nokaDeputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka deklaruar sot se mbështet policinë për operacionin kundër kultivimit të lëndëve narkotike në Lazarat, por jo atë që e cilësoi si një shoë banditesk të ministrit të Brendshëm.


“Mbështesim policinë, por ky që po shohin është një show banditesk i ministrit, si terroristët në Irak dhe Afganistan më maskat që nxori në konferencë për shtyp”, tha Noka.


Sipas Nokës, problemi nuk qëndron thjesht tek Lazarati, pasi sipas tij kjo qeveri e ka kthyer gjithë Shqipërinë në Lazarat.


“Jeta e çdo qytetari dhe polici është e shenjtë ndaj përgjegjësinë per kete do e mbajnë ata”, tha Noka.


PD: Mbështesim policinë në luftë kundër trafikut, por kjo është pseudofushata e Ramës dhe Tahirit


Partia Demokratike ka reaguar pas më tepër se 24 orë nga nisja e operacionit të gjerë antidrogë në Lazarat. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat PD shprehet se mbështet dhe do të mbështesë çdo vendim dhe aksion kundër narko-trafikut, por i bën thirrje “profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile”.


PD nga ana tjetër e cilëson këtë aksion si pseudofushata e Ramës dhe Tahirit me karakter propagandistik dhe selektiv.


Deklarata e plot¡ e PD


Partia Demokratike është dhe mbetet, mbështet dhe do të mbështesë çdo vendim dhe aksion kundër narko-trafikut. Ne mbështesim forcat e policisë në aksionet e tyre, sikundër u bëjmë thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë.


Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit.


Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile.


Ne nuk presim që këtë kujdes ta bëjë Rama dhe Tahiri, pasi atyre nuk u intereson jeta e banorëve dhe e policëve.


Pseudofushata e Ramës dhe Tahirit, është një pozicionim taktik – t’ia hedhim botës – me karakter propagandistik dhe selektiv.


Narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit  nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut.


Droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët por nga aleanca e njerëzve të ndershëm.


Rama: PD asnjë fjalë për dhunimin e gazetarëve dhe plagosjen e policit, vetëm për Tahirin


Menjëherë pas deklaratës së demokratëve, ka reaguar Kryeministri Edi Rama, po nëpërmjet rrjeteve sociale.


“Ah,foli PD! Asnjë llaf për gazetarët e dhunuar e policin e plagosur, po një mbështetje policisë me kusht që mos dëgjojë Ministrin e Brendshëm!”, shkruan Rama.


17 qershor 2014 (gazeta-Shqip.com)