Fryma e re Demokratike ka reaguar zyrtarisht përmes një njoftimi për shtyp lidhur me mbylljen e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, 31 ditë pasi ata u ngujuan duke kërkuar zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e tyre.


FRD e ka vlerësuar grevën e urisë dhe protestën e ish të përndjekurve politikë, duke i cilësuar ata martirë të gjallë të demokracisë, ndërsa ka theksuar se mashtrimi i qeverisë ishte ai që e shkaktoi atë grevë. Sipas FRD, qeveria aktuale është e vetmja në Europë që refuzon dialogun me qytetarët dhe se sjellja e saj është antihumane dhe antidemokratike.


“Fryma e Re Demokratike vlerëson lart aktet e kurajos dhe protestës demokratike të ish -përndjekurve politikë. Për FRD është e qartë se greva e urisë nuk ishte qëllimi primar i grevistëve, por pasojë direkte e imponuar e qëndrimit antihuman, antinjerëzor dhe antidemokratik të qeverisë shqiptare, e cila bashkë me modelin e Lukashenkos mbetet e para dhe e vetmja qeveri në Europë që refuzon dialogun me qytetarët”, theksohet në njoftimin për shtyp të FRD.


Nga ana tjetër, FRD premton se me ardhjen në pushtetm brenda tre viteve të qeverisjes do të mundësojë një kompensim të plotë të ish përndjekurve.


“FRD deklaron publikisht se me rotacionin e pashmangshëm të pushtetit më 2013 dhe me dhënien fund të modelit të përfaqësuar nga dy partitë e vjetra parlamentare, do ta shndërrojë çështjen e ish të përndjekurve politikë në prioritet politik e parlamentar. Ashtu siç e kemi bërë të ditur edhe më parë brenda tre viteve të para të qeverisjes, FRD do të realizojë kompensimin e plotë financiar të kësaj shprese dhe do të bëjë integrimin e tyre të plotë moral e institucional në shtetin e shoqërinë shqiptare. Koha kur klikat komuniste merrnin vendime dënimi apo denigrimi ndaj të përndjekurve ka marrë fund njëherë e mirë dhe FRD është në politikë për ta bërë këtë premtim realitet”, – përfundon njoftimi për shtyp i FRD.

23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)