Ristani: Duhet ndaluar përkeqësimi i situatës. I bëjmë thirrje qeverisë që të marrë në kontroll manaxhimin e situatës.
Fryma e RE Demokratike ka mbajtur sot një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohen ngjarjet në vend në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm. Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Stavri Ristani, drejtues i departamentit të infrastrukturës dhe ish-zv.ministër i punëve publike tha:
“Siç po ndjekim situatën nëpërmjet mediave, në disa qytete dhe rrethe të vendit Kompania CEZ, qe menaxhon rrjetin e shpërndarjes, ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për ndërmarrjet e ujesjellës-kanalizimeve të këtyre rretheve.Kjo do të thotë që, duke filluar që nga dita e sotme, popullsia e ketyre zonave, spitalet, kopshtet, çerdhet e fëmijëve, institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, nuk do të kenë furnizim me mallin më jetik, ujin e pijshëm.
Pasojat e këtij veprimi dihen nga të gjithë.
Pavarësisht veprimit të paralajmëruar nga kompania CEZ, ndërprerja e energjisë dhe, për pasojë edhe e ujit të pijshëm, është një dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë në reformat në sektorin energjitik dhe të ujit të pijshëm.
Kjo është gjithashtu një dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë në menaxhimin e të gjithë investimeve që janë kryer dhe po kryhen në sektorin e ujit të pijshëm, qofshin këto të financuara me fonde të buxhetit apo nga donatorë të huaj.
Qeveria shqiptare, e zhytur totalisht në korrupsion dhe pa-aftësi, po i lë qytetarët shqiptarë pa energji dhe ujë të pijshëm, duke iu mohuar atyre këto të drejta dhe nevoja bazike për jetën.
I bëjmë thirrje qeverisë, të marrë në kontroll manaxhimin e situatës,duke marrë të gjithë masat dhe përgjegjësitë e saj, për të siguruar furnizimin e pandërprerë me ujë dhe energji të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet, duke evituar panikun publik që shoqëron situata të tilla”
Z. Ristani ka një eksperiencë të gjatë në këtë fushë, teksa më parë ka mbajtur edhe pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve në vend.