Fryma e Re Demokratike zhvilloi një takim me qytetarët në Berat, ku prezantoi kandidatët e kësaj partie për këtë qark.
Kryetari Bamir Topi duke u ndalur në vizionin dhe filozofinë e FRD-së deklaroi se kjo force politike vlerëson shumë rikonsiderimin e së djathtës si dhe rizgjimin e vlerave që janë harruar nga pushteti aktual.
“Në 23 qershor ne konkurrojmë të vetëm, por nuk jemi të vetmuar. Mbështetja për FRD-në është e fuqishme, ajo ndjehet në çdo takim me mbështetës e simpatizantë”, tha Topi.
Ai u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të mos bien preh e premtimeve boshe dhe të përsëritura nga faktorët destruktivë në politikë që shohin vetëm interesat e ngushta të karrigeve të tyre dhe jo interesat gjithëpërfshirëse të qytetarëve.
Duke u ndalur në vlerat ekonomike dhe historike të qytetit të njëmijë dritareve siç quhet Berati, kryetari i FRD-së theksoi papërgjegjshmërinë e qeverisë për ti vlerësuar këto burime në dobi të zhvillimit të zonës.
“Vetëm disa muaj më parë në qytetin u dhunua sërish shtëpia muze e Onufrit, kalaja e Beratit ka mbetur e rrënuar nga politika dritëshkurtër e qeverisë. Kjo politikë që mundohet të riciklojë pushtetin nuk meriton të votohet. Mos e lini fatin tuaj në dorë të manipulatorëve, dilni në votime dhe vlerësoni të ardhmen e familjeve tuaja. Shfrytëzojeni mundësinë që ju ka dhënë Kushtetuta për të zgjedhur vetë ju pushtetin”, apeloi kreu i FRD.
Kandidati për deputet, Aleksandër Sallabanda, që prin listën e FRD-së për qarkun e Beratit, duke përshëndetur pjesëmarrësit në tubim, tha ndër të tjera se sot është dita të mbështetet Fryma e Re Demokratike, sepse kështu i jepet fund tranzicionit të gjatë shqiptar.
25 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)