Përplasja – Kreu i policisë, Burgaj, tha se në Lazarat kishin ndërhyrë forcat speciale, por edhe kjo hidhet poshtë nga efektivët e RENEA-s


“Premtimi” – Tri javë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë deklaroi se shumë shpejt do të ndërhyhet me forca policie në fshatin Lazarat


Deklarata – Dy ditë më parë, kryepolici u shpreh se është konkluduar me sukses një operacion policor në zonën perëndimore të fshatit Lazarat


Në zonë ndodhen mbi 100 mijë rrënjë kanabis


Edhe pse tri javë më parë, kreu i policisë deklaroi se së shpejti policia do të ndërhyjë në Lazarat, deri tani ka ndërhyrë vetëm anash këtij fshati, pasi brenda tij nuk ka qenë dhe nuk është asnjë punonjës policie. Dy ditë më parë, në një konferencë për shtyp, kryepolici Hysni Burgaj deklaroi se në Lazarat kishin ndërhyrë forcat speciale, por edhe kjo hidhet poshtë nga specialët, të cilët shprehen që nuk kanë hyrë brenda në fshat, pasi aty mund të rrezikohet jeta e të pafajshmëve.


Pikërisht në dhjetëditëshin e dytë të qershorit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, deklaroi se policia do të ndërhyjë shumë shpejt në Lazarat. Menjëherë u përgatitën plane masash, por që atë ditë e deri tanimë janë bërë vetëm dy operacione, ku njëri prej tyre është bërë në një fshat, pa mbërritur në Lazarat, ku u arrestuan burrë e grua dhe i dyti u realizua dy ditë më parë në kufi me Delvinën. Por, në asnjë rast, policia nuk ka ndërmarrë as hapin më të vogël për të vendosur veton në fshatin e Lazaratit. Madje, dy ditë më parë, operacioni u deklarua se ishte zhvilluar në këtë fshat. Kreu i policisë deklaroi se nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Forcat RENEA, Delta Force dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në zbatim të Planit të Veprimit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, është konkluduar me sukses një operacion policor, që kishte si synim asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara në zonën perëndimore të fshatit Lazarat.


Por, sipas të dhënave nga burime policie, ndërhyrja është bërë jashtë fshatit, por brenda komunës. Në fshat janë fshehur agresorët, ndërkohë që specialët nuk kanë pasur urdhër për të hyrë brenda, pasi kjo rrezikonte jetën e banorëve të tjerë. Kjo është edhe arsyeja që Burgaj ka bërë thirrje që banorët e fshatit Lazarat të distancohen nga disa elementë me precedentë kriminalë, të cilët kundërveprojnë me armë ndaj forcave të policisë, pasi policia do t’i përgjigjet me forcën e ligjit të gjithë atyre personave të përfshirë në akte të tilla. Më tej, ai ka shpjeguar në fjalën e tij se goditje të tjera do të zhvillohen në fshatin Lazarat, por nuk është e qartë, nëse do vendoset forca e ligjit në zemër të këtij fshati.


Nga informacionet dhe vëzhgimet e kryera nga policia shqiptare, sipas burimeve policore, rezulton se në Lazarat ekzistojnë më shumë se 100 mijë rrënjë kanabis, kështu që 5 mijë bimë të asgjësuara, janë vetëm një pikë ujë në oqean, në krahasim me pjesën e mbetur. Por, mbetet fakt që nga viti në vit, shteti i frikësohet edhe më shumë këtij fshati, ashtu siç fshati po i frikësohet çdo njeriu të panjohur për zonën. Madje, vetëm pak ditë pas deklaratës së Burgajt dhe pas një goditje të policisë në hyrje të komunës, dy oficerë specialë u qëlluan me armë, pasi po filmonin në fshehtësi brenda fshatit, me qëllim për të identifikuar zonat e rrezikshme dhe parcelat me kanabis. Kjo solli vonesa në ndërhyrjen e parë, ndërkohë që asnjë punonjës policie nuk di të thotë se kur do të ketë ndonjë ndërhyrje tjetër, duke shpjeguar se goditje në largësi, si ajo e dy ditëve më parë, janë kryer çdo vit.


Banorët – Sapo forcat speciale janë vënë re nga banorët e Lazaratit, janë pritur me kallashnikovë, mitraloza dhe armë të tjera luftarake


Ana e malit – Sipas informacioneve, policia ka ndërhyrë vetëm në pjesën malore të Lazaratit, ndërkohë që atentatorët u fshehën brenda fshatit


Tri raste – Ky është operacioni i tretë brenda një muaji në zonën e Lazaratit, ndërkohë që banorët janë kundërpërgjigjur çdo herë me armë