“Leje abuzive të drejtuesve për të ndihmuar kandidatët”


Pezullimi – FRD-ja kërkon që të pezullohet dhënia e lejeve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për lejet e të burgosurve në prag të zgjedhjeve


Fenomeni – Sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri, fenomeni i lirimit i të fortëve nga burgu është i dukshëm nga çdo parti që është në pushtet


BLEDAR HOTI


lirimi i te burgosurveFryma e Re Demokratike jep alarmin për lirimin e të burgosurve për t’i përdorur për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një deklaratë për mediat, kjo parti shprehu shqetësimin dhe denoncoi praktikat e Ministrisë së Drejtësisë për dhënien e lejeve për të dënuarit në prag të zgjedhjeve parlamentare. “Ashtu sikundër është bërë e ditur këtë javë nëpërmjet lajmeve në media, dy të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore kanë thyer kriteret ligjore për respektimin e afatit të lejeve shpërblyese, duke mos u kthyer sërish në burg për të vijuar vuajtjen e dënimit të mbetur. Këto ngjarje kanë krijuar një pështjellim të madh për sigurinë publike, duke pasur një ndikim mjaft negativ edhe për klimën e qetë të procesit zgjedhor. Nisur nga memoria historike dhe precedentët në zgjedhjet e mëparshme, nuk kanë qenë të pakta rastet kur gjatë fushatave janë denoncuar raste ku në prapavijë të aktiviteteve politike kanë qëndruar individë të rrezikshëm me precedentë penalë. Madje në disa raste janë shfrytëzuar edhe leje abuzive nga drejtues të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale që këta individë t’u vijnë në ndihmë kandidatëve të ndryshëm për deputetë me anë të influencës së tyre agresive ndaj elektoratit”, tha dje Urim Qinami, drejtues i departamentit të çështjeve të sigurisë në FRD. Ai theksoi se Fryma e re Demokratike denoncon publikisht praktikat e fundit të lejeve që po u jepen të dënuarve dhe nuk e konsideron të rastësishëm shkeljen e këtyre lejeve nga ana e këtyre të fundit. “Ne nuk dëshirojmë të besojmë se këto leje janë pjesë e skenarëve për të përfshirë në fushatën elektorale elementë të rrezikshëm për sigurinë publike, duke intimiduar votuesit, por kërkojmë që në zbatim të legjislacionit në fuqi, procedurat e lejeve të pezullohen deri pas përfundimit të fushatës elektorale. Sa herë ka pasur zgjedhje në Shqipërisë, ka pasur lirime nga burgimi, dhënie lejesh me qëllim përdorimin e tyre nga ana e partisë në pushtet për zgjedhjet e përgjithshme apo lokale. Ky fenomen shqetësues është ngritur si shqetësim nga FRD-ja, e cila kërkon me forcë bllokimin e procedurave të dhënies së lejeve për personat që vuajnë burgimin. “Për hir të së vërtetës, gjatë gjithë këtyre viteve, me gjithë rekomandimet e BE-së për ta kthyer shërbimin penitenciar në një shërbim të mirëfilltë të nëpunësisë civilë, është për të ardhur keq që ende sot drejtuesit e institucioneve të burgjeve dhe paraburgimeve janë të emëruar politikisht në bazë të bindjeve partiake”, tha më tej Qinami në deklaratën e tij.


 


Precedenti


Amnistia e dhënë, problem për policinë


Burgu ne PeqinDhënia e amnistisë për të burgosurit ishte një nga shkaqet që solli mjaft probleme për policinë shqiptare. Sipas burimeve pranë policisë, amnistia për 100-vjetorin e Pavarësisë solli rritje të krimeve, si vjedhjet apo dhe dukurive të tjera. Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë nuk i publikoi të plota listat e personave që përfituan nga kjo amnisti. Fenomeni tjetër pritet të jetë dhe lirimi me kusht i të burgosurve në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.