Drejtimi i mbledhjes nga Rama vjen në një kohë kur nga terreni ka sinjale se të zgjedhur të PS-së kundërshtojnë reformën
Kryeministri e konsideron reformën si historike dhe jetike, e cila do të bëjë të mundur dhe një sërë ndryshimesh të tjera të rëndësishme
Shkrirja e njësive
Rreth 180 të zgjedhur lokalë në Tiranë. Rama: Reforma, historike
FATJONA MEJDINI

Premtimi – Krahas reformës territoriale, mazhoranca ka premtuar edhe kryerjen e një reforme të re të decentralizimit në vend. Kjo dhe reforma zgjedhore, vijnë si një hap i domosdoshëm që bëjnë të mundur qëndrueshmërinë e reformës territoriale.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, do të mbledhë sot pasdite rreth 180 të zgjedhurit vendorë të Aleancës për Shqipërinë Europiane për të diskutuar me ta në lidhje me reformën administrativo-territoriale. Mbledhja, në të cilën do të marrin pjesë edhe drejtuesit e Partisë Socialiste dhe të partive të tjera të koalicionit të majtë, vjen në një kohë kur edhe brenda të majtëve ka shumë hezitime për këtë reformë. Humbja e pushtetit për shumë të zgjedhur lokalë dhe pamundësia e tyre për t’u rizgjedhur, ka krijuar “frikën” e një kundërshtimi të brendshëm për këtë reformë. Nisur nga gjasat e mëdha që në mënyrë publike, disa nga të zgjedhurit vendorë të majtë të dalin publikisht kundër kësaj reforme, kreu i qeverisë ka vendosur t’i paraprijë situatës, duke i mbledhur ata për t’i kërkuar bashkëpunim për këtë nismë. Ky takim pritet të nisë në orën 15.30 në sallën e Akademisë së Arteve dhe përveç mesazhit të Kryeministrit mbi nevojën e kryerjes së kësaj reforme, pritet dhe zhvillimi i një bashkëbisedimi në lidhje me hapat që do të ndiqen për të bërë realizimin e kësaj reforme, e cila është pranuar nga të gjithë se mbart një sërë vështirësish. Gjatë një vizite pune në Berat, Rama e konsideroi reformën administrativo-territoriale si historike dhe jetike, e cila do të bënte nisjen e një sërë reformash të tjera të rëndësishme për vendin.
Mbledhja
Të zgjedhurit vendorë të majtë, të cilët e kanë marrë mandatin e tyre nga zgjedhjet lokalë të vitit 2011 do të jenë sot në Tiranë, të thirrur nga Kryeministri Edi Rama për të diskutuar në lidhje me reformën territoriale që ka nisur në vend. Por më shumë se një mbledhje teknike, ajo pritet të jetë politike, ku të gjithë kryetarëve të bashkive dhe komunave që vijnë nga e majta, do t’ju kërkohet bashkëpunimi pa hezitim për të bërë realizimin e reformës përpara muajit shtator. Drejtimi i kësaj mbledhje nga Kryeministri Edi Rama, vjen në një kohë kur nga terreni ka sinjale të shumta për të zgjedhur lokalë socialistë, të cilët kundërshtojnë këtë ndarje të re territoriale. Kjo për shkak të faktit se me ndarjen e re të vendit, shanset e tyre për të qenë në drejtimin e një njësie vendore reduktohen në mënyrë dramatike. Nga rreth 390 njësi të qeverisjes vendore që ka sot në vend, ndarja e re pritet të krijojë jo më shumë se 160 njësi dhe për pasojë drejtuesit lokalë do ta gjejnë veten shumë shpejt jashtë zyrave drejtuese. Frika e një “rebelimi” të brendshëm nga ana e të zgjedhurve të majtë për këtë ndarje të re territoriale, ka shtyrë Ramën t’i paraprijë situatës dhe t’u japë të zgjedhurve të majtë mesazhet e duhura për të qenë pjesë bashkëpunuese dhe jo penguese e reformës.
Vlerësimi
Për mazhorancën e majtë qeverisëse, reforma administrativo-territoriale shikohet e një rëndësie tepër të veçantë. Këtë e pohoi dhe Kryeministri Rama në një vizitë në Berat. Sipas tij, kjo reformë është hapi i parë i rëndësishëm, themelor, për të ristrukturuar gjithë funksionimin e shtetit. “Reforma territoriale do të na japë mundësi të re, perspektivë të re për shëndetësinë, për transportin, për arsimin, për pastrimin, për trajtimin e mbetjeve, për ujësjellësin, për energjinë. Është një reformë historike dhe jetike, për të ngritur shërbimin në një cilësi të re. Ju e shihni vetë që në këto kushte është e vështirë, sepse është i gjithë sistemi që duhet rindërtuar dhe duhet riorganizuar, flas për gjithë sistemin organizativ të shtetit”, thotë ai.
[callout]Ministri i parë i “Lokalëve”
Rexhep Uka: Politika të japë konsensus, reforma u përket vendorëve
Ministri i parë i Pushtetit Vendor në Shqipërinë pluraliste, Rexhep Uka, dha dje edhe rekomandimet e tij në lidhje me reformën territoriale. Si pjesë e përfaqësuesve të Forumit Civil, Uka theksoi se partitë politike duhet të qëndrojnë larg kësaj reforme, nisur nga fakti se ajo është kryekëput një çështje që i takon pushtetit vendor në Shqipëri. Ai e quajti reformën aktuale domosdoshmëri, e cila duhet të korrigjojë lëvizjet e pa kriter që kanë ndodhur këto vitet e fundit në vend. Uka i bëri thirrje faktorit politik për konsensus në mënyrë që kjo reformë të mund të realizohet.[/callout]