lidhte edhe shumë muzika, i flisja shumë për muzikën. Kur vija nga Korfuzi, shkonim në lokal muzikor.
Si u fut Liraku në grevë?
Duke e ditur që po futemi në grevë, e mori vesh. Emri i Gjergjit, Lirakut dhe i imi është i shkruar edhe sot në mur. I thash që s’na lejojnë ta bëjmë, ta bëjmë te bahçja ime. Morëm dyshekët e karriget nga shtëpia ime dhe i nxorëm te trotuari. Ne të tre morëm edhe dy pleq nga 75 vjeç, u bëmë 5. U bëmë 10, 15 e më vonë 20, pa asnjë interes politik, por thjesht për dinjitetin tonë.
Me çfarë merrej Liraku?
Liraku kishte punë në Skrapar, ai bënte qymyr në Skrapar, te pronat e babait dhe xhaxhait. Këta prisnin dru dhe bënin qymyr. Me këtë punë mbante familjen dhe vajzat në shkollë. Kur mori vesh që Gjergji u dogj dhe se Perikliu i ka vënë zjarrin, e la dhe pyllin dhe qymyrin dhe u nis në Tiranë, sepse e dinte shumë mirë që unë isha i pafajshëm. Liraku, që të ////çonte mendimin e të këqijve, arriti deri në atë pikë që unë///// s’e kam djegur Gjergjin dhe se po digjem edhe unë vetë.