Gjosha dhe Cani: Brukseli na besoi. Bregu: Procesi u vonua 6 muaj


Projektet – Me 64 milionë eurot në dispozicion, qeveria duhet të zbatojë projekte si siguria rrugore, zhvillimi rural, mbrojtja e konsumatorit dhe edukimi profesional.


Administrata – Një administratë e papolitizuar profesionale dhe e aftë të jetë menaxhere e mirë është një nga pesë prioritetet e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.


KE – Zyra e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë ishte menaxherja e fondeve të Brukselit për qeverinë shqiptare, përpara marrëveshjes së re.


Statusi – Marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në muajin qershor, nuk do të shtojë të ardhura të reja nga Bashkimi Europian dhe po kështu nuk do të sjellë ndryshime në mënyrën sesi menaxhohen fondet.


FATJONA MEJDINI


Gjosha CANIInstitucionet shqiptare do të vetadministrojnë fondet të cilat vijnë si ndihmë nga Komisioni Europian për shtetin tonë, në kuadër të procesit të integrimit. Tashmë administrata shqiptare ka në dorë të menaxhoje vetëm 64 milionë euro fonde, të cilat do të përdoren për zbatimin e 12 projekteve që nisin nga siguria rrugore dhe shkojnë deri te rritja e kapaciteteve për arsimin profesional. Kjo arritje u prezantua dje nga dy ministra të qeverisë “Rama”, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani. Ata jo vetëm e konsideruan këtë një sukses për vendin në procesin e integrimit, por theksuan se ishte besimi që Bashkimi Europian kishte krijuar te qëndrueshmëria e administratës shqiptare që kishte sjellë një vendim të tillë. Por ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një deklaratë për mediat theksoi se qeveria e re e majtë nuk kishte asnjë kontribut pozitiv arritjen e një marrëdhënie të tillë me Bashkimin Europian. Sipas Bregut, si pasojë e shkarkimeve të sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive nga ana e mazhorancës së re, marrja e një të drejte të tillë u vonua me gjashtë muaj.


Ministrat


Fitimi i të drejtës së palës shqiptare për të menaxhuar 64 milionë euro fonde nga Bashkimi Europian u konsiderua si një arritje e rëndësishme nga ana e dy ministrave të qeverisë “Rama”. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, se e drejta e qeverisë shqiptare për të menaxhuar 12 projektet e planifikuara për t’u kryer me këto fonde, është besim, por edhe përgjegjësi. Ministrja Gjosha e cilësoi këtë zhvillim një mesazh pozitiv të Brukselit për qeverinë e re shqiptare dhe po kështu vlerësim për qëndrueshmërinë që ka fituar administrata shqiptare. “Ky sukses është një dëshmi e një administrate shtetërore eficente ku Brukseli mund të mbështetet pa asnjë ekuivok. Gjithashtu, do ta cilësoja një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare, e cila duhet të vazhdojë rrugën e nisur duke përparuar me reformat, për të garantuar mbi të gjitha më shumë siguri dhe progres për qytetarët shqiptarë”, theksoi ministrja Gjosha në fjalën e saj. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili është përcaktuar nga qeveria në gjashtë muajt e ardhshëm si interlokutori kryesor në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme partnere si BE, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas Canit, kjo e drejtë do të jetë dhe eksperiencë e mirë për administratën shqiptare në kuadër të forcimit të kapaciteteve të saj për integrim.


Bregu


Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e konsideroi zero kontributin e qeverisë së majtë në procesin e administrimit të fondeve të BE-së. Sipas saj, mazhoranca aktuale vetëm e kishte vonuar procesin me shkarkimet e padrejta që kishte bërë në postet kryesore nëpër ministri. “E dini se cili është kontributi i qeverisë “Rama” këto gjashtë muaj për këtë proces? Vonesa! Shtyrja e akreditimit! Gjashtë muaj të tjerë të humbur, pasi largimi nga puna i sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive, kërkoi dhe gjashtë muaj kohë që Komisioni Europian të njihej e të intervistonte punonjësit e rinj”, theksoi Bregu. Sipas saj, procesi për këtë arritje kishte nisur që në vitin 2009 dhe nga qeveria “Berisha” ishin bërë të gjitha trajtimet dhe përgatitjet për këtë proces.