Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin, në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” kanë shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.


Mësohet dy ambasadorët dhe ministri kanë diskutuar për dosjet e grupeve kriminale. Në fokus të takimit ka qenë dhe procesi i Vettingut.


Operacioni policor ‘Forca e Ligjit’, që ka futur në grackë 38 dosje të bandave kriminale, ka angazhuar këtë të premte ambasadorët e SHBA dhe BE, të cilët kanë zhvilluar takime të njëpasnjëshme në zyrën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.


E para ka qenë kryediplomatja e BE, Romana Vlahutin, e cila ka zhvilluar një takim 45 minuta me ministrin Xhafaj. Ndërsa menjëherë pas largimit të saj, në Ministrinë e Brendshme ka mbërritur ambasadori Donald Lu, i cili ka zhvilluar një takim të gjatë mbi një orë e gjysmë, ku tema më e nxehtë e diskutimit ka qenë goditja e bandave kriminale.


‘Forca e Ligjit’ dhe Vettingu në Policinë e Shtetit janë dy temat e nxehta që janë diskutuar mes ambasadorëve Lu e Vlahutin dhe ministrit Xhafaj. Pjesë e aksionit ‘Forca e Ligjit’ janë ekspertët më të mirë në vend, por edhe ata të huaj. Është një ekspert i FBI, i cili jep ndihmën e tij në hetimin e grupeve kriminale.


Ky takim vjen vetëm dy ditë pas mbledhjes së Task-Forcës Qendrore Ndërinstitucionale në kuadër të planit të veprimit kundër krimit të organizuar, operacionit – ‘Forca e Ligjit’. Janë 38 dosje të organizatave kriminale, që kanë përfunduar në duart e policisë dhe që së shpejti pritet të kemi efektet e para të operacionit.


12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)