Ened Bostani është një nga protestuesit e plagosur mbrëmjen e djeshme para parlamentit. Fotot e tij nga spitali qarkulluan me shpejtësi në rrjet, ku sipas PD-së kishte marrë një plagë plumbi.


Shumë shpejt incidenti u sqarua nga Ministria e Shëndetësisë, që në një komunikatë për mediat thoshte se 29-vjeçari ishte plagosur nga mjetet piroteknike që u përdorën nga protestuesit e tjerë te Parlamenti.


Ndërkohë, Ened Bostani vijon të mbetet i shtruar në spital, nga ku ka folur për mediat duke treguar se si u plagos.


“Isha duke filmuar protestuesit me telefon tek hyrja e Parlamentit me kurriz nga policia. Aty  rashë në tokë, nuk pash gjë.  Shkova në spital ku më dhanë ndihmën e shpejtë. Në këmbë kam marrë pjesë metalike që mi fshehën në spital.”


Bostani, i cili është kthyer nga emigrimi tre vite më parë tregon se nuk do të heqë  dorë nga protesta.


“Do të marr pjesë prapë në protestë edhe sikur me paterica të shkoj. Kam qenë emigrant dhe jam kthyer por tashmë jam emigrant në shtetin tim”, thotë ai.